Si teknologjia, ky mik i njeriut që ka lehtësuar procese pune dhe jetën e të gjithëve, po shndërrohet dalëngadalë në një boomerang drejt nesh. Piratimi i jetës sonë po bëhet gjithnjë e më i mundur përmes teknologjisë. Duke marrë në konsideratë edhe situatën me të cilën po përballet e gjithë bota, atë të pandemisë prej Covid-19 dhe ‘shpresës’ tek të rinjtë, që do jenë apriori vijimësia e njerëzimit kudo, autori jep këshilla se si mund të jetohet në një botë ku qeniet njerëzore mund të piratohen?*

Mbrojtja e lirisë do të bëhet edhe më urgjente pasi qeveria të jetë në gjendje të përdorë teknologjinë për të mësuar ndjenjat tuaja më të thella

Nga Yuval Noah Harari | Botuar në: The Wall Street Journal

Fjalimet e ceremonive të diplomimit zakonisht janë një mundësi për t’u dhënë këshilla studentëve të sapodiplomuar, por në fakt, unë doja të kërkoja ndihmën tuaj për t’u përballur me një sfidë të pashembullt për njerëzimin. Mund të keni dëgjuar shpesh se celularët tuaj smartphone mund të piratohen. Por problemi i vërtetë është se, së shpejti, korporatat dhe qeveritë mund të jenë në gjendje të piratojnë trupin dhe mendjen tuaj. Gjëja më e rëndësishme që duhet të dini për shekullin XXI, është se njerëzit po kthehen në kafshë që mund të piratohen.

Përgjatë historisë, prindërit i njihnin mirë fëmijët e tyre dhe të dashuruarit mund të kuptonin ndjenjat e pathëna të njëri-tjetrit. Por njohuritë e mbledhura nga priftërinjtë, tregtarët dhe tiranët, kanë qenë gjithmonë sipërfaqësore.

Aleksandër Sollzhenjicini përshkruan një konferencë në Bashkimin Sovjetik ku publiku nisi të duartrokiste me entuziazëm për të brohoritur Stalinin. Pas disa minutash duartrokitjesh, njerëzit u bënë shumë nervozë. Ishin të gjithë të lodhur, por askush nuk guxonte të ndalonte duartrokitjen i pari. Më në fund, pas 11 minutash, drejtori i një fabrike letre vendosi të rrezikonte, ndaloi duartrokitjen dhe u ul. Menjëherë pas tij, të gjithë të tjerët ndaluan dhe u ulën. Po atë natë, burri u arrestua dhe u dërgua në gulag.

Stalini mund t’i detyronte njerëzit të buzëqeshnin dhe të duartrokisnin, por nuk mund t’ua lexonte ndjenjat. Për të piratuar qeniet njerëzore, janë të nevojshme të dhëna dhe njohuri biologjike, si dhe fuqi kompjuterike – dhe Stalini nuk i kishte këto mjete. Por Stalinët e shekullit XXI – dhe njerëz të tillë nuk janë të paktë – mund të kenë në dispozicion gjithçka që u nevojitet.

Ju po jetoni në një kohë kur biologjia po bashkohet me informatikën, kur epidemiologjia familjarizohet me sistemin smartphone, kur koronavirusi takohet me Zoom-in. Gjatë viteve të fundit, qeveritë dhe korporatat kanë zhvilluar teknologji vëzhguese që mund t’u tregojnë atyre nëse ju jeni duke e lexuar tani këtë artikull online. Nga kjo e dhënë, mund të mësojnë diçka mbi pikëpamjet tuaja politike, shijet tuaja artistike, apo edhe personalitetin tuaj.

Por tashmë ne po hyjmë në epokën e vëzhgimit biometrik, që mund të depërtojë në trupat tanë. Kjo do t’u mundësojë qeverive dhe korporatave të dinë se çfarë ndjeni kur lexoni këto rreshta. Jeni të frikësuar? Jeni të zemëruar? Mëdyshas? Përfytyroni sikur pas 10 vjetësh, shefi juaj narcist prezanton gjithë krenari planin e tij të biznesit dhe të gjithë punonjësit duartrokasin në shenjë miratimi. Ama, shiriti biometrik në kyçin e dorës tuaj, do t’i tregojë shefit se ju në fakt mendoni se plani i tij është një hiç.

Kjo teknologji do të revolucionarizojë jo vetëm diktatura mizore, por edhe demokracitë. Ndoshta keni dëgjuar shpesh të thuhet se votuesi jep gjykimin më të mirë, se klienti ka gjithnjë të drejtë dhe se duhet të ndiqni gjithmonë zemrën tuaj. Të gjitha këto parime janë tashmë në rrezik. Nëse një sistem i jashtëm piraton njerëzit dhe mëson frikat dhe dëshirat e tyre më të mëdha, mund të bindë votuesit dhe klientët të blejnë çdo gjë që dëshiron sistemi, qoftë një produkt apo politikan.

Dhe nëse përpiqeni të ndiqni zemrën tuaj, bëni kujdes. Mund të jetë krijuar diçka që mbikëqyr zemrën tuaj 24 orë të ditës dhe e njeh shumë më mirë se ju. Zemra juaj mund të jetë një agjent i dyfishtë.

Si mund të jetohet në një botë ku qeniet njerëzore mund të piratohen? Si mund të mbrohet demokracia dhe kuptimi i jetës njerëzore, kur një algoritëm kompjuterik mund të na njohë më mirë se nëna jonë? Kjo është sfida më e ndërlikuar me të cilën përballet brezi juaj.

Më të mëdhenjtë ju kanë pajisur me njohuritë dhe vlerat e nevojshme për ta zgjidhur këtë problem. Por ata nuk mund ta zgjidhin për ju; nuk dinë sesi. Duhet ta bëni vetë, për të mirën tuaj dhe të gjithë njerëzimit. Të gjithë jemi të varur nga ju.

Zoti Harari është historian dhe filozof. Libri i tij i fundit është “21 mësime mbi shekullin XXI”.

*nga redaksia