Çdo vit, miliona njerëz në mbarë globin festojnë Ditën e Tokës, për të mbështetur lëvizjen mjedisore.

Ngjarja filloi në vitin 1970, në Shtetet e Bashkuara dhe është përhapur në mbarë botën.

Dita e Tokës është një ngjarje globale, e cila synon të nxjerrë në pah rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit. Ajo zhvillohet çdo vit më 22 prill.

Kjo ditë, u krijua në 1970 nga Gaylord Nelson, senator dhe ambientalist amerikan dhe Denis Hayes, i diplomuar në Universitetin e Harvardit.

Të dy kishin shqetësime në rritje, për dëmtimin mjedisor në SHBA, si ai i shkaktuar nga një derdhje e madhe nafte në vitin 1969 në Santa Barbara, Kaliforni.

Dita e Tokës u krijua, si një mënyrë për të angazhuar publikun, dhe për të shtyrë çështjet për mjedisin në axhendën kombëtare, dhe më pas ndërkombëtare.

Ajo u bë një ngjarje globale në vitin 1990 dhe tani përfshin mbi një miliard njerëz, të të gjitha moshave në gati 200 vende, sipas organizatorëve.

“Festimi i Ditës së Tokës, është shpesh veprimi i parë mjedisor për shumë njerëz,” thotë presidentja e Earthday.org, Kathleen Rogers.

Dita e Tokës 2024

Tema e vitit 2024, “Planeti kundër Plastikës” (Planet vs. Plastic), synon të rrisë ndërgjegjësimin për dëmet e ndotjes nga plastika për shëndetin e njeriut dhe të planetit.

Ngjarjet e mëparshme, kanë mbuluar një sërë çështjesh mjedisore, nga ndryshimet klimatike dhe energjia e pastër, deri te mbrojtja e specieve dhe përfitimet e mbjelljes së pemëve.

Fokusi i këtij viti, vjen përpara një traktati historik të OKB-së për plastikën, i cili pritet të arrihet deri në fund të vitit 2024.

Më shumë se 50 vende, përfshirë Britaninë e Madhe, kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika, deri në vitin 2040.

Por, organizatorët e Ditës së Tokës, duan të shkojnë më tej dhe po bëjnë thirrje, për një reduktim prej 60% të prodhimit të të gjithë plastikës, deri në vitin 2040.

Çfarë ka arritur Dita e Tokës?

Brenda pak viteve nga Dita e parë e Tokës në vitin 1970, u krijuan Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të SHBA-së, si dhe disa ligje mjedisore – si Akti i Ajrit të Pastër.

Ngjarjet më të fundit, kanë përfshirë mbjelljen e qindra miliona pemëve, mbështetjen e fermerëve me praktika të qëndrueshme bujqësore dhe fillimin e projekteve të edukimit klimatik në mbarë botën.

“Me një sërë çështjesh, që shtyjnë sfidat tona mjedisore në listën e prioriteteve të shoqërisë, ngjarjet si Dita e Tokës, na kujtojnë koston afatgjatë të afatshkurtër”, thotë Yvo de Boer, ish-drejtues i OKB-së.

Në vitin 2016, Dita e Tokës u zgjodh simbolikisht, për nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes historike të Parisit për klimën, për të cilën ishte rënë dakord në fund të vitit 2015.

Ishte hera e parë, që vendet ishin dakord kolektivisht, për objektivat për të kufizuar ngrohjen globale. / BBC