Muzeu i Luvrit në Francë, mund ta zhvendosë Mona Lizën në një dhomë të veçantë.

Ajo është vepra e artit më e famshme dhe më e vizituar në botë, me deri në dhjetë milionë admirues në vit.

Buzëqeshja e saj enigmatike, është idhulluar nga artdashësit, madje është vënë në shënjestër nga hajdutët, protestuesit, madje edhe nga një burrë i maskuar si një grua e moshuar në karrocë, i cili i hodhi tortë në fytyrë.

Piktura e Leonardo da Vinçit “Mona Lisa” do të zhvendoset, për t’i dhënë më shumë hapësirë La Gioconda-s, si dhe për të qetësuar vizitorët.

Vizitorët e muzeut, shpenzojnë mesatarisht 50 sekonda për të admiruar “Mona Lizën”, e cila shfaqet pas një barrierë dhe xhami antiplumb në qendër të Salle des Etats (xhami i instaluar në vitet 1950, për ta mbrojtur atë pas një sulmi me acid).

Shumë e kanë quajtur atë, kryeveprën më zhgënjyese në botë.

E kuptueshme vërtet, pasi turmat e mëdha dhe hapësira e kufizuar në galeri, do të thotë se është e vështirë të shohësh Mona Lizën.

Përballë këtij problemi, drejtori i muzeut tani po propozon të vendosë në një vend të izuluar kryeveprën e da Vinçit.

“Lëvizja e Mona Lizës në një dhomë të veçantë, mund t’i japë fund zhgënjimit të publikut,” tha Laurence des Cars, drejtori i muzeut të Luvrit. “Vizitorët nuk po ndihen mirë në dhomën aktuale, kështu që ne mendojmë se nuk po e bëjmë punën tonë siç duhet.”

Një hapësirë e re e dedikuar për “Mona Lizën”, ka kuptim – si për pikturën e da Vinçit ashtu edhe për ‘fqinjët’ e saj, që do të mund të kenë më shumë vëmendje.

Vincent Delieuvin, kuratori kryesor i pikturës italiane të shekullit të 16-të, tha: “Ne kemi menduar për këtë për një kohë të gjatë, por këtë herë të gjithë janë dakord”.

Tingëllon mirë, por nisma do të ketë nevojë për shumë punime dhe ndryshime, duke përfshirë hapjen e një hyrje të re në pallatin e Luvrit (në fasadën e kolonadës) dhe krijimin e dy dhomave të reja, në bodrumin nën oborrin katror të Luvrit.

Një nga “dhomat e nëndheshme”, do të shërbente si ambient për “Mona Lizën”. Dhe ndërsa kjo mund të ndihmojë me situatën e radhës dhe t’u lejojë vizitorëve akses të drejtpërdrejtë, e gjithë kjo do të kushtonte rreth 500 milionë euro.

Ministria e Kulturës e Francës, thuhet se është në favor të projektit të ri të Luvrit, por do të duhet të bindet ministri i financave Bruno Le Maire.

Le Maire ka thënë tashmë, se shpreson të kthejë 25 miliardë euro kursime për buxhetin e vitit 2025, dhe i ka kërkuar sektorit kulturor të bëjë reduktime kostosh. / Euronews