Vetëm 30 % e të rinjve japonezë, tani mendojnë se ngjitja në shkallët e karrierës, është e rëndësishme, sipas një sondazhi të fundit nga Instituti i Kërkimeve Japoneze.

Në një vend, që ka shpikur një term për vdekjen nga puna e tepërt – “karoshi”, brezi i ri i Japonisë, ngadalë po e bën prioritet ekuilibrin e punës dhe jetës.

Një fillim i ri pas pandemisë COVID-19 dhe ndryshimi i qëndrimeve midis punonjësve të rinj, po ndryshon kulturën e pafalshme të punës së vendit, e cila prej kohësh karakterizohet nga orët e gjata, festat e detyrueshme shoqëruar me pije, si dhe hierarki e ngurtë.

Të dhënat e qeverisë, treguan se përqindja e punëtorëve, që punojnë më shumë se 60 orë në javë në 2022 – 9 % – u përgjysmua krahasuar me rreth dy dekada më parë.

Stili i jetës ka ndryshuar

Megjithatë, një punonjëse u shpreh se, sado që ajo dëshiron t’i japë përparësi ekuilibrit punë-jetë, mbetet e vështirë për të, që ta arrijë këtë, në një ditë të zakonshme.

Pandemia ndryshoi gjithashtu, një aspekt thelbësor të kulturës së korporatave në Japoni: Festimet pas punës.

Baret u mbyllën gjatë shpërthimit të koronavirusit, duke ndikuar në uljen e pirjes së pijeve alkolike – veçanërisht në mesin e punëtorëve të rinj, që duan cilësinë e jetës dhe janë më të vërtetë në vendosjen e kufijve.

Njerëzit duan të ndërveprojnë me të tjerët

Ekspertët thanë, se të rinjtë në mbarë botën, përfshirë Japoninë, janë në kërkim të vendeve më të mira të punës, që ofrojnë ekuilibër punë-jetë dhe një mjedis gjithëpërfshirës.

Njerëzit duhet patjetër të ndiejnë ndjenjën e përkatësisë dhe ndjenjën e lidhjes me dikë – jo vetëm me një punë, por edhe me njerëz të tjerë.

Marrëdhëniet janë me të vërtetë të rëndësishme, ” tha Profesorja e Asociuar në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore Connie Zheng, nga Universiteti i Australisë Jugore.

Ajo u shpreh se, vendet aziatike, ka të ngjarë të mos jenë ende të vetëdijshme për çështje të tilla.

Pavarësisht përmirësimeve në kulturën e vendit të punës, dhe pagës fillestare më të lartë, mes mungesës së fuqisë punëtore, të rinjtë japonezë mbeten disa nga më të palumturit, në mesin e vendeve të zhvilluara – duke u renditur në vendin e 73-të, në Raportin e fundit të Lumturisë Botërore.

Disa po largohen, për të kërkuar punë jashtë vendit, ndërsa një numër në rritje, po zgjedhin punë të pjesshme, në vend të punës me kohë të plotë.

Të tjerë janë të kënaqur të qëndrojnë aty ku janë, tani për tani, ndërsa shpresojnë që të krijojnë një familje, duke punuar në të njëjtën kohë. / CNA