Megaqytetet e Kinës po fundosen në mënyrë të konsiderueshme; gati gjysma e qyteteve kryesore të vendit, tregojnë shenja fundosjeje.

Një studim i fundit, i cili analizoi 82 qytetet më të mëdha të Kinës, raportoi se mbi 30% e qindra miliona njerëzve, që jetojnë në zonat urbane të Kinës, janë në rrezik për shkak të fundosjes së niveleve të tokës.

Ky trend, mund të ketë pasoja të rënda, veçanërisht pasi qytetet përballen me rritjen e nivelit të detit dhe kërcënimin e përmbytjeve.

Pekini dhe Tianjin, në Kinën veriore, janë ndër qytetet që përjetojnë ritmet më të shpejta të fundosjes, me përqindjen më të madhe të njerëzve, që jetojnë në zona që fundosen me më shumë se 10 milimetra në vit.

Studimi paralajmëron, se nëse tendencat aktuale vazhdojnë, pjesë të mëdha të këtyre qyteteve, mund të jenë nën nivelin e detit brenda një shekulli, duke paraqitur rreziqe të konsiderueshme nga përmbytjet.

Konteksti global

Problemi i fundosjes së qyteteve, shtrihet përtej Kinës. Qytetet e mëdha në mbarë botën, veçanërisht ato pranë vijave bregdetare, po përjetojnë gjithashtu rrëshqitje të tokës.

Në Indonezi, qeveria po ndërton një kryeqytet të ri, sepse Xhakarta po fundoset me një shpejtësi alarmante, 20 centimetra në vit.

Vende të tjera, që përballen me probleme të ngjashme, përfshijnë Pakistanin dhe Bangladeshin, ku zonat urbane janë të ndjeshme ndaj rënies, për shkak të nxjerrjes së ujit dhe faktorëve të tjerë.

Gjeofizikani Manoochehr Shirzaei nga Virginia Tech, theksoi se nevojiten më shumë kërkime, për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e fundosjes së qyteteve.

Ai vuri në dukje, se studimet mbi rrëshqitjen, shpesh janë lënë në hije nga ato për ngritjen e nivelit të detit, pavarësisht potencialit për pasoja të rënda.

/ BBC