Dashamirës i kulinarisë dhe entuziast i udhëtimeve, aktori italo-amerikan Stanley Tucci ka shumë njohuri dhe sugjerime, për t’u zhytur në kulturën lokale të një vendi.

Ai e ka kaluar kohën jashtë ekranit të madh, duke u zhytur me kokë në kulturën, ushqimin dhe historinë e destinacionit të famshëm europian dhe fqinjit tonë, Italisë.

Madje, ka bërë edhe disa emisione rreth udhëtimit dhe ushqimit, “Stanley Tucci: Searching for Italy,” i cili u transmetua midis 2021 dhe 2022 në CNN, si dhe ka shkruar librin “Taste: My Life Through Food”, që është i ndërthurur me shijet dhe recetat, që ai ka provuar gjatë gjithë jetës së tij.

Tucci hedh dritë mbi një gjë, që bëjnë shumica e turistëve, e cila mund ta prishë shpejt udhëtimin e tyre: të përpiqen të bëjnë shumë.

I pyetur për gabimet më të mëdha, që bëjnë njerëzit gjatë udhëtimit në Itali, Tucci tha: “Unë mendoj, se njerëzit përpiqen të bëjnë shumë, në një kohë të shkurtër”. Kjo, nga ana tjetër, do të thotë se ata përfundojnë duke humbur.

Ndiqni këshillat e Tucci-t dhe mos u mundoni të bëni shumë gjatë vizitës në Itali

Me fjalët e vetë aktorit, gjëja më e mirë për të bërë gjatë udhëtimit, është të kaloni më shumë kohë thjesht duke ecur përreth.

Në fund të fundit, jo vetëm që kjo, ju ndihmon të përfitoni sa më shumë nga udhëtimi juaj pa nxituar, por gjithashtu ju lejon të krijoni një lidhje më të thellë me vendet, njerëzit dhe kulturën, që hasni gjatë rrugës.

Së bashku me këtë, Tucci ka edhe disa këshilla, për të ndihmuar udhëtarët të shmangin çdo zhgënjim, kur darkojnë jashtë.

Si fillim, rregulli numër një i Tucci-t, është të shmangni me çdo kusht, restorantet, që janë ‘kurthe turistike’, dhe të shkoni atje ku shkojnë vendasit. Kjo do të thotë, të qëndroni larg restoranteve shumë afër pikave të nxehta turistike dhe të shikoni me kujdes menunë e restorantit, për t’u siguruar, që nuk është një kurth.

Sidoqoftë, nëse nuk jeni ende të sigurt, se ku mund të jenë ato vende, Tucci rekomandon gjithashtu të lexoni për një vend, ku vërtet dëshironi të hani dhe më pas të kërkoni komente të detajuara rreth tij.

Më shumë këshilla për të eksploruar Italinë, sipas mënyrës ‘Tucci’

Këshillat e ekspertit të udhëtimeve, nuk mbarojnë me kaq.

Stanley Tucci përpiqet të theksojë rëndësinë e të kuptuarit, se sa shumë mund të ndryshojë Italia nga rajoni në rajon.

Qoftë ushqimi, peizazhi apo zakonet lokale, aktori përmendi se nuk ka dy vende, që ndihen saktësisht njësoj.

Për shembull, sipas Tucci-t, nuk duhet të vizitoni veriun e Italisë, duke pritur të gjeni të njëjtat pjata me makarona me ushqim deti, me të cilin u dashuruat në jug.

Gjithashtu, udhëtarët drejt jugut të Italisë, duhet të përgatiten për një ndryshim në atë që hanë.

Ndërsa mishi i viçit dhe pjatat kremoze, janë të njohura në veri, jugu zakonisht zgjedh përbërës më të lehtë dhe ushqim deti.

Sa i përket mënyrës se si të eksplorosh Italinë, Tucci është i ndarë mes dy mënyrave, që ai i konsideron më të përshtatshmet: të marrësh me qira një makinë, ose të udhëtosh me tren.

Sipas tij, të kesh një makinë është e mrekullueshme, sepse të lejon të ndalosh gjatë rrugës dhe të bësh aventurën sipas mënyrës tënde.

Megjithatë, makinat nuk janë gjithmonë aq praktike, kur bëhet fjalë për të vizituar vende si Firence, për shembull, ku nuk mund të lëvizësh askund me makinë.

Këtu vijnë në ndihmë trenat. Sepse, megjithëse mund të jenë më kufizues, përsa i përket rrugëve, ata janë përgjithësisht të shpejtë dhe të rehatshëm, kur një vend eksplorohet më së miri me këmbë.

/ Explore.com