Ndërkohë që shumë kompani po përpiqen të rindërtojnë aspekte të ndryshme strukturore për shkak të pandemisë Covid-19, një grup i rëndësishëm CEO-sh po i nxit ato të investojnë në shëndetin mendor të punonjësve, duke ndërmarrë një nismë të mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Faktet kryesore

Global Business Collaboration for Better Workplace Mental Health, e shpallur të hënën, synon të “rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e shëndetit mendor në vendin e punës dhe të lehtësojë zhvillimin e praktikave më të mira”

Anëtarët e grupit themelues – të cilët përfshijnë CEO-t e BHP, Clifford Chance, Deloitte, Hsbc, Salesforce dhe Unilever – i kërkuan komunitetit të biznesit “t’u japin përparësi investimit në shëndetin mendor të të gjithë punonjësve” si një nevojë biznesi dhe domosdoshmëri e shoqërisë, mbi të gjitha për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 në shëndetin mendor.

“Pandemia ka nxjerrë në pah nevojën për të trajtuar problemin e shëndetit mendor në vendin e punës” – deklaroi Punit Renjen, CEO i Deloitte, dhe “si drejtues biznesi kemi përgjegjësinë për të luftuar stigmën që lidhet me çështje të ndryshme të shëndetit mendor, si stresi e ankthi, për t’u siguruar të gjithëve zhvillimin në punë”.

Pavarësisht progresit në vitet e fundit, grupi i drejtuesve pohoi se ekzistojnë ende “paragjykime që lidhen me shëndetin mendor” dhe shumë politika të hartuara për të mbështetur punonjësit nuk kanë pasur rezultate konkrete, duke shkaktuar rënie të produktivitetit dhe kënaqësisë së klientit, duke mos harruar një ulje të ndjeshme të së ashtuquajturës mirëqenie të punonjësve.

Grupi po nxit drejtuesit e kompanive të tjera, të mëdha apo të vogla, që t’u bashkohen për të çuar përpara “dialogun, dëshpërimisht i nevojshëm, për krijimin e një mjedisi pune të hapur, mikpritës dhe mbështetës për të gjithë, mbi të gjitha kur në lojë është shëndeti mendor”. Ndër të tjera, CEO-t janë gati të firmosin një marrëveshje të përbashkët që angazhon organizatën e tyre në promovimin dhe zhvillimin e një kulture më pozitive rreth shëndetit mendor.

Deklarata

Arnaud Bernaert, i cili drejton nismën Shaping the Future of Health and Healthcare, tha në World Economic Forum se pandemia Covid-19 e bën këtë lloj veprimi në grup edhe më urgjent krahasuar me të shkuarën. “Duke qenë se më shumë se gjysma e të rriturve që punojnë raporton se po vuan gjithnjë e më shumë nga ankthi, dhe për pasojë, ulje të rendimentit në punë për shkak të Covid-19, veprimi i koordinuar dhe partneritetet publike-private janë çelësi i veprimit midis punëdhënësve, për të promovuar mirëqenien e forcës së punës tani dhe në të ardhmen”, tha z. Bernaert.

Skenarët

Përpjekjet për të trajtuar shëndetin mendor janë në disproporcion krahasuar me çmimin e lartë që ajo sjell. Në SHBA, National Alliance on Mental Illness deklaron se një i rritur në pesë vuan nga sëmundjet mendore në vit dhe vetëvrasja është shkaku i dytë i vdekjes ndër personat e moshës 10 – 34 vjeç, kurse depresioni është një ndër faktorët kryesorë të paaftësisë për të punuar në të gjithë botën.

Si bizneset, edhe qeveritë, nuk po ecin me të njëjtin hap dhe OBSH vlerëson se vetëm 2% e shpenzimeve shëndetësore globale shkon për shëndetin mendor. Problemi ishte në rritje para pandemisë dhe është përkeqësuar nga pasojat e izolimit, të stresit dhe frikës, me shumë paralajmërime të një pandemie të heshtur të shëndetit mendor që ecën krahas pandemisë së koronavirusit.

Shifra

OBSH vlerëson se ankthi dhe depresioni, dy gjendjet më të zakonshme të shëndetit mendor, i kushtojnë ekonomisë botërore 1 trilion dollar në vit.

Aspekti befasues

Të mbijetuarit e Covid-19 janë gjithashtu në rrezik të konsiderueshëm psikologjik. Sipas një studimi, një pacient në pesë u diagnostikua me një sëmundje mendore brenda tre muajve pasi rezultoi pozitiv. Kërkuesit zbuluan se personat me sëmundje para-ekzistuese psikiatrike kishin 65% më shumë gjasa të preken nga Covid-19. Studiuesit thanë se për këtë nevojiten hulumtime të mëtejshme.

*Robert Hart
Burimi: Forbes