Çdo dy ose tre vjet, përditësoni aftësitë në rezymenë tuaj, pasi ato ‘vjetërohen’ shumë shpejt.

A jeni ende duke renditur “Microsoft Office”, “i aftë për punë në grup” ose “i përkushtuar” në CV-në tuaj?

Nëse përgjigja për pyetjen e mësipërme ishte po, atëherë, me shumë mundësi, rezymeja juaj është e vjetëruar.

Edhe pse ka rreth nëntë milionë vende pune në Shtetet e Bashkuara, ka rreth 6.3 milionë të papunë, që do të thotë se ka më shumë vende pune sesa punonjës.

Me një numër kaq të madh mundësish në dispozicion, duket e pabesueshme, që kaq shumë janë ende pa punë, por kjo mund të shpjegohet nga një mori faktorësh, ku një faktor kryesor janë aftësitë, që përmban CV-ja juaj.

Është e qartë se fuqia punëtore po ndryshon dhe po përparon; dhe po ashtu edhe kërkesa për aftësi.

Aftësitë për të përfshirë në CV

Duke marrë parasysh këtë, Forumi Ekonomik Botëror (WEF), përpiloi një listë të aftësive thelbësore në rritje, me të dhëna nga anketa e tyre e gjerë kërkimore e kryer në vitin 2023.

Këto aftësi u cituan veçanërisht nga punëdhënësit, si prioritete në rritje.

Kjo do të thotë, që nëse i përfshini këto, dhe shembuj se ku dhe si i keni shfaqur ato, ndërkohë që vlerësoni arritjet tuaja, fitoni një avantazh të mrekullueshëm.

Aftësitë kryesore, që mund t’i vendosni në CV janë:

  • Mendimi krijues;
  • Mendimi analitik;
  • Njohja e teknologjisë;
  • Kurioziteti dhe të mësuarit e vazhdueshëm;
  • Përshtatshmëria, fleksibiliteti dhe shkathtësia;
  • Njohja dhe përdorimi i inteligjencës artificiale (IA);
  • Motivimi dhe vetëndërgjegjësimi;
  • Menaxhimi dhe trajnimi i talentit;
  • Shërbimi ndaj klientit.

Për t’iu përshtatur industrisë dhe ndryshimeve globale të vendit të punës, punëdhënësit kanë nevojë për profesionistë, të cilët arrijnë t’u përshtaten ndryshimeve të rëndësishme të tregut, duan të mësojnë vazhdimisht dhe të përmirësojnë rregullisht aftësitë e tyre, në mënyrë që të jenë më efikas dhe produktiv.

Punëdhënësit nuk mund ta dinë, nëse i keni këto aftësi, nëse nuk i tregoni ato. Mos e merrni si të mirëqenë, që mund t’i shfaqni këto aftësi gjatë intervistës suaj.

Pa i përmendur ato në CV, mund të mos ketë fare intervistë. / Forbes