Këto janë profesionet në Shqipëri ku punohet me orë të zgjatura; Më pak lodhet…shteti

2018-05-09T10:23:15+00:0025 Prill, 2018 14:22|Kategoritë: Lajme, Sociale|
Nëse punon në aktivitete administrative, në Shqipëri je i privilegjuar, pasi punon më pak, 2,105 orë në vit. Administrata është e vetmja në Shqipëri që punon më pak se 40 orë në javë, të gjithë sektorët e tjerë e kapërcejnë këtë kufi, teorikisht është dhe kohëzgjatja mesatare e parashikuar në Kodin e Punës.

Raporti i INSTAT për koston e punës në Shqipëri jep të dhëna dhe për orët e paguara në vend, sipas aktivitetit ekonomik, që i referohet vitit 2017.

Në Shqipëri punohet mesatarisht 2,173 orë në vit, ose rreth 42 orë pune në javë.

Aktiviteti ku punohet më gjatë në Shqipëri është ai i pasurive të patundshme, me 2,247 orë gjatë gjithë vitit. Më pas renditen industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese, me përkatësisht 2,231 dhe 2,222 orë.

E gjatë është dita e punës edhe kur je i punësuar në tregti, me 2215 orë në total, ose gati 42.5 orë në javë.

Ndërtimi, përveçse është nga natyra një aktivitet i lodhshëm ka dhe orë relativisht të gjata pune, 2204 në vit, ose 42.4 orë në javë.

Edhe nëse punon në bankë apo sigurime, je i detyruar të rrish në punë më gjatë sesa 40 orë në javë. Për këtë aktivitet, orët mesatare vjetore të paguara janë 2,192 në vit, ose 42.1 në javë.

Shëndetësia është një tjetër aktivitet me orë të zgjatura, prej 2174 në vit, ose 41.8 në javë.

Pas administratës, që i gëzohet një periudhe më të shkurtër në punë, në krahasim me të tjerët, aktivitetet që punojnë ma pak orë janë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, 2130 orë, ose 40.9 orë në vit dhe arsimi me 41.3 orë në javë.