Ekonomia me rozë të zbehur

2018-02-15T12:48:05+00:00 30 Nëntor, 2012 12:50|Kategoritë: Para, Tregje|

Shumë të gatshme për të studiuar e punuar. Dy orë më tepër punë në ditë nuk do të thotë më shumë mirëqenie për gruan shqiptare. Për të bërë karrierë, u duhet të kalojnë pengesa e mure sociale të ngritura me dhjetëra vite. Gratë sipërmarrëse arrijnë të jenë sa një e pesta e gjithë sipërmarrësve në vend. Prania e tyre është e dobët edhe në këshillat e administrimit të kompanive

Tashmë, pas më shumë se njëzet vitesh ekonomi e lirë tregu, me të drejtë lind pyetja se ku gjenden në sektorin e ekonomisë ato që janë motori i një shoqërie, gratë.

Një vështrim i përgjithshëm i shifrave na tregon se kontributi i tyre (zyrtar) në ekonomi është nën potencialet ekzistuese dhe kjo më shumë se një shkak i pozicionimit inferior të gruas në sipërmarrje e drejtim, është pasojë e politikave të gabuara sociale dhe ekonomike.

Një studim i publikuar së fundi nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Punësimin e Grave, krahas shifrave të ulëta me të cilat gratë përfaqësohen në të gjitha çështjet e ekonomisë, vë në dukje një plagë sociale që pritet të bëhet pengesë për zhvillimin ekonomik, nëse nuk “korrigjohet” nga politikat sociale: krijimi i stereotipave. Gratë punësohen në sektorët që paguhen më pak. Po braktisin arsimin profesional edhe më shumë se meshkujt, duke u larguar nga mundësia e punësimit si specialist. Dhe prirja për të pasur patjetër një apo dy diploma universitare i rrit me siguri shpenzimet për arsim, pa i dhënë një garanci për punë. Specialistë në fushën e ekonomisë pohojnë se arsimimi rrit mundësinë për të bërë karrierë e për të qenë në pozicione drejtuese, si në sipërmarrje edhe në administratën publike, por kjo ka pak gjasa të ndodhë nëse ato profilizohen në shkenca humane.

Inxhinieria, sektori më i mirëpaguar aktualisht në vend, ka në sallat e universiteteve vetëm 30% vajza. “Kostumi rozë”, megjithëse vlerësohet e shihet me më shumë besim nga bankat, kur flitet për kreditimin e biznesit, vesh më pak se 20% të numrit të sipërmarrjeve në vend.

Pavarësisht dëshirës së tyre të mirë për t’u angazhuar edhe në punë të papaguar (ato punojnë dy orë më tepër në ditë, sipas INSTAT), nevojiten politika shumë më të orientuara sociale nga qeveria, për të rritur kontributin e saj në ekonomi.

18% e bizneseve me gra sipërmarrëse

Sipërmarrjet e vogla mbizotërojnë në ekonominë shqiptare, pasi 92% e numrit të tyre kanë 1-4 të punësuar. Prej këtyre, 62% janë në tregti e hoteleri-turizëm, të cilat ofrojnë punë që konsiderohen mashkullore. Kjo bashkë me qasjen e pakët në kredi e prona dhe mungesën e politikave të mirëfillta që mund të mbështesin sipërmarrjen e grave, shpjegon numrin relativisht të vogël të grave sipërmarrëse. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, gratë zotërojnë 25.7% nga 106.477 biznese në vend . Në angazhimet e tyre, ato janë përqendruar në tregti dhe profesione të lira, bujqësi e rrobaqepësi.

Ndonëse gratë vlerësohen për miradministrimin e financave dhe shihen në shumë shoqëri si çelësi i suksesit të një ekonomie familjare, në Shqipëri (ashtu si edhe në Europën Lindore), “timonin” e ekonomisë e mbajnë meshkujt. Sipas Institutit të Statistikave, 18% e menaxherëve të bizneseve private janë gra dhe për më tepër, kanë një shpërndarje të pabarabartë në të gjithë vendin. Vetëm në Tiranë e Elbasan janë përqendruar 61% e sipërmarrjeve që drejtohen nga gratë.

Për korrektësinë e seriozitetin me të cilat ato marrin një angazhim, duket se i njeh dhe vlerëson sistemi bankar. Bankat janë më të gatshme të financojnë projektet e tyre. Edhe pse drejtojnë më pak se një të pestën e bizneseve në vend, ato kanë arritur të marrin 31% të vlerës së përgjithshme të kredive, sipas studimit të PNUD.

Por kjo lehtësi vjen pasi të kenë mundur të ngrenë një aktivitet privat. Raporti i “UN Women” për Shqipërinë nxjerr në pah se bankat ofrojnë kredi për biznese që janë aktive prej të paktën dy vitesh, por jo gjatë fillimit të tyre. “Meqenëse gratë janë më pak të mirintegruara në rrjetet e biznesit dhe zakonisht nuk kanë qasje në garancitë e huave, hapja e bizneseve të tilla paraqet rëndësi të veçantë për sipërmarrjet e femrave”, thuhet në raport. Ekspertët theksojnë se është shumë e rëndësishme mundësia e kreditimit të tyre, pikërisht në fillimet e aktivitetit sipërmarrës.

Po të shtrijmë këndvështrimin në të gjithë vendin, duke u ndalur në një prej sektorëve që siguron më shumë mundësi punësimi për to (atë të bujqësisë), vërejmë se pozicioni i gruas nuk është aspak i favorshëm. Është fakt që në zonat rurale, më shumë se 50% e grave punojnë në bujqësi, por shifrat zyrtare tregojnë se vetëm 6% e fermave menaxhohen prej tyre.

Nëse duket e tepërt t’i lëshohet “timoni” gruas, t’i rezervohet një vend asaj në kabinën e drejtimit të një aktiviteti nuk është aspak gabim, përkundrazi. Studimet tregojnë se sipërmarrjet me përfaqësim të madh femrash në nivelin e këshillave drejtues dhe të drejtuesve të lartë kanë efektivitet më të mirë se ato këshilla ku mungon “roza”. Ky është një fenomen i konstatuar nga Komisioni Europian, i cili vlerëson se përqindja e grave në këshillat mbikëqyrës të kompanive të kuotuara në BE është mesatarisht 12%. Çështjet e diversitetit gjinor në vendimmarrje po trajtohen gjerësisht nga KE, me strategjinë e barazisë midis grave dhe burrave për 2010-2015. Vende si Franca dhe Italia po shqyrtojnë të ndërmarrin veprime konkrete në këtë drejtim, ndërsa Norvegjia e Spanja kanë bërë hapa të rëndësishëm.

Në Shqipëri, prania e grave në këshillat e administrimit e të drejtimit të kompanive është shumë e pastudiuar, ndaj para se të kërkohet një nxitje, specialistët në fushën e punësimit mendojnë se duhet monitoruar çdo vit përqindja e grave në këshillat drejtues, në poste të larta ekzekutive dhe punonjëseve femra nëpër kompani.

Hendek femëror në arsimin profesional

Arsimi profesional është një plagë për ekonominë shqiptare, pasi oferta e tregut të punës është shumë e kufizuar krahasuar me kërkesat e sipërmarrësve. Ky është një shqetësim mbarëkombëtar i vënë në dukje nga studime të ndryshme vitet e fundit. Të rinjtë zgjedhin të ndërpresin studimet shumë shpejt, ose të realizojnë studimet e larta, duke u hequr mundësinë vetes e tregut, të punojnë si specialistë të thjeshtë në shërbimet që na nevojiten çdo ditë, duke filluar nga teknikë të pajisjeve elektroshtëpiake, marangozë, hidraulikë, rrobaqepës etj.

Mungesa e interesit për të marrë një zanat që nga arsimi i mesëm është edhe më i theksuar te femrat, duke i shtuar edhe më tej vështirësitë për t’u punësuar për gjysmën e popullsisë vendase.

Studimi i bërë nga “UN Women” vë në dukje se është shumë e kufizuar prirja e femrave për të marrë një arsim profesional. Duke iu referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë vitit akademik 2009-2010, meshkujt përbënin 69% të të gjithë studentëve të regjistruar në shkollat profesionale. Për më tepër që krahasimet ndër vite tregojnë rënie të mëtejshme të interesit. Krahasuar me vetëm një vit më parë, të dhënat zyrtare tregojnë se numri i vajzave të regjistruara në arsimin e mesëm profesional ka rënë me 4 pikë përqindje, duke zënë 31% të nxënësve. Ekspertët e “UN Women” theksojnë se arsimi profesional nuk paraqet interes për vajzat. Ato janë të interesuara të vazhdojnë studimet pas përfundimit të nivelit të shkollës së mesme. Por, shanset për punë kufizohen edhe për faktin se pjesa më e madhe e kurseve të ofruara në shkollat profesionale janë në të ashtuquajturat profesione meshkujsh, si p.sh tregti industriale, elektromekanikë apo ndërtim. Sipas ekspertëve, si ofertat e shkollave, edhe kërkesa e të rinjve është shumë e profilizuar në stereotipat gjinorë.

Vajzat i gjen në shkollat e agrobiznesit, turizmit, ekonomisë, apo në rrobaqepësi.

Sipas studimit të bërë nga Programi Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), vajzat në zonat rurale apo në periferi të qendrave urbane i ndjekin më pak ose aspak shkollat profesionale.

Ndarja e theksuar gjinore që në arsimin profesional ka përforcuar e zyrtarizuar ndarjen edhe në tregun e punës. Pas diplomimit, meshkujt kanë më shumë mundësi për t’u punësuar, e veçanërisht në ata sektorë që ofrojnë punë të paguara më mirë. Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, nevojiten masa konkrete, për të rritur arsimimin profesional te vajzat. Një nga këto, sipas tyre, mund të jetë, “krijimi i programeve të veçanta mbështetëse për profile shkollimi profesionale jotradicionale për të gjithë të rinjtë”.

E kundërta ndodh në arsimin e lartë, ku të diplomuarat femra zënë dy të tretat e të diplomuarve. Në vitin e fundit akademik të vlerësuar, studentet përbëjnë 67%. Diferenca gjinore fillon të theksohet që gjatë studimeve universitare, pasi meshkujt kanë më shumë mundësi të punojnë e studiojnë njëkohësisht.

Ajo çka është e ngjashme me arsimin e mesëm, është profilizimi i theksuar gjinor edhe në universitete. Studentet femra përbëjnë 73% të të regjistruarve në arsim, 68% në mjekësi dhe 61% në shkenca humane e arte.

Në inxhinieri, një sektor më i mirëpaguar dhe shumë i kërkuar në tregun e punës, femrat përbëjnë vetëm 30% të studenteve.

Punësimi, përkeqësohen treguesit

Shkalla e pjesëmarrjes së grave (përqindje mes atyre ekonomikisht aktive dhe moshës për punë) në tregun e punës është përkeqësuar vitet e fundit. Në bazë të të dhënave të INSTAT, niveli zbriti në 52% për femrat, ose 4 pikë përqindje më poshtë se dy vite më parë. Ndërsa për meshkujt ka mbetur i qëndrueshëm, hendeku gjinor për femrat u zgjerua nga 18.2% në 21.5%. Kjo nxjerr në pah qasjen më të vogël të grave në tregun e punës, në raport me atë të burrave. Sipas Raportit Kombëtar të Pozicionit të Grave në Shqipëri, tërheqja e grave nga tregu i punës mund të ketë ardhur nga mungesa e shpresës së tyre për të gjetur punë të përshtatshme për shkak të krizës ekonomike. Në këtë rast shqetësimi është i ulët, pasi shkalla e dobët e pjesëmarrjes në punë do të ishte e përkohshme. Por ekspertët e punësimit i druhen faktit se kjo ka ardhur nga problemi strukturor i brendshëm i tregut të punës, çka e bën shumë më të vështirë riparimin e situatës së punësimit.

Në këtë treg, gjendja është përkeqësuar në të gjitha drejtimet, kur flasim për fuqinë punëtore të veshur në rozë. Sipas të dhënave zyrtare, rritja e lehtë e shkallës së papunësisë kohët e fundit ka ardhur pikërisht nga kjo. Niveli i papunësisë llogaritet në gati 16% mes tyre, nga pak më shumë se 12% që është tek meshkujt. Përkeqësimin më të madh e pësoi gjatë vitit 2009, kur shkalla e papunësisë kaloi nga 13.5% në gati 16%. Situata është përmbysur që pas vitit 2007, kur meshkujt kryesonin në tregun e të papunëve.

Fenomeni nuk mban vetëm emrin shqiptar, pasi po vërehet në të gjitha ekonomitë postkomuniste dhe sipas specialistëve të fushës, vjen për disa arsye. Një ndër to është edhe ristrukturimi i ekonomisë, ku nuk gjejnë vend punëtorët e ndërmarrjeve të mëparshme shtetërore. Në fakt, përjashtuar industrinë e fasonit, e cila ka gjithsesi një tjetër teknikë pune krahasuar me atë të fabrikave të tekstileve e veshjeve para viteve ‘90, shumë aktivitete të tjera janë mbyllur, si ajo e përpunimit-prodhimit të sheqerit, apo përpunimit të duhanit. Mosha më aktive dhe e dobishme për punë, është më pak e shfrytëzuar në shoqërinë femërore shqiptare. Sipas të dhënave të studimit, gratë mes moshës 30-59 vjeç kanë një nivel papunësie shumë më të lartë se të meshkujve.

Krahas punës së paguar, shoqëria aktive për punë angazhohet edhe në atë të papaguar. Megjithatë, sipas vrojtimit të fundit të përdorimit të kohës, INSTAT, nxori në pah se kontributi i përgjithshëm i grave në punë të paguar e të papaguar është dy orë më shumë në ditë se ai i meshkujve.

Artizanati, çfarë ka që nuk shkon

Nuk mungojnë në portat e asnjë panairi që zhvillohet në vend, madje me ndihmën e projekteve të ndryshme (spontane a të qëndrueshme) gratë artizane të Shqipërisë janë prezantuar edhe në tregjet e huaja. Duke parë edhe vlerat kulturore që mbart ky biznes, shpesh është folur me krenari për artizanët shqiptarë. Por a është ky një biznes i mirëfilltë. Pragmatizmi është filozofia e pothuajse të gjitha sipërmarrjeve dhe produktet artizanale (veshje, apo orendi për shtëpinë) nuk mund të blihen me një çmim disa herë më të lartë se vlera e tregut, pavarësisht kujtimit apo mesazhit që mbart. 20 vite përvojë e mbështetja promovuese nga shumë projekte të huaja nuk i ka ndihmuar artizanët shqiptarë të bëjnë hapa konkretë e të pozicionohen mirë në treg.

Çfarë duhet korrigjuar?! Pikërisht ato që janë të metat e sektorit. Sipas ekspertëve në fushën e tregtisë, së pari vetë artizanët duhet të kërkojnë zgjidhje të reja, për të punuar me materiale më pak të kushtueshme dhe për të rritur efektivitetin, në mënyrë që të ulin me sa munden koston e punës. Hapi i dytë, dhe për këtë u duhet mbështetja e shoqatave të biznesit, të lidhin kontrata me hotelet më të mëdha në vend apo rezorte turistike, për të ngritur pikat e tyre të shitjes pranë këtyre ambienteve. Sipas konsulentëve shqiptarë për zyrën e “UN Women”, hapa të tillë do të ishin të dukshëm në ecurinë e kësaj sipërmarrje.

Një mënyrë, indirekte por shumë efektive, do të ishte zhvillimi i turizmit. Do të mjaftonte rritja e numrit të turistëve të huaj që vijnë e qëndrojnë për të paktën një ditë në vendin tonë, për të rritur shitjet e produkteve artizanale.

Sipas ekspertëve në fushën e tregtisë, politikat reale të nxitjes së turizmit mund të japin ndikim më të dukshëm në sektorin e artizanatit, krahasuar me fondin mbështetës që qeveria ka vënë së fundi në dispozicion të artizanëve.