Autoriteti i Aviacionit Civil, Albcontrol, Aeroportet si dhe kompanitë ajrore gjatë veprimtarisë së tyre, përballen me ngjarje të ndryshme të cilat në ato raste kur nuk mund të eliminohen krijojnë mundësi për incidente të renda dhe aksidente ajrore, sipas një material të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Aksidentet ajrore shkaktojnë dëme njerëzore dhe materiale me ndikim të madh në opinionin publik. Një seri tërmetesh goditën Shqipërinë gjatë fundit të muajit Nëntor. Tërmetet nuk kanë asnjë efekt tek aeroplanët gjatë fluturimit, por transporti tokësor dhe infrastruktura është shumë më e ndjeshme ndaj dëmtimeve, gjë që në fund të fundit mund të nënkuptojë vonesa apo anulime të fluturimeve.
Udhëtarët të cilët planifikojnë të vizitojnë zona të goditura nga tërmeti nuk kanë nevojë të shqetësohen, por duhet të mbajnë në mend disa masa të thjeshta sigurie në mënyrë që të mos kapen nga paniku nëse toka fillon të tronditet.
Pavarësisht nëse jeni në një aeroport apo kudo tjetër në udhëtimet tuaja, është e rëndësishme të zbrisni në tokë dhe të paktën të mbuloni kokën dhe qafën për të mbrojtur ato pjesë të cënueshme të trupit tuaj nga rënia e mbetjeve të pjesëve të dëmtuara. Nëse ju ndodh të jeni në një aeroplan në tokë, kur bie një tërmet, mund të merrni të njëjtin pozicion të përkulur të cilin do ta bënit gjatë një uljeje emergjente. Aeroplanët janë një vend mjaft i sigurt për t’u ndodhur gjatë një tërmeti, madje edhe kur janë të parkuar në tokë.
Operatori i avionit/Shoqëria ajrore/Departamenti i shërbimeve në tokë gjatë një emergjence natyrore:
- njofton kontrollin e trafikut ajrorë/menaxherin në detyrë ODM
- dërgon personelin dhe pajisjet kryesore në fasilitete të siguruara të kompanisë
- përgatit evakuimin e fasiliteteve të kompanisë në rast se kjo është e nevojshme
Një nga shqetësimet kur jeni në terminalin e një aeroporti janë pjesët e ndërtesës që mund të shemben, gjë e cila nuk përbën një shqetësim kur jeni në pistën e aeroportit.
Me synimin e harmonizimit të të gjithë burimeve njerëzore dhe materialeve për përballimin e emergjencave natyrore në aviacionin civil, aeroportet kanë një plan emergjence ku i gjithë personeli i aeroportit dhe të gjithë qiramarrësit, marrin masat e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronën gjatë katastrofave natyrore.
Aeroporti ka procedura të caktuara për të rikuperuar operimet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që dhe siguria teknike të garantohet pas një goditjeje. Pasi kanë përfunduar lëkundjet e tërmetit, prioriteti i parë duhet t’i jepet verifikimit të plasaritjeve në pistë, si edhe mbetjeve që mund të paraqesin rrezik për aeroplanët.
Një inspektim i tillë në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditës, gjithsesi pas tërmetit ky veprim përbën një përparësi kryesore, pasi garantohet siguria teknike për fillimin e operimeve të aeroportit. Gjatë një katastrofe të shkaktuar nga natyra si tërmeti, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, merr të gjitha masat sa më shpejt të jetë e mundur pas tronditjeve, që të gjitha departamentet e aeroportit të jenë të përfshira në gjendje emergjence dhe të njoftojnë sipas skemës të miratuar të planit të tyre të emergjencës (për incidentet në aeroport).
Veprimet e para janë:
- të kontrollojë trafikun ajror dhe tokësor nga zona e prekur;
- të vendosë personelin dhe pajisjet në gjendje gatishmërie;
- të sigurojë pajisjet dhe fasilitetet sa më mirë të jetë e mundur;
- të koordinojë operimin e aeroportit, të dërgojë personelin dhe pasagjerët në fasilitetet e siguruara të aeroportit;
- të organizojë që makinat dhe pajisjet të jenë të disponueshme;
- të sigurojë që fasilitetet e nevojshme të aeroportit të jenë të siguruara për të përballuar një fatkeqësi natyrore të mundshme;
- të instalojë ndriçimin e emergjencës kur ajo kërkohet apo në rast ndërprerjeje të energjisë.Në asnjë rrethanë, shtypi apo ndonjë person tjetër i paautorizuar nuk do të lejohet brenda vijës së sigurisë deri në momentin e autorizimit nga drejtuesi i emergjencës në VENDNGJARJE.
Në asnjë moment, punonjësit e Shoqërive dhe Organizatave të vendosura në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe/ose nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, nuk do të lejohen të flasin (apo spekulojnë) në media në rast se nuk janë të autorizuar për këtë.“Si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit gjatë mëngjesit të datës 26 Nëntor, përkatësisht në orën 03:54 minuta, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, u bë evakuimi i menjëhershëm drejt pikave të grumbullimit, si në zonë tokësore po ashtu dhe në zonë ajrore.Menjëherë u kontrollua terminali, pista dhe zonat e manovrimit, i gjithë perimetri dhe stacionet e karburantit. Nga kontrollet e bëra nuk rezultoi të kishte dëme nga tërmeti. Në orën 04:28 minuta, situata u normalizua dhe operimet filluan normalisht.”
/MONITOR.AL