Rreth 22 mijë emigrantë të rinj shqiptarë  janë regjistruar në Itali vetëm në vitin 2021, raportoi Eurostat, në shifrat e fluksit të emigrantëve në Bashkimin Europian për vitin 2021.

Për Shqipërinë raportohen vetëm disa shtete, ku më kryesori është Italia, ndërsa mungojnë Greqia, që është pritësi tjetër i madh i emigrantëve të pas viteve ’90, si dhe Gjermania e Franca, që janë dy destinacionet e viteve të fundit, krahas Mbretërisë së Bashkuar, të dhënat e të cilës që prej fundit të 2019-s, pasi MB u shkëput nga BE nuk raportohen më.

Për Italianë, 2021-shi shënoi numrin më të lartë të emigrantëve të rinj të dekadës së fundit, me përjashtim të 2019-s, kur shifra ishte 22.2 mijë, ndërsa vitet e tjera shifra luhatet në rreth 12-15 mijë.

Nga 2008-a, kur raportohen të dhënat, në Itali janë regjistruar 259 mijë emigrantë në total, por të dhënat e tjera të leje qëndrimit të dhëna nga ky shtet për shtetasit shqiptarë, gjithsej deri në fund të vitit 2021 në Itali ka gati 400 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.  https://www.monitor.al/756-mije-shqiptare-kane-leje-qendrimi-ne-be-ikja-vijon-edhe-55-mije-u-shtuan-ne-2021/

Një tjetër shtet që po tërheq emigrantët vitet e fundit është dhe Kroacia, që ka regjistruar në periudhën 2019-2021 nga mbi 1 mijë emigrantë përkatësisht për çdo vit, ndërsa më parë shifra ishte e papërfillshme. Rumania ka regjistruar gjithashtu 270 emigrantë në 2021, për herë të parë që kur raportohen të dhënat e Eurostat. Bullgaria ka pritur rreth 120 emigrantë në vit në 2019-2021.

Shqiptarët e kanë gjetur rrugën edhe në vendet nordike, me Finlandën, që regjistroi gati 200 emigrantë në 2021, Norvegjinë gati 160. Për Suedinë nuk janë të publikuara shifrat e 2021-t, por në 2019-n shifra arriti në 1,420.

Vitet e fundit janë përshpejtuar sërish ritmet e emigracionit në vend. Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Europian (pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.

Në 2022, Mbretëria e Bashkuar ishte destinacioni kryesor i azilit në Europë për shtetasit shqiptarë. Vetëm në këtë shtet, sipas të dhënave zyrtare paraprake nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u raportuan rreth 14.2 mijë aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë.

Në total, në Bashkimin Europian-27 dhe në Mbretërinë e Bashkuar aplikua për azil në vitin 2022 rreth 27 mijë persona, që është niveli më i lartë nga viti 2016.

/MONITOR.AL