Pasiguria ekonomike, ka rezultuar jo vetëm në pushime nga puna dhe ngrirje të punësimeve, por intervistat për punë po bëhen më të gjata.

“Punësimi dhe trajnimi janë procese të kushtueshme dhe kompanitë duan të sigurohen, që po marrin kandidatin e duhur, që në fillim,” tha Richard Lambert, ekspert për rezyme dhe vendin e punës.

Ndërsa dikur priteshin tre deri në pesë raunde intervistash, për pozicionet jo-menaxheriale, norma e re është shumë më kërkuese.

“Kam pasur klientë, që kanë pasur përvoja shumë të keqija të intervistave për punë,” tha Lambert.

Ndërsa intervistat e gjata po bëhen më të zakonshme, punëkërkuesit duhet t’i përshtaten këtij procesi.

“Jini të përgatitur për më të keqen. Nëse filloni të kontaktoheni për intervista, ju rekomandoj të supozoni, se do të angazhoheni në një proces të gjatë dhe shumë konkurrues. ” shtoi Lambert.

Këtu janë katër këshilla për proceset e gjata të intervistave:

 

1. Informohuni për kompaninë dhe rolin

Kur përballeni me një proces të zgjatur interviste, merrni kohë për të vlerësuar mundësinë, bazuar në qëllimet tuaja personale dhe profesionale, tha Steven Leitch, trajner karriere. Kjo do të përcaktojë nëse ia vlen të investoni më shumë energji në proces.

“Shikoni reputacionin, kulturën dhe perspektivat e rritjes së organizatës. Kjo do t’ju ndihmojë të përcaktoni, nëse kompania përputhet me vlerat tuaja.”

Ju gjithashtu duhet të vlerësoni rolin dhe potencialin e tij për rritje, shtoi ai.

“Kini parasysh potencialin e pozicionit të punës për të mësuar, zhvillimin e karrierës dhe përparimin. Vlerësoni nëse mundësia përputhet me qëllimet tuaja afatgjata dhe nëse investimi i kohës dhe përpjekjes, do të jetë i vlefshëm.”

 

2. Kini pritshmëri të qarta

Intervistat e gjata të punës, mund të jenë zhgënjyese, por kjo mund të menaxhohet.

“Komunikimi i hapur me menaxherin e punësimit, ose përfaqësuesin e burimeve njerëzore, do t’ju japë një kuptim më të mirë, se çfarë të prisni,” tha Leitch.

“Kërkoni qartësi për numrin e raundeve të intervistave, testeve dhe afatit kohor të vlerësuar nga fazat e hershme të procesit.” Kjo do t’ju ndihmojë të jeni në gjendjen e duhur mendore.

Ayomi Samaraweera, ish-konsulente menaxhimi dhe tani krijuese në TikTok, që ofron këshilla për karrierën, ka kaluar nëntë raunde intervistash për një punë.

Ajo tha: “Ju nuk do të donit të gjendeshit në një pozicion, ku keni bërë shtatë intervista, më pas ju ofrojnë rolin dhe kompensimi nuk përputhet me pritshmëritë tuaja dhe hendeku është shumë i madh për t’u mbyllur.”

 

3. Peshoni mundësitë e tjera

Ndërsa kaloni një proces të gjatë interviste, është thelbësore të vazhdoni të kërkoni edhe mundësi të tjera.

Edhe nëse jeni shumë larg procesit të intervistës për një rol, duhet të kërkoni gjithmonë role të tjera. Kjo mund t’ju japë gjithashtu mundësi negocimi, nëse do t’ju ofrohet puna.

 

4. Jini të qëndrueshëm

Nëse jeni duke kaluar nëpër raunde të shumta intervistash, me individë të ndryshëm në një kompani, është e rëndësishme të jeni konstantë, kur u përgjigjeni pyetjeve të ngjashme.

“Por, kandidatët duhet gjithashtu t’i përshtatin përgjigjet e tyre, ndaj kontekstit specifik dhe individëve të përfshirë,” tha Leitch.

Lambert shtoi: “Dikush, që kryen një intervistë, mund të mos ketë qenë në dijeni të shënimeve të intervistës së mëparshme, ose mund të ketë qenë plotësisht i vetëdijshëm për intervistën e mëparshme dhe dëshiron të shohë, se sa konstant jeni në përgjigjet tuaja.”

 

Ja se si mund t’i qaseni secilit raund në mënyrë efektive, sipas Leitch:

• Rishikoni ndërveprimet e mëparshme;
• Përshtatja e përgjigjeve për audiencën;
• Tregoni rritje dhe njohuri të reja;
• Përdorni teknika treguese.

 

“Në fund të fundit, besojini intuitës suaj. Nëse mendoni, se kompania është vërtet e interesuar, dhe roli përputhet me aspiratat tuaja, mund t’ia vlejë të kaloni procesin e zgjatur të intervistës, “shtoi ai.

“Sidoqoftë, mund të jetë më mirë të rivlerësoni mundësinë, nëse ndjeni se ka diçka që nuk shkon, si mungesa e transparencës ose mungesa e respektit ndaj kandidatëve.” / Monitor