Popullsia e Shqipërisë ka ardhur duke u zvogëluar që nga viti 2001, por në disa qarqe tkurrja së po rrit varësinë ndaj popullsisë së vjetër në moshë.

Sipas të dhënave të INSTAT të azhurnuara në vjetarin statistikor popullsia nën 15 vjeç po shkon drejt barazimit me popullsinë mbi 65 vjeç . Më 1 janar të vitit 2020, në Shqipëri ishin 478.850 të rinj të moshës nën 15 vjeç dhe 420.036 të moshuar të moshës 65 vjeç ose më shumë.

Qarqet me raportin më të lartë të varësisë së të rinjve janë ato të Kukësit dhe Dibrës, përkatësisht me 32,6 dhe 31,0 persona më të rinj se 15 vjet për çdo 100 persona nga 15 deri në 64 vjeç.

Ndërsa qarqet me raportin më të ulët të varësisë së të rinjve janë ato të Gjirokastrës dhe Vlorës, përkatësisht me 21,9 dhe 21,4 persona më të rinj se 15 vjet për çdo 100 persona nga 15 deri 64 vjeç.

Nga ana tjetër, qarqet me raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve janë ato të Lezhës dhe Gjirokastrës, të dyja me rreth 23,8 persona më të vjetër se 65 vjeç për 100 persona nga 15 deri 64 vjeç. Qarqet me raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve janë ato të Korçës dhe Tiranës, të dyja me rreth 20,6 persona më të vjetër se 65 vjeç për 100 persona nga 15 në 64 vjeç.

Mosha mesatare e popullsisë ( që përfaqëson moshën që ndan një popullsi në dy grupe numerikisht të barabarta, që do të thotë gjysma e njerëzve janë më të rinj se mosha mediane, dhe gjysma tjetër janë më të moshuar) po vjen në rritje.

Më 1 janar të vitit 2020, mosha mediane për Shqipërinë ishte 37,2 vjet. Sipas këtij treguesi, qarku i Tiranës kishte popullsinë më të re në Shqipëri, me një moshë mediane prej 35,5 vjet, ndërsa qarku i Gjirokastrës kishte popullsinë më të vjetër në vend, me një moshë mediane prej 41,8 vjet.

Rastësisht, këta dy qarqe kanë respektivisht edhe popullsitë më të mëdha dhe më të vogla në Shqipëri. Mosha mediane e popullsisë për burra arriti vlerën më të ulët në qarkun e Dibrës me 34,6 vjet, ndërsa qarku i Gjirokastrës kishte moshën mediane më të vjetër për burra, me 40,7 vjet.

Mosha mediane e popullsisë për gratë arriti vlerën më të ulët në qarkun e Tiranës me 36,0 vjet, ndërsa qarku i Gjirokastrës kishte moshën mediane më të vjetër për gratë, me 42,5 vjet.

jatë vitit të kaluar, popullsia e Shqipërisë u pakësua me mbi 12 mijë përsona. Në vitin 2019, qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri ishte ai i Tiranës, me 900.661 banorë, i ndjekur nga qarku i Fierit me 292.317 banorë.

Në të njëjtën kohë, dy qarqet me popullsinë më të ulët në vitin 2019, ishin ato të Kukësit dhe Gjirokastrës, respektivisht me 76.011 dhe 60.395 banorë.

Gjatë vitit 2019, vetëm popullsitë e qarqeve të Tiranës dhe Durrësit janë rritur, ndërsa të gjitha qarqet e tjera kishin një normë negative të rritjes së popullsisë.

Qarku i Tiranës ka pasur nivelin më të lartë të rritjes së popullsisë gjatë vitit 2019, pasi u rrit me 1,25 % krahasuar me vitin 2018. Nga ana tjetër, qarku me normën më të ulët të rritjes së popullsisë ishte ai i Gjirokastrës, me –2,89 %, gjatë vitit 2019.

Monitor.al