Airbnb, thotë se do të fillojë të ndalojë përdorimin e kamerave të sigurisë brenda të gjitha pronave me qira, të regjistruara në platformë.

Ndryshimet në politikën e kompanisë, do të hyjnë në fuqi në fund të muajit të ardhshëm.

Platforma dhënies së banesave me qira, thotë se masa synon të thjeshtojë rregullat për kamerat e sigurisë dhe t’i japë përparësi privatësisë së përdoruesve.

Përdoruesit e Airbnb, kanë shprehur më parë shqetësime për përdorimin e kamerave të vëzhgimit në ambjentet e brendshme.

“Këto ndryshime janë bërë në konsultim me përdoruesit tanë, mikpritësit dhe ekspertët e privatësisë dhe ne do të vazhdojmë të kërkojmë komente dhe vlerësime, për të ndihmuar që politikat tona të funksionojnë më së miri, për komunitetin tonë global,” tha në një deklaratë Juniper Downs, Drejtuesja i Politikave dhe Partneriteteve të Komunitetit të Airbnb.

“Meqenëse shumica e pronave të listuara në Airbnb, nuk raportojnë se kanë një kamerë sigurie, ky përditësim pritet të ndikojë në një nëngrup më të vogël listimesh në platformë”, shtoi ajo.

Rregullat aktuale të Airbnb, lejojnë përdorimin e kamerave të sigurisë në ambientet e përbashkëta, si dhomat e ndenjes dhe korridoret, për sa kohë që vendndodhja e pajisjeve është e shprehur qartë në të dhënat e pronës.

Politika e përditësuar, ndalon gjithashtu përdorimin e kamerave të jashtme, që janë të drejtuara brenda pronave. Airbnb, nuk lejon, që kamerat e vëzhgimit të vendosen në zona private, si dhomat e gjumit dhe banjat.

Rregullat e reja, do të lejojnë ende përdorimin e kamerave të ziles së derës dhe monitorëve të zhurmës, në zonat e përbashkëta. Këto pajisje gjithashtu, duhet të përmenden në faqen e përshkrimit të pronës.

Airbnb tha se kërkon të balancojë nevojën, që strehuesit të jenë në gjendje të monitorojnë sigurinë e pronës së tyre dhe të jenë të vetëdijshëm, për çështje të tilla, duke i dhënë përparësi privatësisë së përdoruesve.

Njoftimi vjen pak më shumë se një javë, pasi emisioni komik amerikan Saturday Night Live, transmetoi një video humori rreth Airbnb, e cila tregonte kamera të fshehura në tualet. Video është parë më shumë se 1.2 milionë herë në YouTube. / BBC