Harrison Ford, në moshën 80-vjeçare, luan në filmin “Indiana Jones and the Dial of Destiny”, i cili sapo ka dalë në kinema. Ai ndoshta nuk ka nevojë për para, filmat e tij kanë fituar mbi nëntë miliardë dollarë gjithsej.

Sipas Byrosë së Statistikave të Punës, më shumë njerëz po punojnë nga groupmoshat 70-80 vjeç. Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, përqindja e njerëzve, që punojnë ose kërkojnë në mënyrë aktive punë, për burrat 75 vjeç ose më të vjetër, ishte vetëm 7.1% në vitin 1987.

Vitin e kaluar ishte rritur në 11.2%. Kjo është ende një pakicë e vogël, por megjithatë një ndryshim domethënës.

Gratë e moshuara gjithashtu rritën shkallën e pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore, megjithëse ato kanë ende më pak gjasa të punojnë.

Gjithsesi, ka rreth një milion punonjës më shumë, vetëm nga njerëzit e grupmoshës mbi 75 vjeç, që janë më të gatshëm për të punuar.

Çështja është e rëndësishme, për shkak të tregut të ngushtë të punës. Punësimi është bërë pak më i lehtë në vitin 2023, me më shumë njerëz të gatshëm për të punuar, por e gjithë kjo dekadë është e vështirë.

Në SHBA, dekada aktuale ka rritjen më të ulët të popullsisë në moshë pune, që nga Lufta Civile.

Epoka kur punësimi ishte i lehtë, për shkak të ofertës së bollshme të aplikantëve për punë, ka kaluar. Tani punësimi dhe mbajtja e punonjësve, janë bërë aftësi kyçe për drejtuesit e biznesit.

 

Pse punojnë të moshuarit?

Disa punonjës të moshuar kanë nevojë për një punë, duke pasur parasysh shpenzimet e jetesës në lidhje me sigurimet shoqërore dhe të ardhurat e tjera.

Por, disa prej tyre punojnë për kënaqësinë e daljes nga shtëpia dhe të bërit e diçkaje të dobishme.

Andree Carlson, 82 vjeç, bukëpjekëse, tha për Wall Street Journal se nuk i duhen paratë. Motivimi për të dhe për të moshuarit e tjerë, është i thjeshtë: “Na pëlqen të kemi diku për të shkuar, diçka që duhet bërë dhe të gjithëve u pëlqen të ndihen të dobishëm”.

Drejtuesit e biznesit sot, duhet të studiojnë këtë fjali të thjeshtë. “Na pëlqen të kemi diku për të shkuar…”

Njerëzit e të gjitha moshave, vlerësojnë ndërveprimin shoqëror, që kanë me bashkëpunëtorët dhe klientët.

Puna në distancë, nuk i largon njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe shpesh, nuk i vë ata në kontakt me të tjerët. Mbajeni këtë parasysh, kur mendoni për mjedisin e punës.

“Ne na pëlqen të kemi diçka për të bërë” Të rinjtë e quajnë këtë “qëllim”.

Një mundësi e shkëlqyer për punëdhënësit, është të identifikojnë se si puna i ndihmon njerëzit e tjerë. Çdo punë ekziston për një qëllim.

Kompania mund të jetë e gatshme të fitojë para, por ato para bëhen duke përmbushur një nevojë ose dëshirë njerëzore, drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Pavarësisht nëse prodhon produkte fizike ose ofron shërbime, dikush përfiton nga produkti.

“Të gjithëve u pëlqen të ndihen të nevojshëm.” Çdo menaxher i çdo biznesi, organizate jofitimprurëse dhe agjencie qeveritare, duhet ta kujtojë këtë fjali çdo mëngjes.

Shprehja e vlerësimit për punën, e bërë nga punonjësit, do t’i mbajë njerëzit në punë më gjatë dhe me angazhim më të madh.

Punëtorët e moshuar mund të ndihmojnë kompanitë të lulëzojnë në tregun e ngushtë të punës. Dhe shumë prej tyre, mund të bëjnë një punë të shkëlqyer.

Shihni punën e Harrison Ford në moshën 80-vjeçare në kinema, dhe do ta kuptoni. / Monitor