Cilat janë efektet afatgjata të heqjes dorë nga rrjetet sociale? Pothuajse askush nuk mund të shkëputet për një kohë mjaftueshëm të gjatë për ta zbuluar

Të qenit në rrjetet sociale është bërë sinonim i të jetuarit në shekullin e 21-të. Vit pas viti, ne shohim platforma të reja dhe algoritme më inteligjente, që na përfshijne në botë shumë të varura në internet.

Tani, një numër në rritje njerëzish, e kanë vënë re këtë prirje dhe po bëjnë përpjekje aktive për t’i rezistuar.

Por a ka prova që të heqësh dorë nga përdorimi i rrjeteve sociale është e mirë në planin afatgjatë?

Edhe pse ka shumë platforma të mediave sociale për të përmendur, shumica e njerëzve priren të mendojnë për pesë platformat më të mëdha: Facebook, Twitter, Instagram, YouTube dhe TikTok.

Studimet kanë zbuluar se njerëzit kanë arsye të ndryshme për të lënë një ose më shumë prej këtyre aplikacioneve. Shumë largohen për shkak të shqetësimeve rreth ndikimeve negative në shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

Për shembull, studimet kanë treguar se vajzat adoleshente në veçanti, mund të përjetojnë imazh negativ të trupit të tyre, si rezultat i fotove të rregulluara me filtra të ndryshëm në Instagram.

Rezultatet e kërkimit

Është e vështirë të përcaktohet nëse ka përfitime të qarta dhe të qëndrueshme, nga mospërdorimi i medive sociale.

Një studim i vitit 2020 zbuloi se njerëzit, që kishin lënë rrjetet sociale, panë përmirësime në marrëdhëniet e tyre të ngushta dhe ishin të kënaqur, që nuk mund të krahasoheshin me të tjerët. Por, disa thanë gjithashtu se u mungonin aspektet informuese dhe argëtuese të tyre.

Në një studim të vitit 2018, studiuesit vlerësuan gjendjen psikologjike të 143 studentëve amerikanë, përpara se t’i caktonin rastësisht një grupi, një kufi ditor përdorimi 10-minutësh për Facebook, Instagram dhe Snapchat, për secilën platformë.

Tre javë më vonë, ata që kufizuan përdorimin e mediave sociale, treguan nivele dukshëm më të ulëta të vetmisë dhe depresionit.

Megjithatë, nuk kishte asnjë efekt të rëndësishëm në ankth, vetëvlerësim ose mirëqenie.

Dhe në një studim të vitit 2019 me 78 pjesëmarrës, gjysmës iu kërkua të bënin një pushim njëjavor nga Facebook dhe Instagram.

Për habinë e studiuesve, përdoruesit në këtë grup të cilët ishin përgjithësisht aktivë në mediat sociale, përjetuan efekte psikologjike më pak pozitive sesa ata në grupin tjetër.

Me gjetjet e këtyrë studimeve, mund të thuhet se marrëdhënia jonë me mediat sociale – dhe se si ajo ndikon tek ne – është shumë komplekse.

Ta përdorësh apo të mos e përdorësh?

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se lënia (për një periudhë të shkurtër ose të gjatë) nuk do të ishte e dobishme për disa njerëz. Ka të ngjarë, që çdo përfitim i mundshëm, do të varet nga individi që e nuk i përdor mediat sociale si dhe arsyet pse po e bën atë.

Nëse ende po pyesni nëse heqja dorë nga rrjetet sociale mund të jetë e mirë për ju, mënyra më e thjeshtë për ta zbuluar, është ta provoni.

Bëni një pushim nga një ose më shumë lloje të mediave sociale. Pas ca kohësh pyesni veten, nëse përfitimet ju duken të vlefshme. Nëse përgjigja është “po”, bëjeni pushimin të përhershëm. / Channel News Asia