Mania e ChatGPT mund të jetë duke u ftohur, por një industri e re serioze po merr formë. Tri forca do të formësojnë biznesin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese…

Vala e parë e entuziazmit për Inteligjencën Artificiale gjeneruese ishte e jashtëzakonshme. Brenda dy muajve nga prezantimi në nëntor 2022, ChatGPT arriti në total 100 milionë përdorues.

Kërkimet në internet për “Inteligjencën Artificiale” u rritën jashtë mase; më shumë se 40 miliardë dollarë në kapital sipërmarrës u investuan në kompanitë e Inteligjencës Artificiale, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, shkruan The Economist.

Që atëherë, mania e konsumatorëve duket se është ftohur disi: përdorimi i ChatGPT ka rënë dhe më pak njerëz po kërkojnë fjalët “Inteligjencë Artificiale” në Google.

Son Masayoshi, investitor japonez i njohur për investimin në tregje të vrullshme, ka thënë se është i interesuar të investojë në kompaninë Openai, krijuesin e ChatGPT. Por po nis një fazë e dytë, më serioze.

Po merr formë një industri krejt e re, e përqendruar në modelet e Inteligjencës Artificiale shumë më të afta. Tre faktorë do të përcaktojnë të ardhmen e kësaj industrie dhe do të vendosin nëse OpenAI do të mbetet firma mbizotëruese, apo nëse asaj do t’ia zënë vendin lojtarë të tjerë.

Faktori i parë është fuqia kompjuterike, kostoja e së cilës po i detyron ndërtuesit e modeleve të Inteligjencës Artificiale, të bëhen më efikasë.

Për shembull, për shkak të kostove të larta të trajnimit dhe vënien në punë të modeleve më të fuqishme, OpenAI nuk po merret me trajnimin e modelit të ardhshëm të madh, GPT-5, por në vend të tij, po punon për krijimin e GPT-4.5, një version më efikas i produktit të tanishëm.

Ky mund të jetë një shans për rivalët e mëdhenj si Google, që të kapin ritmin e OpenAI-t. Gemini, modeli më i fundit i paraqitur nga Google që do të dalë së shpejti në treg, mendohet se është edhe më i fuqishëm se versioni i tanishëm i OpenAI-t.

Kostot e larta kompjuterike kanë nxitur edhe përhapjen e modeleve shumë më të vogla, të cilat janë trajnuar në të dhëna të posaçme, për të bërë gjëra të posaçme. Për shembull, Replit, një firmë startup, ka trajnuar një model mbi kodin kompjuterik, për të ndihmuar zhvilluesit e softuerëve që të shkruajnë programe.

Modelet me burim të hapur po e bëjnë më të lehtë që njerëzit dhe kompanitë të zhyten në botën e Inteligjencës Artificiale gjeneruese. Sipas një studimi nga kompania e Inteligjencës Artificiale Hugging Face, ka afërsisht 1500 versione të modeleve të tilla.

Të gjitha këto modele tani po përpiqen të gllabërojnë sa më shumë të dhëna. Kjo është forca e dytë që i jep formë industrisë gjeneruese të Inteligjencës Artificiale. Modelet e kompanive më të mëdha, si OpenAI dhe Google, janë trajnuar me më shumë se 1 trilion fjalë, e barasvlefshme me mbi 250 Wikipedia në gjuhën angleze.

Ndërsa rriten, do të bëhen edhe më të uritur. Por interneti po shterohet. Prandaj, shumë prodhues modelesh po nënshkruajnë marrëveshje me agjencitë e lajmeve dhe fotografisë.

Të tjerë po garojnë për të krijuar të dhëna trajnimi “sintetike” duke përdorur algoritme; disa po përpiqen të punojnë me forma të reja të dhënash, si videot. Synimi është të munden rivalët.

Dëshira për të dhëna dhe fuqi e bën një element të tretë edhe më të rëndësishëm: kjo është paraja. Shumë prodhues modelesh tashmë po largohen nga robotët e stilit ChatGPT që janë të disponueshëm për publikun e gjerë dhe në vend të tyre, po kërkojnë modele të personalizuara.

OpenAi, e cila u krijua në vitin 2015 si një sipërmarrje jofitimprurëse, ka qenë veçanërisht energjike në këtë drejtim.

Ajo jo vetëm që i ka licencuar modelet e saj tek Microsoft, por po krijon edhe mjete të personalizuara për kompanitë, duke përfshirë Bankën Morgan Stanley dhe kompaninë Salesforce. Abu Dhabi planifikon të krijojë një kompani për të reklamuar Falcon, modelin e tij të Inteligjencës Artificiale me burim të hapur.

Një qasje tjetër është që të tërhiqen zhvilluesit e softuerit, me shpresën për t’i bërë ata të varur nga Inteligjenca Artificiale dhe për të krijuar efektet e rrjetit që janë kaq të çmuara në teknologji.

OpenAI po ofron mjete për t’i ndihmuar zhvilluesit të ndërtojnë produkte, duke përdorur modelet e Inteligjencës Artificiale të firmës; nga ana tjetër, Meta shpreson që LLAMA, modeli i saj me burim të hapur, do të ndihmojë në krijimin e një komuniteti besnik programuesish.

Kush do të dalë fitimtar? Kompanitë si OpenAi, me numrin e madh të përdoruesve, dhe Google, me sasi të mëdha parash, tashmë kanë një përparësi. Por për sa kohë që fuqia kompjuterike dhe të dhënat mbeten faktorë kufizues, shpërblimet për gjetjen e mënyrave të zgjuara për anashkalimin e tyre, do të jenë të mëdha.

Një ndërtues modelesh me qasjen më efikase, metodën më të zgjuar për të sintetizuar të dhënat ose tërheqjen më të madhe për klientët, mund të fitojë epërsi. Vrulli mund të jetë zbehur. Por drama sapo ka filluar./MONITOR.AL

[/fusion_text][/fusion_builder_column][/fusion_builder_row][/fusion_builder_container]