Lartë në malet midis Spanjës dhe Francës, një stacion treni i lënë pas dore prej kohësh, është kthyer në një hotel.

Estación Canfranc, lart në malet Pirenej në Spanjë, është një nga stacionet e trenit më interesantë dhe të bukur në Europë.

Nga jashtë, ndërtesa e Beaux-Arts (arteve te bukura) 790 metra e gjatë, duket sikur ka ardhur nga një bulevard parizien.

Kur u përfundua në 1925, Canfranc ishte stacioni i dytë hekurudhor më i madh në Europë, pas atij në Leipzig, Gjermani.

Brenda, struktura kishte përmasa të ngjashme me të një katedraleje, sikur të ishte ngritur jo thjesht për të lehtësuar udhëtimin me tren, por për ta adhuruar atë.

Dritaret e mëdha të harkuara, lejojnë hyrjen e dritës. Sporteli i biletave, pothuajse duket si altar. Ndërtesa u mbyll në vitin 1970 dhe që atëherë, ishte bosh.

Tashmë stacioni është shndërruar në një nga hotelet e reja më përrallore të Europës.

Shkalla dhe madhështia e tij janë të papajtueshme, duke pasur parasysh se Canfranc është një fshat i largët malor, pranë kufirit të Spanjës dhe Francës.

Qyteti, i cili ndodhet në një luginë të ngushtë, të rrethuar nga shpate të pjerrëta, të pyllëzuara, ka një popullsi prej vetëm 600 banorësh.

Megjithatë, marka e luksit nostalgjik të hotelit, është vetëm një nga arsyet për të shkuar atje; arsyeja tjetër është historia e tij.

Fshati Canfranc, mund të jetë i vogël dhe i largët, por vendndodhja kufitare, i ka dhënë atij një rëndësi të madhe strategjike ndër shekuj.

Provat janë kudo. Një kështjellë e shekullit të 16-të, që spanjollët e rindërtuan pas pushtimit të Napoleonit në 1808, për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme, ngrihet krenare.

Në anën tjetër, mund të shihen bunkerë betoni, të ngritur për të njëjtën arsye nga regjimi i Frankos në vitin 1944.

Përveçse ishte një ndalesë e mirë, në rrugën midis Parisit dhe Madridit, stacioni ka luajtur një rol të rëndësishëm, në historinë e intrigave dhe spiunazhit. / Travel + Leisure