Një raport pohoi se punët për profesionistët e lirë, u analizuan së pari, sepse ai treg ka të ngjarë të shohë ndikimin e menjëhershëm të inteligjencës artificiale (IA).

Zëvendësimi i vendeve të punës me IA, nuk është thjesht një ide teorike, sugjeron një studim i ri, por diçka që është duke ndodhur.

Henley Wing Chiu, studiuese me bazë në Queens, Nju Jork, në uebsajtin që studion tendencat e punës dhe punësimit, Bloomberry, analizoi pesë milionë të dhëna, për të parë se cilat punë ka më shumë gjasa të zëvendësojë IA dhe cilat vende pune tashmë po zëvendësohen.

Chiu, i cili është gjithashtu bashkëthemelues i platformës së marketingut BuzzSumo, mori 12 kategoritë më të njohura të punëve të profesionistëve të lirë në Upwork, një qendër e pavarur, dhe gjurmoi se si ndryshuan postimet, krahasuar me kohën përpara përdorimit të ChatGPT.

Ai zbuloi, se shumica e kategorive të punës, treguan rritje në numrin e postimeve, me tre përjashtime të dukshme: shkrimi, përkthimi dhe shërbimi ndaj klientit.

Punët e shkrimit ranë me 33%, punët e përkthimit ranë me 19%, dhe punët e shërbimit ndaj klientit ranë me 16%, të gjitha nga 1 nëntori 2022 deri më 14 shkurt 2024.

“Padyshim, prisja që punët e shkrimit të uleshin, pasi ky është ndoshta rasti më i përhapur i përdorimit të ChatGPT, dhe kjo u reflektua në uljen prej 33% në punët e shkrimit”, shkroi Chiu.

Ai shtjelloi, se rënia e vendeve të punës në shërbimin ndaj klientit, nuk ishte befasuese, për shkak të rritjes së chatbot-eve të shërbimit ndaj klientit të IA.

Pothuajse të gjitha kategoritë e tjera, patën rritje të postimeve të vendeve të lira të punës, me punët e redaktimit/prodhimit të videove 39% më të larta. Dizajni grafik, dizajni i faqeve të internetit, kontabiliteti dhe shitjet gjithashtu u rritën.

Chiu deklaroi në raport, se ai vendosi të analizonte punët për profesionistët e lirë, në vend të punëve me kohë të plotë, ose me kohë të pjesshme, sepse tregu i punës për ta, kishte më shumë gjasa të ndikohej më parë nga IA.

Ai dha disa shpjegime të të dhënave: Mjetet gjeneruese të IA, mund të jenë mjaft të mira tani, për të zëvendësuar punët e shkrimit, por jo ende në nivel për rezultate cilësore në punë si gjenerimi i imazheve ose videove. Sidoqoftë, kjo mund të ndryshojë, pasi OpenAI njoftoi kohët e fundit gjeneratorin Sora, nga tekst-në-video IA.

Një shpjegim tjetër, mund të jetë se përdoruesit nuk e kuptojnë ende, se si të përdorin plotësisht mjetet e IA.

Një sondazh i Upwork, i vitit 2023, tregoi se profesionistët e lirë përbëjnë 38% të fuqisë punëtore në SHBA dhe se ata kanë 2.2 herë më shumë gjasa, të përdorin rregullisht IA gjeneruese, sesa profesionistët e tjerë për detyra si kërkimi dhe kodimi. / Entrepreneur