Janari i nxehtë që tronditi Shqipërinë

2018-03-02T15:51:04+00:0026 Shkurt, 2011 17:44|Kategoritë: Lajme, Politikë|

Si u kulmua përplasja politike me përleshje përballë Kryeministrisë?

Kronologjia e ngjarjeve që po shënojnë krizën politike

Përplasja politike në Shqipëri ka arritur kulmin me hyrjen e vitit të ri, duke shënuar një ngjarje që prej shumë vitesh nuk ndodhte si nga veprimi ashtu nga pasojat tragjike që solli 21 janari, ku tre qytetarë gjetën vdekjen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kur ndodheshin në një protestë të organizuar nga opozita, e cila në fakt ishte një përleshje disa orëshe me forcat e policisë dhe gardës republikane. Shqipërua u fut në një cilik dhune e tensioni që solli ndërmjetës perëndimor dhe ndërpreu procesin politik, i cili kishte kohë që ngecte me të famshmin “ngërç politik” që të gjithë bënin apel të zgjidheshin. Por demonstrata e 21 Janarit ishte pasojë e një ngjarje tjetër të fortë politike që solli ndryshimet në kabinetin “Berisha”, por pa ndryshuar fizionominë politike të koalicionit qeverisës. Në ditët e para të muajit janar, në emisionin “Fiks Fare” u publikua një video e filmuar më 1 mars 2010, ku protagonistë të saj ishin Ilir Meta, Zv.Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm dhe Dritan Prifti, Ministër i Ekonomisë. Videoja jepte pamje dhe biseda të Metës me Priftin për punësime njerëzish dhe tendera publik, që të nësërmen u komentuan si pazare me fondet publike. Publikimi nga të gjitha gazetat i kësaj videoje shkaktoi një tërmet politik në Shqipëri. Videoja ishte xhiruar nga ish-ministri Prifti në zyrën e tij pa dijeninë e Metës. Opozita e cilësoi si një dëshmi të korrupsionit galopant në vend, ndërsa mazhoranca deklaroi se ajo është një montazh dhe shantazh i krimit të organizuar të lidhur me lidershipin e opozitës.

Kryeministri Sali Berisha, deklaroi se kishte qenë në dijeni të videos që në kohën e xhirimit të saj por nuk kishte pranuar ta shikonte, duke i kërkuar ta çojë në prokurori. Ndërkaq, Ilir Meta, i cili kishte zëvendësuar Priftin në Ministrinë e Ekonomisë, deklaroi në fillim se ajo ishte një presion dhe “pazaret” që fliteshin në video nuk ishin gjë tjetër vetëm shqetësime për të zbatuar ligjin. Zv.Kryeministri deklaroi në ditët e para se nuk do të jepte dorëheqjen nga qeveria, duke bërë të ditur se këtë do ta bënte vetëm në vitin 2013. Nisi një përplasje e madhe mes palëve që rriti shumë tensionin politik në vend. Kryeministri Sali Berisha, akuzoi Ramën se kishte tentuar ta fuste edhe atë vetë si personazh në video, duke montuar filmimin, ndërkohë që emri i kreut të qeverisë përmendej vetëm për zëvendësimin e kreut të Korporatës Energjetike Shqiptare. Opozita, kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe paralajmëroi protesta të mëdha popullore. Vendim që u mor në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, dhe si datë u la 21 Janari. Publikimi shkaktoi edhe ndërhyrje të forta ndërkombëtare, nga Brukseli zëdhënësja e Komisionerit Stefan Fule, kërkoi hetimin e videos dhe vazhdimin e luftës ndaj korrupsionit në nivelet e larta të qeverisë. Nuk kaluan as katër ditë nga publikimi i videos dhe  ndodhi ndryshimi në kabinetin qeveritar  dhe pas insistimit të Kryeministrit Berisha. Ilir Meta, dha dorëheqjen nga posti i Zv.kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, duke emëruar shefin e diplomacisë, Edmond Haxhinastin në postin e numrit dy të qeverisë dhe Nasip Naçon si Ministër të Ekonomisë, kandidatura që vinin po nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por opozita nuk e pranoi këtë dorëhejqje duke e quajtur vetëm një manovër, pasi sistemi mbetej i njëjtë duke mbajtur LSI dikasterin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës, duke paralajmëruar thirrjen e një demonstrate të madhe popullore më 21 janar…

Protesta

Opozita kishte vendosur prej ditësh zhvillimin e një demonstrate para Kryeministrisë, duke e cilësuar më të madhe dhe më të rëndësishmen që kishte zhvilluar prej kohësh. Vendimi u mor në Asamblenë Parlamentare të Partisë Socialiste. Edhe termi demonstratë nuk u zgjodh kot, por për të treguar se nuk do të jetë një marshim apo tubim i thjeshtë me fjalime.

Vetë organizatorët bënë të ditur se nuk do të ketë fjalime por do të lëmë popullin të zhvillojë protestën e tij. Por situata erdhi shumë e tensionuar në vigjilje të 21 Janarit. Palët lëshonin deklarata të mbarsura me shumë mllef dhe kërcënime të ndërsjellta.

Kreu socialist Edi Rama, deklaroi se nuk mund të ndalej zemërimi popullor, ndërsa qeveria bëri të ditur se nuk do të lejojmë shkeljen e ligjit dhe do të ndëshkohej kushdo që e shkel atë. Kështu erdhi dita 21 Janar. Kaloi mesdite dhe në rrugët e kryeqëzimet e kryeqytetit u shfaqen turmat e para që mblidheshin në pikat kyçe për t’u derdhur më pas në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia kishte marrë masat duke rritur numrin e uniformave që do të ruanin rendin dhe të pajisur me mjetet anti-revoltë. Turma e stërmadhe po mbërrinte përpara selisë së Qeverisë. Liderët e opozitës nuk ndodheshin në krye të demonstratës por në mes të saj. Ky detaj krijoi kushte për një rritje të tensionit. I cili arriti kulmin në fillim të demonstratës, sapo ora kaloi 14.00.

Njerëzit që mbanin në dorë pankarta e çadra, nisën të sulmojnë forcat e rendit. Të shara dhe thirrje të forta kundër qeverisë. Palët nisën të shtyheshin deri kur filluan përleshjet e para. Shkopinjtë e pankartave u kthyen në armë, bashkë me çadrat. Në radhët e policisë që ndodhej në rreshtin e parë filluan të dalin të plagosurit e parë. Një megafon që drejtonte operacionin policor thirri mjetet logjistike.

U hodhën bombat me gaz lotsjellës, të cilët zprapsën turmën por në shesh lanë një numër jo të madh njerëzish që ishin më agresivët. Të cilët nuk donin t’ia dinin për gazin paralizues.

Në këtë kohë erdhi një makinë e madhe që shpërndante ujë me presion. Por as ajo nuk bëri efekt. Turma e vogël e mbetur në shesh nisën të gjuanin me pllaka të marrë nga bulevardi në drejtim të makinës së blinduar. Në xhama të trashë të së cilës fluturonin gurë papushim. Por në këtë kohë përveç pjesës para Kryeministrisë, një akt tjetër i kësaj drame, po zhvillohej dhe në pjesën anësore, pra aty ku ndodhet Piramida.

Pllakat e së cilës ishin municion për protestuesit të cilët po qëllonin fort brenda mureve të Kryeministrisë ku ndodheshin trupat e Gardës së Republikës. Të cilët të pajisur me mburoja merrnin gurët dhe i hidhnin mbrapsht te protestuesit. Por te Piramida njerëzit-protestues i vunë zjarrin një makine policie dhe disa automjeteve private që ndodheshin aty të parkuar.

Tirana u mbështoll nga një tym i zi. Të gjithë mediat ndërkombëtare nisën të shpërndanin e lajmin e përplasjes së demonstruesve me policinë.

Kjo situatë vazhdoi edhe dy orë, deri në 16.00 kur u shkrua dhe akti i dytë tragjik i kësaj demonstrate. Ndërkohë që njerëzit përballë Kryeministrisë ishin afruar portës së hekurt, e cila u hap papritur, trupat e tre njërëzve u rrëzuan në një periudhë të vogël kohe, të cilët u dërguan urgjent në spital.

Në vendngjarje dëgjoheshin edhe krisma armësh. Nuk kaloi shumë dhe nga spitali ushtarak u hap lajmi për vdekjen e tre personave që ishin: Ziver Veizi, nga Gjirokastra, Hekuran Deda, banues në periferi të Tiranës, me origjinë nga Dibra dhe Faik Myrto nga Fieri. Kjo demonstratë u mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme.

Reagimet

Kreu i shtetit shqiptar ishte i patri që me anë të një deklarate publike bëri thirrje për qetësi dhe përplasja të zevendësohej urgjent nga dialogu. Por reagimet politike që u bënë më pas ishin “të mbushura me tritol”. Si Kryeministri Berisha ashtu dhe kreu i opozitës Rama akuzuan njëri tjetrin duke ndarë përfundimisht opinionin në dy pjesë. Kreu i qeverisë shqiptare akuzoi Ramën si autor të një grushti shteti të dështuar dhe rrethimi për pesë orë të Kryeministrisë. Rama nga ana tjetër akuzoi forcat e gardës për vrasjen e tre personave dhe kërkoi largimin e qeverisë. Protesta e parë u mbyll, por më vonë u shfaq një përplasje e re edhe më e ashpër. Kreu i opozitës, gjatë ceremonisë së varrimit të tre personave deklaroi se e premtja e radhës do të ishte koha e protestës tjetër të opozitës. Nga ana tjetër Kryeministri, Sali Berisha, deklaroi se do të zhvillonte një tubim alternativ i cilësuar “për paqen”.

Hetimet

Menjëherë nisën hetimet për ngjarjet e 21 Janarit dhe prokuroria e Përgjithshme  e nisi me vrasjen e tre personave duke nxjerrë një urdhër ndalimi për 6 krerët e Gardës së Republikës. Urdhër që u cilësua i njëanshëm nga krerët e qeverisë që refuzuan ta zbatonin. Këtu nisi dhe një përplasje e Kryeministrit Berisha me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, të cilën e cilësoi si pjesë e puçit të shtetit, pasi nuk po hetonte njerëzit që organizuan sulmin ndaj kryeministrisë. Parlamenti i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme ngriti një komision hetimor, i cili do të investigonte mbi ata që mazhoranca e cilësoi një “grusht shteti”. Prokuroria nisi edhe ndjekjen e personave që morën pjesë në sulmin ndaj Kryeministrisë, pjesa më e madhe e të cilëve u liruan nga salla. Ndërkaq opozita akuzoi mazhorancën se po kryente një grusht shteti duke mos ekzekutuar urdhrat e prokurorisë, si dhe policinë për dhunë ndaj pjesëmarrësve në protestë.

Ndërkombëtarët

Menjëherë pas ngjarjes ka nisur edhe reagimi i fortë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe OSBE-së, të cilët kërkuan ndëprerjen e dhunës. Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexandër Arvizu, doli në mbështetje të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që i kërkoi si Berishës dhe Ramës anulimin e mitingjeve. Kreu i qeverisë ishte i pari që pranoi kërkesën e ndërkombëtarëve, ndërkohë që këtë s’e ka bërë lideri i opozitës, Edi Rama. Kjo ka pezmatuar amerikanët që shprehën “keqardhje publike” për këtë veprim.

Ndërkaq, Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Catherine Ashton solli me shpejtësi në Tiranë, krahun e saj të djathtë, Miroslav Lajçak, si ndërmjetësues për krizën. Bashkimi Europian i dha politikës shqiptare një ultimatum të qartë për sa i përket qëndrimit që mazhoranca dhe opozita duhet të kenë pas ngjarjeve të 21 Janarit.

Ky mesazh, i cili kishte si fjalët kyç ndaljen e dhunës dhe hetim për vrasjet, ju përcoll drejtuesve më të lartë të vendit, siç ishte Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama nga i dërguari i BE-së për këtë çështje, Miroslav Lajçak. Pas takimeve intensive Lajçak theksoi në mënyrë të qartë se BE-ja kishte disa kërkesa të cilat ishin një detyrim për politikën shqiptare, në rast se ata kërkonin që vendi të ecte në rrugën e tij drejt Bashkimit Europian. “E bëra të qartë që e ardhmja europiane e Shqipërisë varet nëse bëjnë atë që u kërkojmë ne dhe e bëjnë tani”, – theksoi ai. Lajçak deklaroi se partitë duhet të dinin se nuk mund të qëndronin mbi institucionet dhe duhet të shmangnin çdo lloj acarimi të mëtejshëm të situatës.

Po kështu, në kërkesat e BE-së, Lajçak e vuri theksin te nevoja për të vënë përpara drejtësisë vrasësit e tre personave përgjatë demonstratës së 21 Janarit. “BE-ja kërkon parandalimin e çdo dhune dhe gjakderdhjeje të mëtejshme, funksionimin e institucioneve shtetërore dhe respektimin e tyre; askush nuk është mbi institucionet shtetërore, nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve që shkaktuan vdekj