Të shkosh me pushime çdo javë mund të duket si ëndërr (shumë e paarritshme). Por, një ndryshim i thjeshtë mendësie e bën të mundur – pa përfshirë udhëtimin.

Gjithçka, që duhet të bëni, është të mësoni ta kaloni fundjavën tuaj sikur jeni me pushime, sugjeron Cassie Mogilner Holmes, profesore në Shkollën e Menaxhimit Anderson të UCLA dhe autore e “Happier Hour: How to Beat Distraction, Expand Your Time, and Focus on What Matters Most”

“Është një ide kaq e thjeshtë, por njerëzit e shohin si vërtet të dobishme,” thotë ajo. “Ka efekte të mëdha.”

Disa vite më parë, Holmes dhe kolegët e saj filluan të eksplorojnë rëndësinë e pushimeve, të cilat lidhen me përmirësimin e shëndetit, kreativitetit, performancës në punë dhe kënaqësisë nga jeta. Vetëm 48% e punëtorëve amerikanë, përdorin të gjitha ditët e tyre të pushimeve, sipas një sondazhi të fundit nga Qendra Kërkimore Pew.

Në një seri eksperimentesh, ekipi i Holmes udhëzoi 441 punëtorë amerikanë, që ose ta kalonin fundjavën si çdo tjetër, ose ta trajtonin atë si një pushim.

Kur u kthyen në punë të hënën, njerëzit, që kishin përqafuar një mentalitet pushimesh, raportuan se ishin më të lumtur, më pak të stresuar dhe të shqetësuar, si dhe më të kënaqur, se ata që kishin pasur një fundjavë të rregullt.

Holmes vëren se filozofia e fundjavës si pushime, nuk ka për qëllim të zëvendësojë pushimet aktuale. Por, strategjia është një mënyrë efektive për të kthyer dy ditë pushim nga puna, në një pushim të vërtetë, pa pasur nevojë të shpenzoni më shumë para se zakonisht ose të merrni kohë shtesë.

Në vazhdim paraqiten disa mënyra si mund të bëni të mundur ta kaloni fundjavën sikur jeni me pushime

Jepini zë qëllimeve tuaja

Në orën 5 pasdite, ditën e premte, kur mbyllni laptopin, kujtojini vetes se do ta trajtoni fundjavën si një pushim.

Bëhuni krijues në lidhje me organizimin e kohës

Jo të gjithë kanë të shtunën dhe të dielën (ose çdo dy ditë radhazi) pushim nga puna – dhe disa njerëz, duke përfshirë prindërit, i kanë fundjavat të mbushura me detyrime. Në këtë rast, bëhuni krijues, për të gjetur kohë për mentalitetin tuaj të pushimeve. Ndani disa orë për punët e shtëpise apo detyrime të tjera, dhe pjesën tjetër të ditës merreni pushim.

Reflektoni mbi barrierat dhe prioritetet

Mendoni për ato që po ju pengojnë të shijoni një mentalitet pushimesh – apo edhe një pushim të vërtetë – dhe mënyra për t’i kapërcyer ato. Për shembull, ndoshta po përpiqeni të kurseni para dhe e barazoni një pushim me shumë shpenzime. Në këtë rast, kuptoni se çfarë mund të bëni falas ose me një kosto minimale, si për shembull të shkoni në një shëtitje, të lundroni në lumë ose të bëni një piknik në një park të bukur.

Silluni si turistë

Bëni diçka krejtësisht të re, në mënyrë që të shkëputeni nga të njëjtat rutina të vjetra, që drejtojnë jetën tuaj. Kur shkoni në një vend të ri dhe zbuloni gjëra të reja, mund t’ju sjellë gëzim ose të nxisë ide.

Udhëtoni në një pjesë të qytetit ku nuk keni qenë kurrë më parë, shkoni për një shëtitje dhe hani drekë në kafenenë e parë të lezetshme që shihni. Ose bëni një turne me biçikletë ose varkë në qytetin tuaj, si një turist.

Mos u stresoni

Trajtimi i fundjavës tuaj sikur jeni me pushime, nuk do të thotë se duhet të jetë një çështje e ndërlikuar. Disa zakone të thjeshtë, si të pini kafen në vendin e preferuar, apo të bisedoni pak më gjatë, janë kënaqësi që bëjnë ndryshim.

Nëse “pushimet” tuaja hasin disa pengesa – ose zgjasin vetëm për disa orë – mos u shqetësoni. Mos u stresoni që këto pushime të jenë të përsosura. Duhet të jenë argëtuese dhe fundjava tjetër është vetëm disa ditë larg. / Yahoo Life