Me zërin e rrallë dhe këngët e kënduara ndër vite, për të mund të thuhet pa frikë se i përket brezit të artë të këngëtarëve shqiptarë. Pas 40 vitesh karrierë në skenë, ai arrin akoma sot të mbledhë rreth vetës të gjithë ata që duan muzikën dhe i bën të ëndërrojnë për muzikën e vërtetë. Një këngëtar që kapërcen kalendarët e moshës dhe vazhdon të këndojë me të njëjtin pasion

Nga Neritana Kraja

Takimi me Kozma Dushin, është si takim me një mik të vjetër. I përzemërt dhe babaxhan, zemërbutë dhe tolerant, i disponueshëm dhe plot humor…E kemi lënë të takohemi në një nga lokalet pranë stadiumit Dinamo, pasi aty diku Kozmai ka shtëpinë. Në bar e pëshëndesin të gjithë dhe ai gjen kohë të bëjë edhe ndonjë batutë me njerëzit që ndodhen rastësisht. “E kam amanet nga një plak, xha Rrapoja, nga kalaja në Berat, në kohën e kulmit të suksesit tim, që t’i dua njerëzit e të mos tregohem mendjemadh me ta. Artisti sëpari është njeri”.

Rehatohemi dhe porosisim kafet. Është ora 12 e paradites dhe kjo është “kafja e mëngjesit”për Kozmain. “Jam kthyer në orën 5 të mëngjesit nga Durrësi, se këndoj në disa lokale nate”, tregon. “Trupa artistike e ushtrisë ku bëja pjesë me disa artistë të tjerë u mbyll. Takova mbrëmë Robert Radojën, dhe më pyeti se çfarë po bëja, ku këndoja. I thashë se jam në dy tre lokale nate në Durrës. “Mos thuaj, lokale nate, por thuaj në skenat e natës”, më tha profesori. Dhe e di se kishte të drejtë?! Se vetë nuk e kisha menduar asnjëherë ashtu, që këngëtarët janë shpërmdarë e këndojnë në “skenat e natës”.

Kështu krejt natyrshëm nis biseda jonë, ku ka shumë kujtime, nostalgji dhe shumë dashuri për muzikën. Flet me pasion, aq sa të duket se e gjithë qendra e botës për Kozmain vazhdon të mbetet kënga, edhe pas 40 vitesh në skenë. “Atëherë kishte këngë të bukura, kishte melodi, kjo është kryesorja, dhe motivet e këngëve fishkëlleheshin menjëherë nga të gjithë, sapo mbaronte festivali. Kënga u mbetej në buzë njerëzve”. Ndërsa sot nuk ka melodi dhe nuk ka “live”, shpreh keqardhjen e tij. Në bisedë me Kozmain koha ikën pa u ndjerë, ndërsa biseda kalon sa tek Berati, pasionet, pëllumbat dhe peshkimi, tek kujtimet dhe nostalgjitë e festivaleve, turnetë me Estradën e Tiranës, dasmën e tij të madhe, familjen për të cilën ndihet i lumtur…

“I vogël këndoja në gjumë”

“Dua t’ju them një sekret të vogël. Kur isha 7-8 vjeç këndoja edhe në gjumë. E nëna ime duke më parë, i thonte vëllait të madh, Dhimitrit që, Komi (kështu më thërrisnin me përkëdheli kur isha i vogël, e kështu më thërrasin në konfidencë edhe tani) këndon edhe natën në gjumë”, tregon ai me humor.

“Rruga e këngës sime është e gjatë. Kam hipur në skenë 12 vjeç me pantallona të shkurtëra në qytetin tim, në Berat. Jeta artistike filloi me pallatin e pionierëve pastaj me Estradën profesioniste, me dirigjentin e madh, Sotir Konçi. Këtu këndova këngët e mia të para të muzikës së lehtë.

Edhe në vitet e rinisë sime të hershme, kur këndoja në Berat, e kisha ëndërr të këndoja në festivalet e Radiotelevizionit. Sepse festivali në RTSH ishte aktiviteti më i madh i vitit, ku ishin këngëtarët, kompozitorët më të mirë të këngës. Aty i vihej vula një artisti profesionist. Kuptohet, nuk ishte e lehtë të vije në festival, sepse duhej të ishe i njohur në qytetin tënd, pastaj duhej të vije në Tiranë dhe të këndoje në disa anketa muzikore, që bëheshin çdo të dielë në ora 9 në Radio Tirana dhe në çdo muaj kishte nga katër këngë të reja. Por ia dola të vij në Tiranë, dhe jo vetëm të debutoja në festival, por të këndoj në 33 festivale të RTSH-së”.

Këngëtari që s’u bë veteriner

Jeta ka trillet e saj dhe njeriu ndonjëherë nuk e di se cila do të jetë rrugë e tij e jetës. Kozma Dushi gjithmonë ka dashur të bëhej veteriner, megjithëse në fund zgjodhi një rrugë tjetër, u bë këngëtar.

“E adhuroja shumë natyrën dhe fshatin dhe doja të bëhesha doktor kafshësh. Më pëlqente mëngjesi, koha kur këndonin këndezat…. Fshati është i bukur, ajri i pastër, qetësia….prandaj zgjodha të mesmen për veteriner me dëshirën për ta marrë këtë profesion. Pas së mesmes shkova ushtar.

Por, ishte vëllai im i madh Dhimitri, ai që më mësoi rrugën e këngës, që këmbënguli se unë më tej duhej të studioja konservatorin për kanto. “Por unë zërin e kam, pse duhet të shkoj për kanto, dua të bëhem veteriner, këmbëngulja unë. Por Dhimitri ma mbushi mendjen dhe kështu konkurrova, fitova dhe shkova në Konservator”.

Festivalet

Është ndër temat për të cilat Kozmait i pëlqen më shumë të flasë. Kujtime personale, por edhe gjykime mbi festivalet sot, si janë dhe çfarë u mungon sipas mendimit të tij si artist me eksperiencë të gjatë në skenë.

“Pasi kreva shërbimin ushtarak, menjëherë u aktivizova në Festivalin e 15 të këngës në RTSH, isha 21 vjeç dhe këndova “Përshëndetje nga furnalta”. Një këngë shumë e bukur, se në ato vite këngët ishin tematike. Mua më qëlloi kjo këngë. Hyra në natën e tretë të festivalit dhe e mira e kësaj ishte se kjo natë ritransmetohej në televizion në natën e Vitit të Ri. Dhe kjo ishte kënaqësi për artistin. Emocionet e mia ishin shumë të mëdha në atë festival. Një përshëndetje e fortë shkon për këngëtarët e mëdhenj të atyre viteve, Vaçe Zela, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Lindita Sota (Thodhori), Tonin Tërshana, Alida Hisku, këngëtarë me eksperiencë në skenë dhe që interpretonin shumë bukur. Unë mësova shumë nga këto këngëtarë. Pas dy tre vitesh erdhën këngëtarët e mirënjohur Irma Libohova, Parashqevi Simaku, Irma Libohova, Gëzim Çela, etj.

Asaj kohe në RTSH bëhej një punë kolosale, bëheshin prova paradite e pasdite. Unë, Petrit Lulo, Pëllumb Elmazi, Spiro Katundi, Telemak Papapano, vinim nga rrethet dhe ndiheshim si në shtëpinë tona. Vinim me dieta nga shteti dhe flinim në hotel. Provat fillonin me 1 dhjetor dhe festivali zhvillohej pas datës 25 dhjetor. Sot është gabim fatal që festivalin e bëjnë në datat 15, ose 16 dhjetor. Festivali kishte bukurinë në prag të vitit të Ri. Festivali bëhej dal vivo, melodia ishte në rradhë të parë. Këngët kompozoheshin nga Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Agim Prodani, Kujtim Laro, Alfons Balliqi, Ferdinand Deda, Flamur Shehu, Avni Mula, etj, që shkruanin muzikë shumë të bukur. Kur mbaronte festivali kënga menjëherë fishkëllehej të nesërmen, e këndonin kudo. Këngët ishin shumë të bukura, përjashto këngët e politizuara të cilat artisti ishte i detyruar që t’i këndonte”.

“E them me sinqeritet, nëse unë hedh baltë mbi ato vite që kanë kaluar, atëherë unë hedh baltë mbi vitet e mia dhe rininë time. Në ato vite njerëzit ishin më të afërt, më të predispozuar për të ndihmuar, të thonin një fjalë të mirë. Ndërsa sot njerëzit janë larguar shumë. Unë bëj humor dhe them një shprehje me kolegët e mi: “Të gjithë vrapojnë”. Në ato vite ishte tjetër gjë. Njerëzit bënin atë punë që kishin, por ama takoheshin pasdite, pinin një kafe, por ishin më të dashur dhe të respektueshëm. Sa i takon muzikës, këngët e atyre viteve është e vështirë të vijnë. Sepse tani ka predispozitë që të humbë melodia në këngë, tani bëhen albume, koncerte e të gjitha janë komerciale që shërbejnë si mjet fitimi. Të këndoje ato vite me 100 vetë në orkestër, me Ferdinand Dedën e madh dirigjent, që këndonte bashkë me këngëtarin, dhe Eno Koçon, apo Ermir Krantjen, ishte fat”.

Emocione dhe këngë

Fëtyra i merr një dritë shkëlqimi të veçantë kur flet konkretisht për këngët e tij. “Mos më thuja se i do të gjitha njësoj, si gishtat e dorës”, i them duke qeshur, për ta vënë pak në sprovën e zgjedhjes. Më në fund vendos: “Nga këngët e mia do të veçoja në Koncertin e pranverës, 1985, këngën “Jam maturant” të Alfons Balliçit, gjithashtu këngën me titull “Kënga që do ti”, kompozuar po nga ky kompozitor, si dhe këngën “Lot me ty o djalë se ta di merakun”. Kjo këngë, në fakt më zgjon shumë kujtime. Unë sa isha martuar në vitin 1987. Kënga ishte kompozuar nga Vladimir Kotani me tekst të Arben Dukës. Nga ky kompozitor kam kënduar edhe disa këngë të tjera, si p.sh., “Të më vini pa trokitur”. E pyes nëse ai e di që kënga “Lot me ty o djalë”, këndohet në karaoket e Tiranës. “Jo më thotë, nuk e di por më bëhet qejfi. Unë nuk dal në lokalet pub-et e natës, më pëlqejnë më shumë vendet e qeta, por më vjen mirë që e dëgjoj këtë gjë. Është një këngë jetësore që do të jetojë. Më kujtohet që në kompleks kisha Dashnor Dikon, Adhurim Demirin dhe një djalë tjetër. Kjo këngë ka marrë çmim të dytë në festival. Në të vërtetë unë kam marrë shumë çmime të dyta dhe të treta në festivale, por të parë asnjëherë. Sekretin e mësova dhe është ky: Si në ato vite, dhe në këto vite, prioritet është gjithmonë femra. Në ato vite ishte Parashqevi Simaku, në këtë kohë tani janë këto që janë. Ja, po kujtoj vitin 2002. Me një këngë që kam kënduar së bashku me Silva Gunbardhin, “Gënjemë por mos thuaj që s’të dua”… Epo kur s’mori ajo çmim, as të tretë e as, të dytë e jo më të parë, ndërkohë që kishte një duartokitje të gjatë 4 minuta?!!… Më kujtohet se në atë festival kanë qenë dy duetet ndër më të bukurit, dueti ynë dhe Bashkim Alibali me Irma Libohovën me këngën “Taverna e vjetër”. Asnjëri nga duetet nuk u vlerësua. Megjithatë i kam respektuar juritë, i adhuroj, i dua, por mbase tani ndikojnë edhe këto gjëra, si përshembull një telefonatë: “Shiko, jepi këtij pikë më shumë, është miku im!”

Dasma dhe familja

Por mjaft me çmimet e munguar. “Unë e kam pasion këngën dhe jam një burrë i lumtur”, konkludon ai, ndërsa rrëfimi ka hyrë në një linjë tjetër. Po flasim për familjen e tij. Kthehemi pas në vite, dasma e tij, e nxitur edhe nga një foto mjaft e bukur që kam përpara, ku ai me mikrofon në dorë dhe miqtë e tij artistë po këndojnë. “Dasma ime ka qenë si një koncert i madh”, kujton. Kisha shumë artistë të ftuar, e gjithë Estrada e Shtetit ishte ftuar në dasëm, po kështu kisha të ftuar nga Estrada e Durrësit, nga Shkodra. Të gjithë bashkë bënin një shfaqje të madhe. Unë jam martuar me 13 shtator ditën e çlirimit të Beratit. Ka qenë një dasmë shumë e bukur. Më tha Ferdinad Deda: “Kozma, tani ti mos dhëndërro, por merr mikrofonin e trego se kush je! Dhe kështu bëra, këndova dhe kërceva sa munda. Kam kënduar edhe një duet me nusen, një këngë beratase të dy bashkë. Nusja, Suzana është nga Korça, por unë i kisha mësuar një këngë beratase “Mora përpjetë kalanë”, që këndohet nëpër dasma. Kishim bërë prova disa ditë para dasmës dhe atë ditë kemi kënduar bashkë….”

“Unë kam një familje shumë të mirë, kam nusen, ekonomiste dhe dy fëmijët, djalë e vajzë. Nuk e kam marrë gruan artiste. Mund ta marrja artiste, se në Konservator kishte vajza shumë të mira. Mirëpo mendoja se duke qenë të dy në skenë, asnjeri prej nesh nuk do të kishte kohë të rrinte me fëmijët. Zgjodha një ekonomiste. Bashkëshortja ime ka bërë shumë sakrifica për mua, në kuptimin e mirë të fjalës, më ka kuptuar për turnetë, kolegët, miqësitë e mia. Ia thashë që në fillim, sa i vura unazën: “Ti nuk duhet të jesh xheloze, se unë jam artist dhe do të takohem me të gjithë. Do të të thonë se e pamë me një bjonde, apo brune…. Ato mund të jenë simpatizante, mund të jenë artiste, poete, gazetare… dhe kështu ajo më ka mirëkuptuar gjithmonë.

Suzana ka shumë emocione kur unë këndoj: “Nuk e di më thotë. Më rreh zemra fort kur këndon ti…e ndiej shumë muzikën tënde!”….Ndërsa dy fëmijët e mi do të marrin drejtime të tjera në jetë, asnjëri nuk do të bëhet këngëtar. Vajza, Ana, ka vesh absolut, por nuk ka zë, sapo mbaroi klasën e tetë dhe është nxënëse e shkëlqyer, ndërsa djali, Mario, 21 vjeç, nuk ka as vesh e, as zë, megjithëse e do shumë muzikën. Ai vazhdon juridikun dhe ky do të jetë profesioni i tij.

 

Pasionet

“Që në vogli kam pasion pëllumbat. I mbaj tek Parku i Delegacioneve” prej 12 vitesh. I kam pëllumba të mirë, i kam blerë në Korfuz, pëllumba postier quhen ata. Zbres nga pallati dhe për dy minuta shkoj tek pëllumbat e mi. I kam si fëmijë. Rri nga një orë me ta. Kontrolloj zogjtë e tyre në fole, si janë, a janë rritur, mos janë sëmurë. I sodis dhe çlodhem. Por më pëlqen edhe peshkimi, shkoj dy-tre herë në muaj. Shkoj në Durrës, por edhe në Vjosë. Më ecën gjahu për peshq. “Je nga ata peshkatarë që zënë vërtet, apo nga ato që shesin mend?”, e pyes për ta ngacmuar pak më tej bisedën. “Jo, më thotë, duke qeshur, vërtet që më ecën. Madje shokët e mi të peshkimit më thonë: “Si është e mundur Kozma, jemi këtu pranë teje, dhe peshku vjen tek ti e jo tek ne?” Pastaj më pëlqen ta gatuaj vetë për qejfin tim. E përfundoj vetë procesin, të skuqur ose në zgarë, se nuk do ndonjë punë të madhe, apo jo? Më shumë është kënaqësi sesa punë. Në fund e shoqëroj me raki. Peshku në fakt shkon me verën, por meqë jam beratas dhe kemi komshinj skraparllinjtë, mua më pëlqen ta shoqëroj me raki”.