Puna në distancë është më e aksesueshme se kurrë, falë një sërë punësh, që kërkojnë pak përvojë, për ata që kërkojnë të fitojnë ndërsa udhëtojnë.

Edhe përpara pandemisë, shumë prej nesh ëndërronin të ndërronin ambientet e zymta të zyrës me diell, det dhe rërë.

Tani, me rritjen e punës hibride dhe në distancë, më shumë punonjës se kurrë, po braktisin zyrën (ose dhomën e tyre të ndenjes) dhe po shkojnë drejt brigjeve më piktoreske.

Ndërsa puna në distancë i përshtatet shumë roleve, disa janë më të vështira për t’u kryer. Megjithatë, kjo nuk po ndalon një numër në rritje njerëzish, që të kërkojnë fillime të reja në hapësirën nomade dixhitale.

Shumë punonjës po fillojnë të kryejnë përsëri role, që kërkojnë pak ose aspak përvojë dhe janë ideale për punëtorin ‘endacak’.

Pse është kaq popullore puna në distancë?

Përveç fleksibilitetit të dukshëm, që lejon puna në distancë dhe faktit, që shumica prej nesh preferojnë të shikojnë peizazhe të bukura, sesa një dritë LED, që vezullon nga tavolinat tona, puna në distancë u jep njerëzve mundësinë të udhëtojnë, të përjetojnë kultura të tjera dhe të zgjerojnë aftësitë e tyre.

Puna në distancë në fakt, ka përfitime edhe për kompanitë. Sipas studimeve të SHBA-së, nomadët dixhitalë janë 45 % më produktivë sesa homologët e tyre në zyra.

Ata janë gjithashtu më të lumtur, ku 91 % përmendin kënaqësinë në punë dhe renditin fleksibilitetin si përfitimin kryesor.

Qendrat e përkushtuara të punës në distancë, janë shfaqur kudo, nga Zvicra në Madeira, dhe shumë vende – si Portugalia, Kanadaja dhe Gjermania – kanë krijuar viza për nomadët dixhitalë dhe kanë ndryshuar ligjet, për të inkurajuar turizmin e punës.

Andy Stofferis, bloger dhe themelues i Sendabee, një agjenci marketingu dixhital në distancë, ka takuar një sërë nomadësh dixhitalë gjatë viteve dhe përkrah përfitimet e stilit të jetesës.

“Unë sinqerisht besoj, se përqafimi i një stili jetese si nomad dixhital, kërkon që individët të dalin vazhdimisht nga zonat e tyre të rehatisë, të krijojnë lidhje me njerëz të rinj dhe të përshtaten me mjedise të panjohura,” thotë ai.

Llojet e punëve në distancë

Ka një sërë rolesh, që janë veçanërisht të mira për punën në distancë dhe kërkojnë shumë pak aftësi. Këtu janë disa nga mundësitë më të njohura të punës, për ata që e provojnë për herë të parë përvojën si nomadët dixhitalë.

Asistent virtual

Ky rol në thelb kërkon të qenit administrator në distancë, për njerëzit ose kompanitë. Puna kërkon aftësi të mira organizative dhe është miqësore ndaj punës në distancë.

Mund të përfshijë menaxhimin e postës elektronike, planifikimin e kalendarëve, futjen e të dhënave dhe ndërmarrjen e çdo kërkese tjetër.

Përfaqësuesi i shërbimit ndaj klientit

Kanë ikur kohërat e rreshtave të tavolinave me punonjës, që mbajnë kufje. Zgjidhini problemet e klientëve, shisni produkte dhe bëni pyetje në terren, nga komoditeti i një shezlongu, si përfaqësues i qendrës së thirrjeve në distancë.

Operator i futjes së të dhënave

Doni të largoheni nga të gjitha? Të qenit operator i futjes së të dhënave në distancë, mund të jetë roli për ju, pasi kërkon ndërveprim minimal social.

Ky rol përfshin mbledhjen dhe futjen e të dhënave, në bazat e të dhënave në internet dhe mbajtjen e të dhënave të sakta të informacionit të kompanisë. Është e zakonshme në industrinë e kujdesit shëndetësor, bankar dhe logjistikës.

Transkriptues

Një zgjedhje popullore për punonjëst në distancë, transkriptimi mund të paguhet mjaft mirë. Megjithatë, mos supozoni se është aq e lehtë sa duket.

Skedarët audio të turbullt, thekse të rënda dhe biseda të mbivendosura, mund ta bëjnë transkriptimin të ndërlikuar, kështu që është mirë të kesh pak përvojë.

Aplikacionet e transkriptimit, priren të jenë më pak të sakta në gjuhë të tjera përveç anglishtes, kështu që ky rol u përshtatet veçanërisht atyre me aftësi të tjera gjuhësore.

Si mund t’i përdorni aftësitë ekzistuese si nomad dixhital?

Shumë role në distancë, kërkojnë disa njohuri ekzistuese, megjithëse në shumë raste ato mund të jenë minimale.

Mjetet falas të mësimit në internet, janë një mënyrë e mirë për të mbushur boshllëqet në njohuritë tuaja. Kompani të tilla si LinkedIn, Udemy dhe Coursera, ofrojnë trajnime falas ose me tarifa të ulëta.

Profesione që mund të mësohen vetë

Menaxhimi i rrjeteve sociale

Këto role tani janë tepër të zakonshme dhe të lehta, për t’u kryer nga distanca. Ata kërkojnë një kuptim bazë të platformave të njohura, si Facebook, Twitter, Instagram dhe TikTok.

Sistemet e përdorura për t’i menaxhuar ato, mund të mësohen relativisht lehtë me pak kërkime në internet.

Aftësitë e të shkruarit dhe njohuritë bazë të mjeteve të projektimit si Canva ose Photoshop, janë gjithashtu të dobishme për këtë rol.

Mësimi online

Mësimi online është një pikë e aksesueshme nga të gjithë për punë në distancë.

Shumë punonjës mësojnë gjuhën e tyre amtare me shumë pak trajnim. Sidoqoftë, këto punë janë më të lehta për t’u siguruar me kualifikime, kështu që marrja e një certifikimi TEFAL (ose ekuivalenti) mund të ndihmojë.

Bëhu një mik virtual

Të etur për diçka jo dhe aq të zakonshme? Mund të bëheni një mik virtual.

Shumë njerëz dëshirojnë të kenë shoqëri, por e kanë të vështirë të krijojnë miq. Disa role paguajnë deri në 20 € në orë, vetëm për të biseduar me këta njerëz në telefonatë me video.

Kompani të tilla si Rent A Friend dhe Rent a Cyber Friend, e bëjnë relativisht të lehtë regjistrimin dhe fillimin e punës.

Shumë role pune janë miqësore për punën në distancë

Është e vetëkuptueshme, që rolet e punës në distancë, nuk duhet të jenë me aftësi të ulëta.

Shumë role janë të përshtatshme për të punuar në distancë, me kusht që të ketë një lidhje të fortë interneti dhe ndryshimet e orës të mos jenë problem.

“Përvoja të tilla mund të çojnë në një ndryshim të vërtetë mendësie, duke i motivuar njerëzit të kërkojnë mundësi të reja profesionale dhe të çlirohen nga rutinat, që kanë krijuar ndër vite,” shton Andy. / Monitor