Shumë drejtues, profesionistë të tjerë dhe studentë thonë se krijimi i marrëdhënieve të punës (networking), i bën ata të ndihen jo mirë dhe të shtirur. Edhe pse disa njerëz kanë një pasion të natyrshëm për të – domethënë, ekstrovertët që e duan dhe lulëzojnë në ndërveprimin shoqëror – shumë e shohin atë si të turpshëm, shfrytëzues dhe joautentik.

Por në botën e sotme, kjo aftësi krijimi kontaktesh, është një domosdoshmëri. Shumë kërkime tregon se rrjetet profesionale çojnë në më shumë mundësi punësimi dhe biznesi, njohuri më të gjera dhe më të thella, kapacitet të përmirësuar për të inovuar, avancim më të shpejtë dhe status dhe autoritet më të madh. Ndërtimi dhe edukimi i marrëdhënieve profesionale përmirëson gjithashtu cilësinë e punës dhe rrit kënaqësinë në punë.

Në vazhdim identifikohen katër strategji për t’i ndihmuar njerëzit të ndryshojnë mentalitetin e tyre kundrejt krijimit të rrjeteve profesionale.

  1. Fokusimi në mësim

Shumica e njerëzve kanë një fokus dominues motivues – atë që psikologët i referohen si një mentalitet “promovimi” ose “parandalimi”. Ata në kategorinë e parë, mendojnë kryesisht për rritjen, avancimin dhe arritjet, që mund t’u sjellin rrjetet profesionale, ndërsa ata të kategorisë së fundit, e shohin atë si diçka në të cilën janë të detyruar të marrin pjesë për arsye profesionale.

Nëse jeni introvert, nuk mund të dëshironi thjesht të jeni ekstrovert, natyrisht. Përqendrohuni në gjërat pozitive – se si do t’ju ndihmojë të rritni njohuritë dhe aftësitë, që nevojiten në punën tuaj – dhe aktiviteti do të fillojë të duket shumë më i vlefshëm.

  1. Identifikoni interesat e përbashkëta

Hapi tjetër për ta bërë krijimin e rrjeteve profesionale më të këndshëm, është të mendoni se si interesat dhe qëllimet tuaja përputhen me ato të njerëzve që takoni dhe se si kjo mund t’ju ndihmojë të krijoni marrëdhënie domethënëse pune. Studime të shumta në psikologjinë sociale, kanë treguar se njerëzit krijojnë lidhjet më bashkëpunuese dhe më jetëgjata, kur punojnë së bashku në detyra që kërkojnë kontributin e njëri-tjetrit.

Kur rrjeti juaj drejtohet nga interesa thelbësore dhe të përbashkëta, që keni identifikuar përmes kërkimeve serioze, ai do të ndihet më autentik dhe kuptimplotë dhe ka më shumë gjasa të çojë në marrëdhënie, që kanë gjithashtu këto cilësi.

  1. Mendoni për atë që mund të ofroni

Edhe kur nuk ndani interesa të përbashkëta me dikë, ndoshta mund të gjeni diçka të vlefshme për të ofruar, duke menduar përtej të dukshmes. Sigurisht, kjo nuk është gjithmonë e lehtë. Kemi zbuluar se njerëzit që ndihen të pafuqishëm – sepse janë më të rinj në organizatat e tyre, sepse i përkasin një pakice, ose për arsye të tjera – shpesh besojnë, se kanë shumë pak për të dhënë dhe për këtë arsyeangazhohen më pak në krijimin e kontakteve personale, madje, edhe pse ata ndoshta do të nxjerrin më shumë përfitime.

Sa më e sinqertë të jetë shprehja e mirënjohjes, aq më e madhe është vlera e saj për marrësin. Një profesioniste e re tha se kur mbushi 30 vjeç, ajo u shkroi 30 njerëzve, që mendonte se kishin kontribuar më së shumti në rritjen e saj profesionale, duke i falënderuar dhe duke përshkruar mënyrat specifike, se si e kishte ndihmuar secili. Marrësit, pa dyshim e vlerësuan përditësimin dhe mirënjohjen e personalizuar.

  1. Gjeni një qëllim më të lartë

Një faktor tjetër, që ndikon në interesin dhe efektivitetin e njerëzve në krijimin e rrjeteve profesionale, është qëllimi kryesor që ata kanë në mendje kur e bëjnë atë. Çdo aktivitet pune bëhet më tërheqës kur lidhet me një qëllim më të lartë. Pra, kornizojeni rrjetin tuaj në këto kushte.

Shumë prej nesh, janë ambivalent në lidhje me krijimin e rrjeteve profesionale. Ne e dimë se është kritike për suksesin tonë profesional, por ne e shohim atë proces të rënduar dhe shpesh të pakëndshëm. Këto strategji mund t’ju ndihmojnë të kapërceni pasigurinë tuaj

Duke kaluar në një mentalitet promovimi, duke identifikuar dhe eksploruar interesa të përbashkëta, duke zgjeruar pikëpamjen tuaj për atë që keni për të ofruar, si dhe duke motivuar veten me një qëllim më të lartë, do të bëheni më të emocionuar dhe më efektivë, në ndërtimin e marrëdhënieve që japin fryte për të gjithë. / Harvard Business Review