Noti në lumin Senë, në kryeqytetin francez, është ndaluar që nga viti 1923, por autoritetet e Parisit thonë se kjo do të ndryshojë së shpejti

 

Do të jetë përsëri e mundur të zhyteni në lumin Senë duke filluar nga viti 2025, njoftoi së fundmi kryebashkiakja i Parisit, Anne Hidalgo.

Ajo emëroi tre vendet, që do të jenë të hapura për publikun, nga viti 2025, duke përfshirë një jo shumë larg Kullës Eifel.

“Kjo është një ëndërr e dashur prej kohësh dhe është në rrugën e duhur, për t’u bërë më në fund realitet,” njoftoi ajo. “Do të jetë e mundur të laheni në Senë pa probleme”.

Do të jetë hera e parë në më shumë se 100 vjet, që parisienët dhe turistët, do të mund të notojnë ligjërisht në lumin, që përshkon kryeqytetin francez.

Noti në Senë u ndalua zyrtarisht një shekull më parë, në vitin 1923, për shkak të cilësisë së keqe të ujit, por ai vazhdoi të praktikohej ende, deri në fillim të viteve 1960.

 

Çfarë kanë bërë autoritetet e Parisit për të përmirësuar cilësinë e ujit në Senë?

 

 

Njoftimi vjen më shumë se 30 vjet, pasi kryetari i atëhershëm i Parisit dhe më vonë presidenti francez Zhak Shirak, premtuan ta bëjnë lumin mjaft të pastër, për të notuar përsëri.

 

Në vitin 2016, Hidalgo rinovoi premtimin me rastin e ofertës për lojërat olimpike të Parisit. Disa nga garat e notit, do të zhvillohen në Senë, gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2024.

Autoritetet e qytetit, kanë investuar tashmë rreth 1.4 miliardë euro, për të hapur Senën dhe Marnen për notarët.

Administrata e qytetit, tha se analizat aktuale të cilësisë së ujit, certifikuan vlera “të mjaftueshme” ose “të shkëlqyera” në mot të thatë.

 

 

Pjesa më e madhe e punës, pritet të përfundojë deri në verë. Kjo përfshin lidhjen e 23,000 apartamenteve me sistemin e ujërave të zeza.

Më parë ujërat e zeza të tyre të patrajtuara, derdheshin në Senë. Gjithashtu, 260 banesa do të lidhen me sistemin e ujërave të zeza.

Impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, gjithashtu po modernizohen, ose po ndërtohen rishtazi. / Monitor