Prindërit që kanë fëmijë për të rritur dhe të moshuar për t’u kujdesur po përballen me kosto të larta në të gjithë Ballkanin Perëndimor, veçmas në Shqipëri, ku tranzicioni demografik është më i fortë.

Banka Botërore, në raportin e rregullt rajonal që publikoi së fundmi, vuri në dukje se, prindërit e fëmijëve të vegjël po përballen me një sforcim të madh për të balancuar përgjegjësinë në kujdesin për fëmijët e tyre dhe nga tjetër, për të siguruar të ardhura nëpërmjet rritjes profesionale.

Shqipëria dhe vendet e tjera të Rajonit të Ballkanit përballen me mungesa të thella të qendrave të specializuara të kujdesit për fëmijët, çka po e bën sfiduese për prindërit kujdesin të duhur për fëmijët e tyre. Në këtë situatë, prindërit po përdorin opsione jo fort të përshtatshme, siç është dorëzimi i fëmijëve te kujdestarët e patrajnuar.

Disa prindër lënë punën ose punojnë me kohë të pjesshme për t’u kujdesur për fëmijët.

Problemi nuk është vetëm kujdesi në fëmijërinë e hershme. Në të vërtetë, sfida mbetet e njëjtë edhe për fëmijët që hyjnë në shkollën fillore.

Fëmijët janë në shkollë vetëm rreth 5 orë në ditë, teksa prindërit ende duhet të gjejnë mënyra që sigurojnë kujdesin për ta gjatë orëve që ata nuk janë në shtëpi. Kjo mund të jetë veçanërisht e vështirë për familjet ku të dy prindërit duhet të punojnë me kohë të plotë.

Mungesa e kujdesit parashkollor dhe passhkollor të aksesueshëm dhe të përballueshëm ka nisur të ketë ndikim të thellë te prindërit dhe familjet. Prindërit po kufizojnë aftësitë e tyre profesionale dhe po detyrohen të bëjnë zgjedhje të vështira për cilësinë e kujdesit që marrin fëmijët e tyre.

Përgjegjësitë prindërore vështirësohen më tej nëse kanë në kujdes një të moshuar. Kujdesi për moshuarit po shndërrohet në sfidë në Shqipëri dhe Ballkan për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme të pensionistëve dhe mungesës së qendrave të specializuara për këtë grup-moshë.

Kujdesi për një të moshuar, në shumë raste, kërkon kohë, përpjekje dhe burime të konsiderueshme financiare, duke e bërë më të vështirë që anëtarët e familjes të mbajnë një punë me kohë të plotë.

Kërkesat fizike dhe emocionale si kujdesi për të moshuarit, menaxhimi i mjekimeve, transporti dhe ndihma në aktivitetet e përditshme mund të jenë dërrmuese dhe rraskapitëse për familjet në kulmin e produktivitetit.

Përveç kësaj, barra financiare e kujdesit për të moshuarit mund të jetë e rëndësishme, veçanërisht nëse prindi kërkon të specializuar kujdes mjekësor ose kujdes afatgjatë./MONITOR