Të dish se paguhesh më pak se kolegët e tu ka dy efekte në nivelin e lumturisë. Ai më i njohuri është negativ: një xhep më i zbrazur ndikon në vetëvlerësim.

Ai që njihet më pak është i ashtuquajturi efekti “tunel”: të ardhurat më të larta për kolegët vlerësohet se përmirësojnë shanset tuaja për fitime të ngjashme, veçanërisht në rast se rritja, pabarazia dhe lëvizshmëria janë të larta, shkruan “The Economist”.

Një studim me autor Felix FitzRoy të Universitetit të St Andrews dhe i botuar në “Royal Economic Society” në Cambridge, i ndan të dyja efektet, duke përdorur të dhëna nga vëzhgimet në Gjermani.

Të ardhurat e të tjerëve mund të kenë ndikim të vogël, madje dhe pozitiv, në kënaqësinë e njerëzve në firmat individuale në Danimarkë ose në ekonomitë shumë dinamike në tranzicion, si në Europën Lindore ish-komuniste. Por ekipi i z. FitzRoy i qëndron teorisë se punonjësit më të vjetër, të cilët pak a shumë e kanë të qartë një historik të të ardhurave, do të kenë një efekt shumë më të vogël “tunel”.

Të dhënat e konfirmojnë këtë hipotezë. Efekti negativ në nivelet e raportuara të lumturisë, për shkak se paguhen më pak se kolegët, nuk është shumë i dukshëm te njerëzit që janë më pak se 45 vjeç.

Në Gjermaninë Perëndimore, të rinjtë rezultojnë të lumtur kur shikojnë që pagat e kolegëve të tyre rriten. Vetëm tek ata që janë mbi 45 vjeç, karriera e të cilëve ka arritur në një “pozicion stabël”, konstatohet se niveli i lumturisë ulet nga suksesi i të tjerëve.

Fakti se kanë edhe 20 vjet punë mund ta bëjë idenë e pensionit edhe më të rëndësishme. Dhe lumturia e vërtetë e tyre e pensionit lidhet me faktin e daljes nga puna.

Dihet që papunësia dëmton lumturinë, për shkak se mungesa e punës ndikon negativisht në pritshmëritë sociale. Kjo humbje e identitetit mund të kompensohet nga përfitimet e papunësisë ose kohën më të madhe për argëtim.

Një studim i prezantuar në të njëjtën konferencë nga një ekip i përfaqësuar nga Clemens Hetschko i Freie Universität Berlin përdor të njëjtat të dhëna të individëve gjermanë për të treguar se niveli shpirtëror i të papunëve afatgjatë rritet kur ata ndalojnë të kërkojnë një punë, dalin në pension dhe nuk e vrasin më mendjen për norma sociale.