Marrëdhënia midis shtimi të peshës dhe inflamacionit, është e ndërlikuar dhe mund të shkaktojë ndërprerje në mikrobiomën e zorrëve – bakteret e dobishme në traktin tretës, që luajnë një rol të madh në tretje, si dhe në funksionin imunitar – shëndetin emocional, rregullimin e sheqerit në gjak, nivelet e kolesterolit dhe funksionet metabolike.

Miratoni strategji, që synojnë të përmirësojnë shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe të reduktojnë inflamacionin, ku humbja në peshë është një efekt anësor i mundshëm.

Taktikat e mëposhtme reduktojnë inflamacionin dhe mund të nxisin gjithashtu humbjen e peshës:

Ndryshoni llojin e aktivitetit fizik

Kur njerëzit kryejnë aktivitet fizik, ata shpesh zgjedhin të bëjnë kardio. Ndërsa kardio ka përfitime, resistance training (stërvitje me pesha) është lloji i aktivitetit fizik, që krijon muskuj dhe që, nga ana tjetër, ul inflamacionin.

Një studim i vitit 2020 në revistën Aging Research Reviews, zbuloi se njerëzit me nivele më të ulëta të masës muskulore, veçanërisht më të moshuarit, priren të kenë sasi më të larta të inflamacionit.

Përqendrohuni te gjumi

Ka prova të rëndësishme, që gjumi i mirë, luan një rol të madh në reduktimin e inflamacionit dhe ndryshimin e përbërjes së trupit. Për shembull, disa studime tregojnë se fjetja më pak se shtatë orë çdo natë, rrit rrezikun e obezitetit.

Mësoni të largoni stresin

Një pjesë e arsyes, që gjumi është kaq i dobishëm për të thyer ciklin inflamacion-yndyrë, është se përmirëson nivelet e stresit. Stresi shpesh lidhet me inflamacionin dhe shtimin në peshë – për të mos përmendur një mori problemesh të tjera shëndetësore – kështu që, zbutja e tensionit është çelësi për ndërtimin e zakoneve më të shëndetshme, në planin afatgjatë.

Bëni ndryshime në dietën tuaj

Edhe pse është e rëndësishme të shmangni ushqimet, që shkaktojnë inflamacion, si ëmbëlsirat, pijet e gazuara dhe ushqimet e skuqura, mund të jetë e dobishme të përqendroheni më shumë në shtimin e disa llojeve të ushqimeve në dietën tuaj.

Kur e bëni këtë, zgjedhjet e shëndetshme shpesh largojnë natyrshëm ushqimet më pak të dobishme. Përqendrohuni në ushqimet anti-inflamatore si frutat, perimet, drithërat, peshku, arrat dhe vaji i ullirit, si dhe erëzat, që ulin inflamacionin, si xhenxhefili, shafrani i Indisë, kanella dhe speci djegës.

Kirurgjia si rrugë për të ulur peshën

Ndërsa përqendroheni në thyerjen e ciklit inflamacion-rritje në peshë, nuk ka rëndësi se si humbni peshë, rezultati do të jetë i njëjtë. Kjo do të thotë se njerëzit, që i nënshtrohen një operacioni bariatrik – teknika që zvogëlojnë aftësinë tuaj për të ngrënë dhe/ose për të tretur ushqimin – si një mënyrë për të ndryshuar përbërjen e trupit, do të shohin përfitime të ngjashme anti-inflamatore si ata, që humbin peshë përmes metodave jokirurgjikale. / Yahoo Life