Trupi juaj ofron të gjitha llojet e të dhënave, për atë që po ndodh brenda tij, nëse dini se ku të shikoni..

Kur bëhet fjalë për dehidratimin, një shtrëngim i shpejtë i lëkurës, mund të jetë një mënyrë për të zbuluar nëse po humbni më shumë lëngje, sesa po pini. Dehidratimi do të thotë, që trupi juaj nuk ka lëngje të mjaftueshme për të punuar siç duhet.

Një përdorues i verifikuar i TikTok, i cili e identifikon veten si Dr. Karan Raj, mjek kirurg në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar, postoi një video, që tregonte pickimin e lëkurës si mënyrë kontrolli.

Çfarë është testi i pickimit të lëkurës?

Thjesht pickoni lëkurën e njërit prej gishtërinjve tuaj për një moment dhe më pas lëreni të shkojë.

Nëse jeni të hidratuar mirë, lëkura do të kthehet menjëherë në pozicionin e saj origjinal, tha Raj. Por nëse jeni të dehidratuar, ajo humbet elasticitetin dhe do të qëndrojë në pozicion të shtrënguar ose “të tendosur” për një moment, shtoi ai.

A mund t’ju tregojë ky test nëse jeni të dehidratuar?

Samantha Cassetty, dietologe e regjistruar, eksperte e të ushqyerit dhe mirëqenies në Nju Jork, rekomandon pickimin e lëkurës për rreth 3 sekonda. Kur lëshohet, duhet të kthehet në vend brenda disa sekondave, shton ajo.

Nëse lëkura bëhet më pak elastike, “mund të jetë një mënyrë për të treguar nëse jeni të dehidratuar, por nuk është e pagabueshme dhe nuk është e dobishme për të gjithë,” thotë Cassetty.

“Një problem me këtë test, është se njerëzit e moshuar kanë lëkurë më pak elastike, kështu që kur pickohet, ajo mbetet e tendosur për një periudhë më të gjatë kohore. Kjo nuk tregon domosdoshmërisht dehidratim.”

Testi i pickimit të lëkurës nuk është aq i besueshëm as tek fëmijët, vëren ajo.

Përfundimi

Pickimi i lëkurës mund të zbulojë dehidratimin, por zakonisht në një fazë të mëvonshme, thotë Cassetty.

Një mënyrë tjetër për të treguar nëse keni nevojë për më shumë lëngje, është të kontrolloni ngjyrën e urinës. “Urina duhet të të jetë e verdhë e zbehtë. Nëse është e verdhë më e errët, është një shenjë për të pirë një gotë të madhe me ujë,” këshillon ajo. / Yahoo Life