Shqipëria është një vend i pasur me pyje e kullota, por sipërfaqja e tyre po ulet, si rrjedhojë e dukurive natyrore, shfrytëzimit pa kriter, apo edhe zjarreve.

Në  vitin 2019,  fondi pyjor  dhe  kullosor i Shqipërisë  shtrihet  në  një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.740.307 (ha) dhe 60,5% të sipërfaqes totale të vendit, sipas të dhënave të INSTAT. Në krahasim me vitin 2015, ky fond është reduktuar me 509 hektarë, sipas tabelave të INSTAT.

Në 2019, pyjet  shtrihen  në  një  sipërfaqe  1.051.843(ha) që  përfaqëson 60,4%  të  fondit  pyjor  dhe kullosor. Kullotat dhe livadhet zënë një sipërfaqe 478.081 (ha) ose 27,5% të fondit pyjor dhe kullosor. Sipërfaqet  me  bimësi  pyjore  dhe  inproduktive  që  janë  pjesë  e  fondit pyjor  zënë  një  sipërfaqe 210.382 (ha) ose 12,1% të këtij fondi.

Në sipërfaqen e fondit pyjor dhe kullosor në vitin 2019, si rezultat i dukurive natyrore dhe aktiviteteve njerëzore, ka një rënie me rreth 17 (ha),krahasuar me vitin 2018.

Në vitin 2019, vëllimi i përgjithshëm i pyjeve, arrin në rreth 54.846 (000/m3), nga të cilat 94,0 % e këtij vëllimi përbëhet nga pyjet publike dhe 6,0 % nga pyjet private. Si pasojë e shfrytëzimeve dhe zjarreve, vëllimi është ulur afërsisht me 31.316 (m3),krahasuar me vitin 2018.

Në fondin pyjor sipërfaqen më të madhe e zënë fletorët me 49,8 %, ndjekur nga të tjera lloje me 35,8% dhe halorët 14,3%

Shtohen zonat e mbrojtura

Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë, janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ato ofrojnë. Ato ndahen në 6 kategori sipas rëndësisë, ku pjesën më të madhe e parqet kombëtare.

Zonat e mbrojtura në vitin 2019 zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 523.831/ha duke zënë 30,0% të sipërfaqes së fondit pyjor dhe rreth 18,0% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Në vitin 2019, ka pasur ndryshime  në  numrin e  zonave  të  mbrojtura, pasi  për  miratimin  e  listës  së  rishikuar  të monumenteve të natyrës shqiptare, është bërë rishqyrtimi i kësaj kategorie.

Në krahasim me vitin 2015, sipërfaqja e zonave të mbrojtura është rritur me gati 10%.

Në vitin 2019, sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura e zënë parqet kombëtare me 44,0% të sipërfaqes gjithsej, ndjekur nga rezervatet natyrore të menaxhuara me 32,3%,  peizazhet e mbrojtura me  18,6%,  zonat  e  mbrojtura  të  menaxhuara  3,5 %,  rezervatet  natyrore  0,9 %  dhe  monumente natyrore 0,7%

Monitor.al