• Bota theu rekordin e të gjitha kohërave të temperaturave të larta më 4 korrik, duke arritur një temperaturë mesatare globale prej 17,18 °C, sipas të dhënave nga Instituti i Ndryshimeve Klimatike në Universitetin e Maine.
• Temperaturat rekord janë tejkaluar në shumë vende këtë vit dhe shkencëtarët e klimës, thonë se viti 2023 mund të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar.
• Rritja e emetimeve të karbonit dhe ndryshimet klimatike, janë faktorët kryesorë pas këtij parashikimi, si dhe rikthimi i pritshëm i fenomenit të motit El Niño*.

Mbretëria e Bashkuar, Vietnami, Polonia, Spanja, Kina, Letonia, Mianmari, Portugalia, Bjellorusia, Holanda, Tajlanda janë vetëm disa nga vendet, ku janë thyer rekordet e temperaturës këtë vit.

Dhe më 4 korrik, planeti përjetoi ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, me temperaturën mesatare globale që arriti në 17.18°C, sipas Institutit të Ndryshimeve Klimatike në Universitetin e Maine, raporton Forbes.

Kjo thyen rekordin e një dite më parë, prej 17.01°C dhe vjen pas lajmeve për qershorin më të ngrohtë në të gjithë botën, që nga fillimi i regjistrimeve, sipas BBC.

Ndërkohë, hemisfera jugore përjetoi prillin më të ngrohtë të regjistruar dhe muajin më të ngrohtë ndonjëherë, sipas Informacionit Kombëtar të Oqeanit dhe Atmosferës së SHBA (National Oceanic and Atmospheric Information, NOAA). Temperatura mesatare gjatë muajit, ishte 0,9°C mbi mesataren e shekullit të 20-të.

Dhe globalisht, viti 2023 përjetoi marsin e dytë më të ngrohtë të regjistruar, sipas NASA, NOAA, Agjencisë Meteorologjike Japoneze dhe Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së, Copernicus (National Oceanic and Atmospheric Information, C3S).

 

Burimi: Instituti i Ndryshimeve Klimatike (Climate Change Institute)

 

Rekord i ri i temperaturës në 2023?

Ndryshimet klimatike, po luajnë një rol të madh, duke bërë që Organizata Botërore Meteorologjike (World Meteorological Organization, WMO) të thotë, për herë të parë, se temperaturat globale kanë më shumë gjasa të lëvizin më shumë se 1.5°C mbi nivelet para-industriale, në pesë vitet e ardhshme.

Një faktor tjetër kryesor, është rikthimi i parashikuar i fenomenit të motit El Niño. WMO thotë se ky kombinim do të shtyjë temperaturat globale, në një rekord të ri, në pesë vitet e ardhshme, ndërsa shkencëtarët e klimës nga një sërë organizatash të tjera, thonë se kjo mund të ndodhë brenda këtij viti ose 2024.

“El Niño zakonisht lidhet me temperaturat rekord në nivel global,” shpjegon drejtori i C3S Carlo Buontempo. “Nëse kjo do të ndodhë në 2023 ose 2024, nuk dihet ende, por mendoj se ka më shumë gjasa sesa jo.”

Viti më i nxehtë i regjistruar në botë është viti 2016, gjatë rikthimit të El Niño. Dhe tetë vitet më të nxehta të regjistruara në botë, kanë qenë të gjitha në tetë vitet e fundit, një prirje që ka përkuar me rritjen e emetimeve të CO2, siç tregojnë grafikët e mëposhtëm.

Burimi: Met Office Hadley Centre

 

Burimi: Our World in Data

 

Ky vit duket se do të sjellë së bashku El Niño dhe rritje të emetimeve të CO2. Emetimet globale të CO2 të lidhura me energjinë u rritën me 0.9%, në një rekord prej mbi 36.8 gigatonësh vitin e kaluar, thotë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Dhe dy ekonomitë më të mëdha në botë, nuk tregojnë asnjë shenjë reduktimi: emetimet e karbonit të lidhura me energjinë në SHBA, parashikohen të rriten këtë vit dhe emetimet e karbonit të Kinës, arritën një nivel të ri në tremujorin e parë të 2023.

 

Këtë vit janë thyer tashmë rekordet e temperaturës

Rritjet e shpejta të temperaturave gjatë marsit, ishin pjesërisht për shkak të rritjes së temperaturave të sipërfaqes së detit në Oqeanin Paqësor ekuatorial, thotë Sutherland.

Dhe në prill, temperaturat globale të oqeaneve, vazhduan të vendosin rekord të ri për muajin, 0.86°C mbi mesataren afatgjatë, thekson NOAA. “Kjo shënoi temperaturën e dytë më të lartë mujore të oqeanit, për çdo muaj të regjistruar, vetëm 0,01°C krahasuar me temperaturat rekord të ngrohta të oqeanit, të regjistruara në janar 2016”, shton ai.

 

Burimi: US National Oceanic and Atmospheric Information

 

Rekorde të tjera të reja të temperaturave për këtë vit, përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar, që përjetoi qershorin më të nxehtë ndonjëherë; Vietnamin, që ka arritur pak më shumë se 44.1°C, Mianmarin, duke arritur 43.8°C,temperatura më e lartë e dekadës; dhe Spanjën dhe Portugalinë, që thyen rekordet e prillit në qytete të caktuara.

Shumë vende europiane kanë thyer edhe rekordet e temperaturave të janarit këtë vit.

Në mes të majit, temperaturat në SHBA-në perëndimore dhe Kanada, u rritën mbi nivelet e regjistruara normalisht në fund të korrikut, duke shkaktuar zjarre.

Një sistem moti “kupolë nxehtësie” po godet zonën, kur atmosfera formon një kapak, që nuk lejon daljen e ajrit të nxehtë të oqeanit, duke zbuluar “gjurmë të qarta gishtash të ndryshimeve klimatike”, sipas Climate Central, një grup i pavarur shkencëtarësh.

Moti ekstrem renditet si rreziku i dytë më i madh, me të cilin përballet bota në dy vitet e ardhshme dhe rreziku i tretë më i madh, në 10 vitet e ardhshme, sipas Raportit Global të Rrezikut të Forumit Ekonomik Botëror 2023.

Rreziku më i madh në 10 vitet e ardhshme, është dështimi për të zbutur ndryshimet klimatike.

“Valët e të nxehtit dhe thatësirat, po shkaktojnë tashmë vdekshmëri masive (një ditë e vetme e nxehtë në 2014, vrau më shumë se 45,000 dhelpra në Australi),” thuhet në raport. “Ndërsa përmbytjet, valët e të nxehtit, thatësirat dhe ngjarjet e tjera ekstreme të motit, bëhen më të rënda dhe të shpeshta, një grup më i gjerë popullatash do të preken.” / Monitor

* Termi El Niño (‘djali’ në spanjisht) i referohet ngrohjes të sipërfaqes së oqeanit, rryma të ujërave sipërfaqësore jashtëzakonisht të ngrohta nga Oqeani Paqësor, drejt dhe përgjatë bregut perëndimor të Amerikës së Jugut, që parandalon ngritjen e ujit të ftohtë nga thellësia, të pasur me lëndë ushqyese dhe prish modelet tipike të motit rajonal dhe global.