Vera fiton një karakter të veçantë, bazuar në kushtet mjedisore, veçanërisht toka dhe klima. Nga rajoni Douro i Portugalisë, deri në Luginën Napa të Kalifornisë, ka shumë destinacione në botë të njohura për peizazhet mahnitëse, klimat e buta dhe verërat e shijshme.

Por, një vend sapo ka triumfuar mbi të gjithë të tjerët, në Decanter World Wine Awards 2023, konkursi më i madh dhe më i njohur në botë i verërave, tashmë në vitin e 20-të të organizimit.

Ishte një fitore për ‘Botën e Re’, pasi 10 verëra australiane u emëruan më të mirat, më shumë se çdo vend tjetër.

Kantina e verës Penfolds, Australi

Markat e njohura Penfolds dhe Jacob’s Creek u përfaqësuan, ndërsa rajoni i lumit Margaret i Australisë Perëndimore, kishte dy verëra të kuqe fituese dhe një të bardhë. McLaren Vale i Australisë së Jugut kishte dy verëra të kuqe të klasit të lartë.

Vendet tradicionale të prodhimit të verës, si Franca dhe Spanja, kanë marrë nga tetë medalje secila. Shampanja më e mire, ishte një Blanc De Blancs Brut Grand Cru jo-vintage, ndërsa Bordeaux më e mirë erdhi nga Château Fayat dhe Château De Rochemorin.

Foto nga Hervé Lefebvre, Chateau Fayat, Francë

Dhe nëse jeni të interesuar për sherry, Harveys 30 Years Amontillado dhe Lustau’s 30 Years Old Oloroso, janë ato që duhet të kërkoni.

Italia kishte shtatë më të mirat në konkurrim, të gjitha të kuqe nga Toskana dhe Piemonte, ndërsa Portugalia, tre më të mirat, shkëlqeu në Port dhe Madeira.

Malbecs nga Argjentina dhe rieslings gjermane, u vlerësuan secila si dy më të mirat dhe Greqia dhe Afrika e Jugut morën nga një çmim secila.

Vera Malbec, Argjentinë

Një Muskat austriak, një verë e kuqe nga Kili, një Grašac serb, një verë e gazuar angleze dhe Pinot Noirs nga Oregon dhe Zelanda e Re, ishin pjesa tjetër e fituesve kryesorë për vitin 2023.

E ardhmja e rajoneve të verës

Ndërsa temperatura rekord kanë përfshirë vendet në mbarë botën, ndryshimet klimatike po ndikojnë në rajonet e verës.

Me valët e të nxehtit në Spanjë, zjarret në pyje në Kaliforni, është një kohë vërtet, vërtet e vështirë. Por nga ana tjetër, ka shumë kantina që po mendojnë për të ardhmen.

Rajonet e famshme për një stil të veçantë vere, tani po mbjellin varietete të ndryshme rrushi. Bordeaux në Francë, për shembull, ka licencuar tetë lloje të reja rrushi.

Njerëzit mund të mendojnë, “Nuk është Kabernet, nuk është Merlot, nuk janë ata që ne njohim. Por në fakt, ato mund të jenë shumë më të përshtatshme për ndryshimin e klimës, që po përfshin të gjithë botën.”, thotë Sarah-Jane Evans, bashkëkryetare e dhënies së çmimeve, që nga viti 2019.

Në rajonin La Rijoa në Spanjë, ku zonat tradicionale të kultivimit të verës janë të përhapura rreth luginës së lumit, ata tani “po shkojnë deri në mal, sa më shumë që të jetë e mundur”.

Riojas Ysios, Spanjë

Vera e gazuar angleze, ende një risi për shumë, po lulëzon në Kent, Sussex, Hampshire dhe Surrey, qarqet juglindore të njohura si “Kopshti i Anglisë”.

Pavarësisht nëse zgjidhni një verë në supermarket, ose planifikoni një vizitë në vreshta, mundësitë në mbarë botën, janë në rritje dhe në zhvillim. Është koha për të hapur një shishe dhe për të shijuar zgjedhjet tuaja. / Monitor