Dekalogu i opozitës pranohet nga mazhoranca. Kuvendi në stanjacion. E vetmja e re është nisja e bisedimeve për reformën zgjedhore që pritet të mbyllet në mars

Pakti i PS

Partia Socialiste riaktualizon si axhendë të vetën politike parullën studentore të para 20 viteve: “Shqipëria si e gjithë Europa”. Kreu i saj, Edi Rama, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka zbardhur projektin socialist për integrimin, duke kërkuar me këtë rast bashkëpunimin e shumicës parlamentare dhe sqarimin e opinionit për të gjithë qasjen e selisë rozë. “Opozita duhet të bëjë e do të bëjë opozitë pa kompromis me të gjitha mbrapshtitë e keqqeverisjes, por është e do të jetë gjithnjë e më i fort zëri i Shqipërisë europiane. Sidoqoftë dhe cilado qofshin arsyet e brendshme që na ndajnë qartë, prerë, pa asnjë mundësi afrimi, në dyert e Brukselit duhet e mund të bëhet zë i përbashkët i të gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar, bazuar mbi këtë pakt e mbi domosdoshmërinë që t’u japim bashkërisht shqiptarëve atë që Europa është gati t’ua japë dhe politika ua ka penguar gjer më sot”, – tha Rama. Pretendimi i tij për ta afirmuar PS-në si zërin e Shqipërisë europiane ngjan si përkufizim i natyrshëm i alternativës së vet përkundrejt një qeverisjeje, që vetëm pak muaj më parë, Edi Rama e ka cilësuar si “fashizëm oriental”.

E mbërthyer në këto terma ligjërimi, opozita po e vetëpozicionon veten rreth nevojës së bashkëpunimit për integrimin, çka tërthorazi vjen si akuzë për shumicën. Në dokumentin e paraqitur kreu socialist ka renditur të gjitha pikat ku opozita mendon të përqendrohet në përmbushjen e reformave të mëdha për të cilat ka nevojë vendi e për të cilat gatishmëria për të shtuar përmbajtjen e tyre është e plotë.

Madje, Rama ka theksuar se mbi këtë dokument fillestar, PS-ja është e hapur që të presë propozime dhe të vërë firmën sa më shpejt të jetë e mundur. “Prioritetet e Bashkimit Europian janë 12, pikat e kësaj oferte për një Pakt Kombëtar për Shqipërinë si gjithë Europa janë 10. E di që numri 10 mund ta trazojë mendjen dhe errësojë arsyen e Saliut, prandaj sqaroj se ne këto kemi, por jemi të hapur që qeveria të shtojë edhe pika të tjera nëse e dëshiron këtë pakt, nëse opozita nuk i duhet për alibi që të rrijë larg lentes së madhe të Bashkimit Europian…Ne jemi gati ta nënshkruajmë këtë pakt që nesër, t’i qëndrojmë në çdo germë, ta kthejmë krizën e thellë politike në një shans për Shqipërinë e për çdo qytetar shqiptar, duke bërë gjithçka kemi në dorë që refuzimi të mos përsëritet”, – tha Rama. Teksa ka shprehur vullnetin e tij për t’u ulur në tryezë me shumicën dhe firmosur paktin, ai nuk ka munguar të nënvizojë se marrëveshja nuk përjashton njohjen e qartë të përgjegjësive politike respektive. Kështu sipas tij, profesionalizimi dhe depolitizimi i administratës publike, zbatimi i strategjisë anti-korrupsion dhe plani i veprimit, lufta kundër krimit të organizuar, përgatitja, miratimi dhe zbatimi i një strategjie kombëtare dhe plani i veprimit për të drejtat e pronësisë, hapat konkretë në forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, marrja e masave shtesë për të përmirësuar trajtimin e të ndaluarve në rajonet e policisë, në qendrat e paraburgimit dhe në burgje, janë të gjitha “përgjegjësi ekskluzive të qeverisë”. Kështu, realiteti aktual për të cilin kërkohet llogari edhe nga BE-ja është faturë e qeverisë, ndaj së cilës opozita socialiste kontribuon me vullnetin politik për reforma dhe normalizim të jetës institucionale.

Berisha

Mazhoranca pritet të pranojë vetëm 2 nga 10 pikat e propozuara prej opozitës, në kuadër të paktit kombëtar që palët duhet të bëjnë për të mundësuar realizimin e disa reformave të rëndësishme për integrimin në BE. Kjo u duk qartë në qëndrimin e kreut të qeverisë, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

Berisha, i cili nuk ngurroi të fliste më shumë se një orë për të gjitha takimet e tij, por foli vetëm pak minuta në lidhje me reformat që qeveria e tij duhet të kryejë me opozitën. Kështu, Berisha diskutoi vetëm për reformën zgjedhore dhe për atë parlamentare, duke injoruar edhe pikat e tjera të paketës, e cila u bë publike nëpërmjet kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në këtë mënyrë, duket se Berisha nuk merr në konsideratë shumë pika të kërkuara nga Rama në emër të bashkëpunimit për të arritur integrimin e vendit.

“Dua të theksoj se po bëhet progres dhe jam i bindur se do të ketë progres në bashkëpunimin për reformën zgjedhore, ku mazhoranca ka qenë gjithnjë e hapur dhe mbetet e hapur të punojë me opozitën dhe të gjithë faktorët e rëndësishëm të kësaj shoqërie për të adresuar një nga një të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR të dy zgjedhjeve të fundit”, deklaroi Berisha për sa i përket nisjes së punës me palëve për reformën zgjedhore. Ndërkaq, ai theksoi për herë të parë zyrtarisht që mazhoranca ishte e hapur edhe për një reformë parlamentare, reformë kjo e kërkuar zyrtarisht nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste edhe nëpërmjet një drafti. Por kreu i qeverisë theksoi se duhej pasur parasysh fakti se rregullorja e Parlamentit, në të cilën kërkoheshin ndryshime, duket të ishte e ngjashme me atë të Parlamentit Europian. “Ndonëse rregullorja e këtij Parlamenti është në standardet më të larta demokratike, ne jemi të hapur për ta përballur atë nen për nen, me rregulloren e Parlamentit Europian dhe standardet më të larta të Europës dhe të botës që ekzistojnë”, deklaroi Berisha, duke theksuar se uronte që nga këto standarde të udhëhiqej edhe opozita në vend. Por me kaq Berisha e ndërpreu komunikimin e tij me mediat, duke mos folur për tetë kërkesat e tjera, për të cilat socialistët po presin një përgjigje.

Burimet bëjnë të ditur se kreu i qeverisë nuk pranon si pika për diskutim kërkesat që Rama ka bërë për shtimin e presionit të politikës ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, për të bërë të mundur edhe mbylljen me rezultate të hetimeve për çështje të rëndësishme në vend si Gërdeci dhe 21 janari. Po kështu burimet bëjnë të ditur se Berisha e konsideron si të tepërt dhe tendencioze kërkesën e Edi Ramës për t’i kërkuar prokurorisë të hetojë kabllogramet e bëra publike nga “Wikileaks”.

Pakti kombëtar i propozuar nga Rama, vjen në kuadër të rritjes së presionit të ndërkombëtarëve për konsensusin që duhet të gjejë klasa politike shqiptare në kuadër të kompletimit të reformave dhe vijimit në këtë mënyrë të procesit të integrimit europian. Duket se deklaratat e ndërkombëtarëve, se opozita dhe mazhoranca kanë të dyja rol dhe faj në për kryerjen ose dështimin e reformave, kanë bërë që Rama të propozojë 10 pika për të ashtuquajturin pakt kombëtar mes mazhorancës dhe opozitës, që do t’i hapë rrugë integrimit të vendit. Nga ana tjetër, aktualisht duket se shanset që ky pakt të pranohet janë minimale dhe po kështu është e sigurt se Shqipëria nuk do të arrijë ta marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian më 13 tetor.

Rama propozoi 10 pika për të ashtuquajturin pakt kombëtar mes mazhorancës dhe opozitës, që do t’i hapë rrugë integrimit të vendit. Nga ana tjetër, aktualisht duket se shanset që ky pakt të pranohet janë minimale

Reforma Zgjedhore

Pas heqjes dorë nga bojkoti parlamentar, opozita vendosi t’i hapë dritën jeshile bashkëpunimit me mazhorancën për reformën zgjedhore dhe perspektivës për reforma të tjera. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama ndonëse theksoi se tashmë të mandaturit e PS-së për këtë reformë ishin deputetët Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi, deklaroi se partia që drejton po përgatit një draft për të reformuar jo vetëm zgjedhjet, por shumë aspekte të funksionimit të jetës në vend. Pak minuta pas takimit me dy ministrat e Jashtëm të BE-së, Rama theksoi se mundësitë e bashkëpunimit ishin të hapura, por me kushtin që këto ligje të përbënin vërtet reforma integrale dhe me ndikim pozitiv në shoqëri.

“Reforma zgjedhore s’mund të nisë me ngritjen formale të një komisioni parlamentar, pa pasur paraprakisht një hartë konsensuale veprimi dhe një kalendar të miratuar bashkërisht për të gjithë hapat deri në miratimin e ndryshimeve të nevojshme me transparencë të plotë ndaj të gjitha partive parlamentare e joparlamentare e ndaj vetë publikut shqiptar”, theksoi Rama, duke i lënë si detyrë Gjiknurit dhe Hysit që të merrnin për këtë reformë jo vetëm mendimet e bazës socialiste, por edhe të aleatëve të Partisë Socialiste.

Ndërkaq, partia më e madhe në mazhorancë, ajo Demokratike, i ka treguar gatishmërinë Partisë Socialiste sa i përket kryerjes së reformës zgjedhore, duke caktuar deputetin Viktor Gumi dhe demokratin Oerd Bylykbashi si personat përmes të cilëve PD-ja do të jepte propozimet e saj. Gatishmëria u shpreh edhe përmes një letre që kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i dërgoi homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, në kuadër të kësaj reforme të rëndësishme. Po kështu, Patozi i kërkoi Ruçit, që si shenjë bashkëpunimi, dy palët duhet të ftonin OSBE/ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias për të sugjeruar dhe monitoruar punën me reformën zgjedhore. Ende nuk dihet nëse palët do të bëjnë ndryshime të thella në Kodin Zgjedhor, siç është, për shembull, edhe sistemi aktual, i cili është proporcional rajonal.

Nga ana tjetër, ndryshime priten edhe sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por nuk dihet nëse palët do të vendosin për ndryshimin e përbërjes së tij, nga politike në profesionale. Edhe reforma e fundit zgjedhore në vendin tonë është bërë me konsensusin e dy palëve.

Pikat

1. Votimi i menjëhershëm i një rregulloreje për bashkëjetesën në sallën e Kuvendit.

2. Ngritja e një komisioni parlamentar ad hoc për reformën institucionale të Kuvendit.

3. Arritja e një marrëveshjeje për përfundimin e reformës zgjedhore deri në mars të 2012-s, bazuar mbi raportet e OSBE/ODIHR-it, duke rënë dakord që çdo propozim i PS-së që gjen konsensusin e OSBE/ODIHR-it të miratohet me konsensus.

4. Zgjedhja me konsensus e këshillit të Bankës së Shqipërisë dhe guvernatorit të saj.

5. Zgjedhja me konsensus e kreut të Komisionit të Lartë të Shtetit dhe paraqitja e një profili para Presidentit, jo si emër, por thjesht si staturë, një person që nuk vjen nga partitë.

6. Zgjedhja konsensuale e Avokatit të Popullit.

7. Komisioni i Ligjeve të trajtojë së bashku me një grup ekspertësh çdo çështje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5, kjo brenda kësaj legjislature, dhe garancia se do të ketë dakordësi mbi çdo produkt të punës së këtij komisioni.

8. Të ndërmerret një tryezë ku të përfshihet edhe opinioni i Komisionit të Venecias për ndryshime në Kushtetutë në transparencë të plotë me publikun, për sa i përket çështjes së imunitetit.

9. T’i drejtohemi Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit.

10. Balancimi me konsensus i bordit të TVSH-së, KKRT-së dhe të votimi me konsensus i li