Komisioni Europian ka miratuar një paketë prej 103.3 milionë euro për të mbështetur Shqipërinë. Programi i miratuar përqendrohet në çështjet thelbësore për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të tilla si sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisja e mirë. Për më tepër, ofrohet ndihmë për të adresuar më tej pasojat e krizës COVID-19.

“Bashkimi Europian vazhdon të qëndrojë pranë Shqipërisë. Përballë krizës COVID-19, ne kemi bërë rregullime të fondeve ekzistuese për të ndihmuar Shqipërinë t’i rezistojë sfidave aktuale sociale dhe ekonomike. Në të njëjtën kohë, fondet e Bashkimit Europian synojnë të mbështesin reformat kryesore që Shqipëria duhet të zbatojë për të ecur përpara në rrugën e saj Europiane”, komentoi Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Programi përfshin veprime për të forcuar shtetin e së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përmirësuar kapacitetin e Prokurorit Special për Antikorrupsionin, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe institucionet e pavarura të drejtësisë.

Financimi është caktuar gjithashtu për zhvillimin e një tregu dinamik të tokës në Shqipëri, përmes krijimit të një kornize të qartë të të drejtave të pronës. Paketa gjithashtu vazhdon të mbështesë përmirësimin e kapacitetit të sektorit publik për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe bizneseve. Programi do të funksionojë si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë lokal.

BE do të vazhdojë të mbështesë pjesëmarrjen e Shqipërisë në programet e BE-së të tilla si Erasmus + dhe Horizon2020.

Më në fund, paketa aktuale plotëson masat e tjera të lidhura me COVID-19 të vendosura për Shqipërinë nga Bashkimin Europian, duke zgjeruar mbështetjen për bizneset dhe ekonominë e përgjithshme.

Monitor.al