Mësymje diplomatike në Tiranë
OSBE, rol më aktiv në zgj
edhje

Miroslav Lajçak caktohet si kryenegociator

Shqipëria po i afrohet një ndërhyrjeje të re energjike për të shmangur një përplasje të madhe politike dhe sociale, nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Pas ngjarjeve të reja tragjike të 21 janarit Uashingtoni dhe Brukseli kanë arritur në një qasje të paanshme që godet por është edhe e baraslarguara nga palët në konflikt që prej dy vjetësh: mazhoranca e djathtë në pushtet dhe opozita e majtë. Thelbi i kësaj ndërhyrjeje është ngërçi që zgjidhet vetëm nga mjetet institucionale dhe kushtetuese pasi Shqipëria është demokraci, ndaj zgjedhjet lokale të 8 majit shikohen si instrumenti kryesor për zgjidhjen e ngërçit, duke i ofruar garanci monitoruese opozitës, por edhe asistimi për një marrëveshje brenda Parlamentit ndërmjet PD-së dhe PS-së. Këto ditë dy aleatët kryesorë të Shqipërisë vendosën që të caktojnë diplomatin sllovak Miroslav Lajçak si kryenegociator për Shqipërinë.

Lajçak

Miroslav Lajçak do jetë së shpejti sërish në Tiranë. Burime diplomatike bënë të ditur se përfaqësuesi europian do të mbërrijë edhe njëherë në Shqipëri, por kësaj radhe si mandatar i përbashkët i SHBA-së dhe BE-së. Pas një serie vizitash që kanë kulmuar me atë të numrit dy të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Steinberg, duket se komuniteti ndërkombëtar dhe aktorët më të rëndësishëm të tij do të mbajnë praninë e tyre në Shqipëri në funksion të zgjidhjes së krizës politike aktuale. Ajo që përbën risi është angazhimi i përbashkët i amerikanëve dhe BE-së duke zgjedhur një përfaqësues të vetëm edhe pse deri më tani asgjë konkrete nuk është bërë e njohur për publikun.

Nëse vizitat e shpeshta si ato të Lajçak janë shfaqje e interesit konkret dhe angazhimit të pandërprerë ndërkombëtar për krizën shqiptare, e cila ende nuk ka gjetur rrugën e zgjidhjes.

E vendosur në planin e perspektivës, me siguri vizita e afërt e të dërguarit të SHBA-BE-së do të ketë si angazhim thelbësor zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit në një klimë sa më normale dhe brenda një kuadri ligjor të gjithëpranuar. Po kështu, duke u nisur nga këmbëngulja e aktorëve të huaj për qëndrueshmërinë e institucioneve dhe zgjidhjen ligjore, duhet marrë në vështrim edhe mënyra sesi mund të zgjidhen kërkesat e Partisë Socialiste për 8 majin.

Duke lënë mënjanë listat e zgjedhësve, sigurinë e kartave të identitetit, problem kryesor mbetet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe mandej plotësimi i vendeve vakante në komisionet e nivelit të dytë. Më thjesht, angazhimi për pjesëmarrje në administrimin e procesit zgjedhor në vend. Në rendin kohor të zhvillimit diplomatik kjo vizitë është e treta për Miroslav Lajçak, i cili sjell kësaj radhe në Tiranë një mesazh të plotë të komunitetit ndërkombëtar, i cili ka realizuar misionet faktmbledhëse në terren dhe është sot në gjendje për të sugjeruar mirë se cila është rruga e Shqipërisë në daljen nga kriza. Thënë kjo duket se demokracia jonë mbetet ende në fazë embrionale për sa kohë që institucionet nuk po ia dalin që të marrin protagonizmin e duhur ligjor jashtë kontekstit politik që diktojnë dy partitë kryesore.

Dy aktorët më të mbështetur deri më tani janë Presidenti i Republikës dhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila edhe pse merr verbalisht përkrahje të plotë vijon të mbahet nën sulmin e Partisë Demokratike dhe qeverisë. “Hetimi i plotë i 21 janarit”, si varianti më i këshilluar i SHBA-së dhe BE po tentohet të kufizohet nga ana e shumicës të paktën nisur nga komunikimi i përditshëm publik i përfaqësuesve të saj. Për këtë arsye, prezenca e aktorëve të huaj në krah të Prokurores së Përgjithshme mund të vëzhgohet si elementi më domethënës për të shpjeguar arsyet e tensionit që partitë politike dhe sidomos shumica në pushtet ka me 21 janarin dhe rrjedhimet që një hetim i vërtetë mund të sjellë mandej. Lajçak, Contryman, Steinberg e sërish Lajçak në emër të të gjithë partnerëve po sjellin në Shqipëri mesazhe të qarta prej të cilave do të duhet të priten tri zhvillime kryesore; zbardhja e ngjarjes së 21 janarit në të gjitha përgjegjësitë e veta, orientim drejt zgjedhjeve të 8 majit dhe rifunksionalizim i jetës parlamentare.

Steinberg

Gjatë vizitës së tij që zhvilloi në Tiranë, Zv.Sekretari Amerikan i Shtetit, James Steinberg bëri të ditur se formula për krizën është vetëm një: futja e procesit politik në shinat e saj dhe ndalimi i luftës institucionale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar një mesazh të fortë ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës pas vizitës që zv. sekretari i Shtetit të SHBA-së, James Steinberg, ku nuk është arritur të bindë palët për një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike. Por nga udhëtimi i tij dyditor në Tiranë, zëvendësi i Hillari Klinton, mësohet se ka marrë një premtim për të shmangur një përplasje jashtë shinave kushtetuese dhe nisjen e një procesi për zgjidhjen politike të situatës. Këtë e ka deklaruar vetë zv. sekretari i Shtetit, Steinberg, pas takimeve me Topin, Berishën, Ramën dhe kryeprokuroren Ina Rama. “Kërkova të njëjtën gjë nga të gjithë udhëheqësit: Respekt për Kushtetutën, respekt për institucionet e pavarura që ekzistojnë në bazë të Kushtetutës tuaj, respekt për proceset zgjedhore që janë përcaktuar nga Kushtetuta, pjesëmarrje në proceset zgjedhore, dhe, njësoj e rëndësishme për këto dispozita ligjore, një debat të qytetëruar mbi të ardhmen e vendit.

Mendoj se këto gjëra janë gjëra që nuk i kërkon vetëm SHBA, por i kërkojnë qytetarët e Shqipërisë. Dhe mendoj se shumë më e rëndësishme sesa ajo që më thanë mua, është ajo që ata do të bëjnë në ditët dhe javët në vazhdim. E vlerësoj tonin pozitiv dhe frymën pozitive që të gjithë udhëheqësit që takova sot shprehën gjatë bisedave tona dhe kam shpresë se do të shohim përparim ndërsa ecim përpara”. Pikërisht përgjigjja e fundit e zv. sekretarit të Shtetit të SHBA-së ka qenë dhe thelbi i qëndrimit të tij zyrtar në përfundim të vizitës në Tiranë.

Burime diplomatike bënë të ditur se ende nuk është arritur që nga Berisha dhe Rama të merret një premtim për një nisje të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje, por burimet theksojnë se më 26 shkurt ka qarkulluar një optimizëm i ‘ndrojtur” për një zhvillim pozitiv në ditët e ardhshme, qëndrim që e ka bërë publike dhe zv. sekretari Steinberg.

Z.Steinberg është një nga zëvendësit kryesorë të sekretares Hilary Clinton, e cila e ka dërguar emisarin e saj në vendet problematike të Ballkanit: Shqipëri dhe Bosnjë, dhe ato të Kaukazit: Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji.

OSBE

Zgjedhjet vendore të 8 majit pritet të kenë një vëzhgim “ndryshe” si nga observatorët e Bashkimit Europian, por në veçanti nga ekspertët e fushës së Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe specifikisht të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Siç mësohet nga burime diplomatike, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Bashkimi Europian po shtyjnë fuqishëm për një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për një marrëveshje për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit, për të cilat opozita kërkon garanci të forta për të mos u përsëritur ato që ajo i cilëson manipulime të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Dhe “thembra e Akilit” në zgjedhjet e kaluara ka qenë pikërisht numërimi dhe administrimi i rezultateve të votimit.

Ndërkaq, ODIHR ka mbyllur procesin e pranimit të dokumenteve për aplikimin e kandidatëve për misionin afatgjatë vëzhgues të ODIHR-it në zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri. Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të këtij institucioni, më 24 shkurt ka qenë afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për nëntë poste të këtij misioni, i cili do të instalohet në Tiranë në ditët e fundit të marsit. Ndërkohë, përveç grupit të vëzhguesve afatgjatë pritet që të vijë në Tiranë dy ditë para zgjedhjeve edhe “armata” e monitorëve afatshkurtër që do të drejtohen nga grupi permanent.

De Brichambaut

Zgjedhjet e 8 majit rikonfirmohen si stacion i domosdoshëm për legjitimitetin e klasës politike dhe raporteve ekzistuese të pushtetit.

Vizita e 28 shkurtit në Tiranë e sekretarit të Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, ka rivënë në tryezën e institucioneve kryesore në vend nevojën e angazhimit për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të cilat OSBE ka premtuar një mision të gjerë vëzhgimi. “Këtu ka institucione që funksionojnë dhe një kornizë të përshtatshme ligjore. OSBE dhe partnerët e tjerë, tashmë, e kanë bërë shumë të qartë se nuk ka asnjë arsye për mosmbajtjen e zgjedhjeve në 8 maj, në kohën kur ato janë caktuar.

Ne po përgatitemi për një prani të madhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët do të jenë këtu përkrah shqiptarëve, në mënyrë që të garantojmë një proces të mirë zgjedhor”, është shprehur De Brichambaut. Kështu, parashtrimi i vetëm që vjen nga ndërkombëtarët është një matje forcash në zgjedhjet lokale, për të cilat japin garancinë e monitorimit të detajuar.

Të vendosur paralelisht në dy rrugë, përpjekjet e faktorit ndërkombëtar synojnë në unifikimin e qëndrimit të të gjithë aktorëve perëndimorë, pra SHBA dhe BE, e më pas ofensivën diplomatike për të imponuar një marrëveshje politike mes Berishës dhe Ramës. Negociatori Lajçak deklaroi në Parlamentin Europian se “nevojitet që Shqipëria të kthehet në rrugën europiane, por nevojitet dhe unitet qëndrimesh me SHBA-të”. Ndërkaq burime diplomatike bënë të ditur se ndërkombëtarët kanë llogaritur disa skenarë për strategjinë e negocimit të krizës në vend.

Skenari i parë

Siç mësohet, një nga mundësitë për negocimin e krizës është një dialog i drejtpërdrejtë mes Berishës dhe Ramës dhe arritjes së një marrëveshjeje për rikthimin e procesit politik në vend. Arritja e një marrëveshjeje të negociuar mes palëve, që mund ta kthente opozitën në shtratin institucional dhe zhvillimin normal të zgjedhjeve lokale të 8 majit me një garanci të shtuar të ndërkombëtarëve. Por ky skenar ka disa avantazhe, siç bënë të ditur diplomatë të Perëndimit, pasi si Berisha, por edhe Rama refuzojnë një takim tetë a tetë me njëri-tjetrin.

Mes palëve ka humbur besimi dhe nuk ka shumë gjasa për një marrëveshje për zhvillimin normal të zgjedhjeve lokale. Gjithsesi burime diplomatike, edhe pse e shohin të vështirë, theksojnë se nuk është i pamundur ky plan. Kjo për faktin, sepse siç thonë ata, politikanët shqiptarë aq herë kanë qenë në pozicione ekstreme kundër njëri-tjetrit, sa kanë arritur të “harrojnë” ato ç’kanë thënë.

Ky skenar shikohet më i favorshmi, pasi mund të ndihmonte shumë Shqipërinë të rikthehej lehtë në rrugën e integrimit, pra të niste menjëherë puna për plotësimin e 12 kushteve të BE-së për marrjen e vendit kandidat.

Dhe kushtet për këtë nuk janë shumë të rënda nëse ka vullnet, pasi do të duhej thjesht plotësimi i kriterit politik, pra funksionimi i Parlamentit dhe reforma në drejtësi, që mund të kryhet me një pakt PD-PS. Por opozita ka kërkesa të “rënda” ndaj mazhorancës për të shkuar te ky pakt, ku kushti më i vogël pas 21 janarit është dorëheqja e qeverisë aktuale dhe një kabinet i ri, ku emrat e ministrave do të kushtëzoheshin nga PS-ja. Një kusht që nuk shihet normalisht i pranueshëm nga lidershipi i mazhorancës.

Skenari i dytë

Nëse nuk do të realizohej plani “A”, i dyti konsiston në një mënyrë më gjithëpërfshirëse në zgjidhjen e krizës shqiptare, e cila nuk parashikon një takim mes PD-së dhe PS-së, por një tryezë të gjerë e thirrur nga Presidenti i Republikës, me të gjithë partitë politike shqiptare, aktorë të tjerë të rëndësishëm politikë në vend si ish-presidentë por edhe politikanë të tjerë veteranë, si dhe konstitucionalistë dhe figura të njohura.

Ky variant i njohur në shumë kriza shqiptare, shikohet me simpati nga Perëndimi, por për këtë do të nevojitet një heqje dorë nga paragjykimi i dy aktorëve kryesorë: Berisha dhe Rama.

Edhe ky plan si i pari shihet si i favorshëm pasi e konsideron zgjidhjen e krizës shqiptare nga “aktorët lokalë” çka do të thotë që investimi i bërë nga Perëndimi gjithë këto vite për stabilizimin e vendit ka qenë në rrugë të mbarë.

Skenari i tretë

Ky plan do të ishte më fatali dhe më i rëndi për vendin. Skenari “rezervë” pritet të vihet në përdorim vetën nëse dështojnë dy të parët. Pra, nëse aktorët politikë vendas nuk do të arrinin një marrëveshje mes palëve, atëherë BE dhe SHBA do të linin situatën “varur” deri në arritjen e kulmin. Që do të thotë dështimi i zgjedhjeve lokale të 8 majit, skenar që shikohet i mundshëm nëse nuk arrihet marrëveshje mes palëve. Vetëm në këtë pikë, atëherë BE dhe SHBA, duke aktivizuar natyrisht organizmat legalë ndërkombëtarë të zgjidhjes së krizave, që janë si OKB-ja, Këshilli i Ministrave të BE-së, por edhe Këshilli i OSBE-së, mund të imponojnë një draft dhe zgjidhje për palët. I njëjti skenar që ka ndodhur edhe në krizën e vitit 1997. Vendi do të hynte në zgjedhje me tension, të cilat do të quhen në fund të “pranueshme” dhe Shqipëria do të rifillonte nga e para atë cikël që e quante të mbyllur kur firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, anëtarësimit në NATO, por edhe liberalizimin e vizave me shtetet e listës “Shengen”.

Zgjedhjet vendore

Zgjedhjet vendore të 8 majit pritet të kenë një vëzhgim “ndryshe” si nga observatorët e Bashkimit Europian, por në veçanti nga ekspertët e fushës së Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe specifikisht të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR)