Në verë më shumë se kurdo Jugu i vendit është destinacioni më i frekuentuar turistik, po të përjashtojmë këtu Durrësin me turizmin e organizuar. Por një projekt i mbështetur nga Banka Botërore që ka tashmë disa vite që po zbatohet i lidhur me zhvillimin e turizmit dhe integrimin urban ka vendosur që të kthejë destinacionet e Jugut në marka të veçanta. Sipas një njoftimi prokurimi në faqen e Bankës Botërore aktualisht po kërkohet një konsulent që do të japë shërbimin e zhvillimit të tregut në Jug të Shqipërisë.

Në objekt të këtij projekti është krijimi i një infrastrukture marketingu si dhe mbështetja e këtij marketingu për të paktën dy vjet për zbatimin monitorimin dhe raportimin e rezultateve.

Por cilat janë shtatë detyrat kryesore të konsulentit. E para është krijimi i brandeve (markave) të turizmit për secilën bashki duke analizuar statusin aktual, pozicionimin dhe zbatimin e markës.

Së dyti zhvillimi i uebsajteve për çdo bashki që do të bëhet në bashkëpunim me entitetet lokale të menaxhimit të turizmit dhe bashkitë për ecurinë 2 vjeçare të uebsajteve dhe për të monitoruar rezultatet, rifreskuar informacioni. Konsulenti do të kërkohet që të krijojë uebsajtet dhe t’i menaxhojë ato në mënyrë të vazhdueshme t’i monitorojë dhe të raportojë për rezultatet.

Krijimi dhe menaxhimi i profileve në mediat sociale për çdo bashki përmes vendosjes së profileve të mediave për çdo bashki fillimisht në Facebook dhe Instragram si dhe menaxhimi i vazhdueshëm i këtyre kanaleve përgjatë dy viteve së pari në angslisht.

Detyra e katërt është zhvillimi i fotove me cilësi të lartë dhe videove për çdo bashki si dhe zonat përreth që nuk tregojnë vetëm burimet dhe atraksionet e zonës por edhe aktivitetet që mund të eksplorohen në këtë zonë. E njëjta gjë aplikohet dhe për videot. Materialet do të vendosen në uëbsajt, rrjete sociale si dhe do të printohen.

Detyra e pestë është dizejnimi dhe printimi i broshurave me hartën e çdo bashkie duke mundësuar përmbajtje për turizmin në bashkëpunim me autoritetet e menaxhimit të turizmit.

Detyra e gjashtë ka të bëjë me mundësimin për të paktën dy vjet për mbështetje marketingu në çdo bashki dhe përgatitja e strategjisë së mirëmbajtjes së aktiviteteve përtej kohës së konsulencës si dhe promovimi i produkteve të turizmit që do të ekzekutohen në këto dy vite.

 Detyra 7 është ajo e monitorimit të rezultateve përgjatë implementimit 2 vjeçar si dhe dorëzimi në mënyrë të rregullt i raporteve mbi rezultatet si dhe vlerësimet cilësore dhe sasiore.

 

/MONITOR.AL