TVSH te biznesi i vogël, nis rritja e çmimeve

2018-04-12T13:08:01+00:0012 Prill, 2018 12:50|Kategoritë: Para, Tregje|

Përfshirja në TVSH po sjell rritjen e çmimeve te tregtarët e fruta-perimeve. Nga një vëzhgim i “Monitor” tregtarët e vegjël të cilët janë përfshirë në skemën e TVSH-së së fundmi kanë filluar që të rrisin çmimet e produkteve. Një pako standarde me luleshtrydhe kushtonte sot 120 lekë, rreth 20 lekë më shumë se një ditë më parë. Për më shumë se një javë çmimi i një pakoje ishte 100 lekë.  Tregtari me pakicë tha për Monitor se e kishte rritur çmimin pikërisht për shkak të përfshirjes në skemën e TVSH-së. Ai tha se e ka të papërballueshme që ta mbajë vetë si kosto TVSH-në, dhe për ta përballuar ka vendosur që të rrisë çmimin, dhe ta kalojë te konsumatori koston.

Tregtari tregon se rritjen nuk e ka bërë për të gjitha produktetet. Për frutat e thata, arrat dhe lajthitë, çmimin e ka të pandryshuar.

Rritja e çmimit ka filluar që të krijojë pakënaqësi tek konsumatorët. Elvira, kliente e përditshme e dyqanit, për shkak të rritjes së çmimeve sot po blen më pak se një ditë më parë. Kur ajo pa se çmimi kishte ndryshuar hoqi disa prej produkteve që kishte blerë nga shporta. Për “Monitor” ajo tregoi se rritja e çmimeve do ndikojë në konsumin e saj të përditshëm.

Pranë fruta-perimeve, sapo është hapur një restorant i vogël peshku. Çmimet kanë ndryshuar që prej 1 prillit, megjithëse biznesi i tij nuk ka kaluar ende si biznes me TVSH. Sipas të zotit të lokalit furnizuesit e tij, të cilat sapo janë përfshirë në skemë kanë rritur çmimet e produkteve që ai furnizohet.

Në rritjen e çmimeve të produkteve po ndikon edhe efekti psikologjik. Në tregun agro-ushqimor, ku bizneset nuk janë të përfshirë në skemën e TVSH-së, tregtarët kanë filluar të aplikojnë rritjen e çmimeve. Ata thanë se çmimet i kanë rritur për shkak se ndihen të pasigurt për biznesin e tyre.

Ndërsa Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi gjatë konferencës së të martës tha se përfshirja në skemën e TVSH nuk do të sjellë as rritje të çmimeve, as ulje të fitimeve të bizneseve.

Nga 1 prilli, ka hyrë në zbatim, vendimi për uljen e pragut të qarkullimit vjetor mbi të cilin llogaritet TVSH-ja nga 5 në 2 milionë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve nga 1 prilli kanë hyrë automatikisht në skemën e TVSH-së 11,500 subjekte, të cilët janë identifikuar nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar; si dhe nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017. Ndërsa rreth 60 mijë të tjera janë jashtë skemës së TVSH-së.