“Largimi i heshtur” (quiet qutting) bëri bujë vitin e kaluar, pasi punonjësit filluan t’i jepnin përparësi kufijve, duke mos marrë përsipër punë shtesë ose duke mos bërë më shumë se detyrat e tyre.

Ndërsa quiet quitting konsiderohet shpesh, si një refuzim personal i kulturës së nxitimit dhe produktivitetit, disa punonjës nuk po e mbajnë më për vete pakënaqësinë, përkundrazi, ata po angazhohen në “largimin me zë të lartë” (loud quitting).

Sipas një raporti të ri nga Gallup, me më shumë se 120,000 punonjës në të gjithë botën, pothuajse 1 në 5, ose 18%, e punonjësve, po ‘heqin dorë me zë të lartë’, ose po shkëputen në mënyrë aktive.

“Diku gjatë rrugëtimit në vendin e punës, besimi midis punonjësit dhe punëdhënësit, u thye rëndë. Ose punonjësi nuk përputhet aspak me rolin e punës, gjë që shkakton kriza të vazhdueshme.”
Gallup, State Of The Global Workplace 2023

Kompania e konsulencës, i përkufizoi punonjësit të cilët po hiqnin dorë nga puna shtesë, duke u shkëputur në mënyrë aktive dhe duke mos u angazhuar në punë, si punonjës që ndërmarrin veprime, që “dëmtojnë drejtpërdrejt” organizatën, ndërsa nënvlerësojnë qëllimet e saj dhe kundërshtojnë drejtuesit.

Me shumicën e punonjësve në botë, që rregullisht heqin dorë nga detyrat shtesë apo përkushtimi në vendin e punës (59%), vetëm 23% e të anketuarve, e konsiderojnë veten të motivuar ose të angazhuar në punë.

Punonjësit me angazhim të ulët, po i kushtojnë ekonomisë globale, rreth 8 trilion dollarë dhe përbëjnë 9% të PBB-së globale, sipas Gallup.

Çfarë do të thotë loud quitting për kompanitë

Loud quitting, mund të sinjalizojë “risqe të mëdha” në një organizatë, që nuk duhet të anashkalohen, tha Gallup.

Punonjësit e shkëputur në mënyrë aktive, raportojnë se ndihen dukshëm më të stresuar në punë.

Sipas raportit, vetëm 30% e punonjësve të angazhuar, ndjenin “shumë stres” në baza ditore, krahasuar me 56% të punonjësve, që u japin zë pakënaqësive, teksa heqin dorë nga detyrat shtesë, ndërsa 1% e tyre, po kërkojnë në mënyrë aktive punë të re, krahasuar me 43% të punonjësve të angazhuar, shtoi raporti.

Ndërkohë, nevojitet një rritje pagash prej 22%, për t’i bërë punonjësit e paangazhuar, dhe punonjëst e shkëputur në mënyrë aktive, që të mos kërkojnë punë diku tjetër.

Megjithatë, quiet quitting mund të jetë “mundësia më e madhe” e një kompanie për rritje dhe ndryshim, tha Gallup.

“Punonjësit, që heqin dorë në heshtje, janë të gatshëm të frymëzohen dhe motivohen – nëse stërviten në mënyrën e duhur”, shtoi ai.

“Disa ndryshime në mënyrën e menaxhimit të tyre, mund t’i kthejnë ata në anëtarë produktivë të ekipit,” thuhet në raport.

Sipas sondazhit, 85% e përgjigjeve të ofruara nga quiet quitters, ishin të lidhura me angazhimin ose kulturën, pagën dhe përfitimet ose ekuilibrin mirëqenie-punë/jetë.

“Angazhimi i vërtetë, do të thotë që njerëzit janë psikologjikisht të pranishëm, për të bërë punën e tyre,” tha Gallup.

“Ata kanë atë që u nevojitet; dhe kanë një menaxher dhe ekip mbështetës. Ata e dinë pse puna e tyre ka rëndësi.” / Monitor