Shërbimet e komunikimeve elektronike vijuan rritjen edhe në vitin 2019, ndonëse me ritme të ulëta. Të dhënat zyrtare tregojnë se të ardhurat në këtë treg ishin 35.3 miliardë lekë apo rreth 287 milionë euro, me një rritje 1 për qind në raport më vitin 2018. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në këtë treg dominojnë kompanitë celulare që kanë qarkulluar 74.5 për qind të totalit.

“Pjesën më të madhe të të ardhurave e përbëjnë ato të gjeneruara nga subjektet që ushtrojnë aktivitet të telefonisë celulare, konkretisht rreth 26.3 miliardë lekë, që përbën një rënie me rreth 2% nga viti 2018. Për sa i përket të ardhurave nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike nga rrjetet fikse, të ardhurat e raportuara janë rreth 9 miliardë lekë, shifër kjo rreth 11% më e lartë se ajo e vitit të kaluar” thuhet në dokumentin e AKEP.

Sa i takon kompanive , operatori me peshën më të madhe të të ardhurave në fushën e e shërbimeve të komunikimeve elektronike është Vodafone Albania me rreth 41% të totalit të të ardhurave, ndjekur nga Telekom Albania me rreth 23%,sipërmarrësi Albtelecom ndodhet në vendin e tretë me rreth 22% të tregut për të dy rrjetet fikse dhe mobile, Abcom është operatori i dytë i rrjeteve fikse për të ardhurat me rreth 4%, i ndjekur nga ASC me rreth 2%, pjesa tjetër rreth 14% u takon operatorëve të tjerë të rrjeteve fikse.

Kompanitë celulare kanë pësuar ulje të të ardhurave ku Telekom Albania ka shënuar rënie me 5 për qind, ndërsa Vodafone me 1 për qind. Albtelecom është në të njëjtin nivel si viti i shkuar.

Rezultati financiar i kompanive ka qenë pozitiv për dy prej operatorëve ndërsa një prej tyre ka thelluar humbjen në raport me vitin 2018. Kështu sipas AKEP, Telekom Albania ka rezultuar me rezultat neto pozitiv (fitim) rreth 285 milionë lekë.

“Rezultat pozitiv ka raportuar edhe Vodafone Albania me rreth 1.4 miliardë lekë, shifër kjo sa dyfishi i fitimit të realizuar vitin e kaluar. Në ndryshim nga dy sipërmarrësit e tjerë Albtelecom gjatë vitit 2019 ka raportuar rezultat financiar negativ me rreth 645 milionë lekë, duke e thelluar humbjen nga rreth 330 milionë lekë humbje që raportonte për vitin 2018” nënvizon AKEP.

Investimet në rritje

AKEP raporton se kompaninë kanë vijuar investimet edhe gjatë vitit 2019 duke regjistruar vlerën më të lartë nga viti 2011.

Gjatë vitit 2019 investimet në infrastrukturën e rrjetit celular u rritën me rreth 56% duke arritur në shifrën rreth 6.35 miliard lekë, nga rreth 4 miliardë në vitin 2018, duke arritur vlerën më të lartë që pas vitit 2011. Kjo rritje është ndikuar nga rritja e investimeve të Vodafone Albania i cili ka investuar në vitin 2019 rreth 3.5 miliardë lekë, e ndjekur nga Telekom Albania me rreth 2.6 miliardë lekë, ndërkohë që Albtelecom ka investuar rreth 160 milionë lekë.

Investimet në rrjetet fikse gjatë vitit 2019 raportohen rreth 1 miliarde e 225 milionë lekë çka përbën një ulje të ndjeshme me investimet e raportuara një vit më parë rreth 2 miliarde e 498 milionë lekë, megjithatë kjo shifër pritet të jetë më e lartë pas raportimit të pasqyrave financiare dhe auditimit të tyre” thuhet në raport.

 

Monitor.al