Mes ujërave të qeta të arkipelagut Quirimbas, në Mozambik, Ibo është një ishull me një bukuri mistike.

Dhomat prej druri bashkohen me brigjet e qeta, rrugët pa makina janë të mbushura me vila të rrënuara dhe ndërtesa të mbuluara me myshk, ndërsa një udhëkryq kulturash – arabe, suahili, indiane dhe portugeze – pasqyron një histori të gjatë dhe të trazuar.

Më pak i njohur se Ishulli fantastik i Mozambikut më në jug, ky ishull i pacenuar me shkëmbinj nënujorë koralorë, krenohet me një bukuri, që ende nuk është ndikuar nga turizmi në shkallë të gjerë.

 

 

Vajtja është e vështirë, nëse nuk merrni me qira një avion, dhe objektet turistike, përveç disa shtëpizave të bukura, janë të pakta.

Në bregun veriperëndimor është një fshat me rreth 4000 banorë, ndërsa më në jug gjenden ferma të vogla, që rritin një bimë unike kafeje të egër.

Në “qytetin e gurtë” të vjetër kolonial, rrënojat alternohen me pallate dhe fortesa të restauruara, që datojnë që nga periudha kur Ibo, ishte një qendër e tregtisë portugeze të skllevërve afrikanë.

 

Pse ta vizitoni ishullin Ibo?

Me një sipërfaqe prej vetëm 15 km katrorë, Ibo është një ishull i vogël me një atmosferë ndjellëse, që pasqyron përzierjen e pasur të traditave myslimane dhe të krishtera.

Mënyra ideale për ta përjetuar atë, është në një natë të kthjellët me hënë, kur ndërtesat e vjetra koloniale të qytetit të lashtë prej guri, marrin një aspekt të frikshëm, pothuajse të pavërtetë.

 

 

Në mungesë të rrugëve të asfaltuara, dyqaneve dhe madje edhe një banke, qendra historike duket si një qytet fantazmë. Megjithatë, pavarësisht karakterit të tij të përgjumur dhe mungesës së infrastrukturës, ishulli – sapo të mbërrini – ofron qëndrim të rehatshëm, falë disa shtëpizave të pajisura mirë.

Në Ibo mund të pushoni në akomodime elegante, që pasqyrojnë shumëllojshmërinë e kulturave të ishullit, si dhe të organizoni një sërë aktivitetesh interesante, shumë prej të cilave janë ujore.

Shkoni të peshkoni gaforre me peshkatarët vendas, zhytuni në ujërat e populluara nga delfinët, ose lundroni në zonat më të largëta të arkipelagut, me një varkë tradicionale të drejtuar nga era.

 

 

Si të shkoni në ishullin Ibo

Varkat për në Ibo (45 minuta) nisen nga Tandanhangue në veriun e largët të kontinentit të Mozambikut, një udhëtim 6-7 orë nga qyteti i Pemba, përgjatë një rruge të vështirë.

Përndryshe, fluturimet direkte çarter nga Pemba, zgjasin 20 minuta dhe ulen në pistën e vogël në Ibo, rreth 15 minuta në këmbë nga qyteti.

 

Kur të shkoni

 

 

Maj-Tetor: Sezoni i shirave përfundon rreth muajit maj dhe moti i thatë zgjat deri në tetor. Korriku dhe gushti janë sezoni i preferuar për turistët.

Në fund të qershorit, ishulli organizon festivalin Kueto Siriwala, i cili daton 250 vjet më parë. / Monitor