Suadela Balliu – “Në punë kije për lavdi të jesh shërbestar. Ji i lumtur kur bën një send të dobishëm, pa le të mos e dijë bota”. Kështu shkruante Mid’hat bej Frashëri sikur ta kishte ditur se për një gjysmë shekulli,  ata që morën pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, do t’ia hiqnin emrin nga historia…Në një ceremoni solemne, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ai që qe pararendës i vetë kësaj akademie apo edhe Institutit të Albanologjisë, u nderua me heshtje dhe përshëndetje nga qytetarë të thjeshtë, historianë, studiues e politikanë.
“U përkula për ta nderuar në një ritual pothuajse fetar” , thotë një qytetar, i cili bashkë me disa miq të tij, (prezantohen si simpatizantë dhe pjesë e formacionit politik, themelues i të cilit qe Frashëri) kanë ardhur të nderojnë arkëmortin me eshtrat e figurës poliedrike të mendimit shqiptar, që për gjashtëdhjetë e nëntë vjet preheshin përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që më në fund do të pushojnë në dheun e të parëve, ashtu siç ishte edhe dëshira e tij e fundme.

Burra me plisa të bardhë, me simbolin e shqiponjës dykrerëshe, i sjellin disi ngjyresat politike ceremonisë, ku të paktën në orën e parë të ceremonisë, e cila nisi në nëntë të mëngjesit, nuk u mësy nga figurat qendrore të politikës së ditës, të cilët i kishin lënë vizitat për ca më vonë.
Nostalgjikë të Ballit të atëhershëm Kombëtar, por edhe anëtarë të sotëm të këtij grupimi politik (duket se figura e Mid’hat Frashërit bëri bashkë edhe dy partitë e ndara; Balli Kombëtar dhe Balli Kombëtar Demokrat, përfaqësuesit e të cilëve ishin të pranishëm paraditen e 14 nëntorit në Akademinë e Shkencave), bij të bashkëkohësve të Mid’hat Frashërit që e panë të udhës si ai, të mos ngrinin armët kundër shqiptarëve të tjerë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin aty. “Edhe këto balliste”, prezantonte një grua në moshë të mesme, dy zonja më të moshuara tek një i njohuri i saj, ndërsa prisnin radhën qetë për t’i dhënë nderimet personalitetit, i cili fiks njëqindedhjetë vjet të shkuar do të ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, që do të standardizonte gjuhën shqipe, së cilës ai i la një pasuri të vyer në letërsi dhe publicistikë.
Për mëse dy orë, qindra qytetarë, të ardhur nga rrethet, nga Kosova, por edhe më përtej, u përulën përpara eshtrave të cilat pak para mesditës u nisën drejt banesës së fundme, në kodrat e liqenit, aty ku Frashërllinjtë u mblodhën bashkë.

Të entuziazmuar, ata shqiptarë që i besuan fjalëve të Mid’hat Frashërit, thoshin krenarë “koha i dha të drejtë!” Të tjerë e quanin “profet, Krisht të shqiptarizmës” , pat edhe nga ata që hamendësuan se në drejtimin vizionar dhe pacifist të një burri si Mid’hati Shqipëria do të kishte qenë “një Zvicër në Ballkan” “Ne edhe sot jemi të ndarë; themi” bir ballisti, bir komunisti”. Ballistët ishin nacionalistë. Nuk deshën të vriteshin shqiptarët e për këtë e quajtën kolaboracionist. Po si mund të pranonte një burrë i madh si ai, të bëhej hero i Jugosllavisë e të vriste shqiptarët?”, thotë një mesoburrë, ndërsa miku i tij aty pranë shton “Vizionari më i madh që ka pasur Shqipëria. Kam dëgjuar fjalimin e tij në BBC, të mbajtur më ’48 a ’49 dhe është si ta dëgjoje sot. Më aktuale se kurrë. Ky ishte Mid’hati. Ambasadorë e diplomatë si ai nuk i bijnë më vendit. Po edhe Biblioteka Kombëtar është ngritur me bibliotekën e Mid’hatit, si u bë paptirut burrë i keq? Ka pasur gabime? Sigurisht ka pasur. Si të gjithë”, thotë zotëria, ndëra zbulon se vetë është i majtë, në familjen e tij ka dy dëshmorë, por ka ardhur ta nderojë figurën e Frqashërit. :Ai e bëri edhe Mukjen, por e shkelën komunistët të ndikuar nga jugosllavët. Pastaj e vranë në ShBA, rusët, në bashkëpunim me Sigurimin shqiptar”, zotëria që flet quhet Laurent Bica dhe është profesor i filozofisë. “Figurës së tij nuk i heq dot një presje. Ishte nacionalist. Për të Shqipëria ishte e shqiptarëve. Historia e solli, Konica në një anë, Mid’hati nga ana tjetër. Për të dy nuk kanë lënë gjë pa thënë, po ja që hakmerret historia.”

Pavarësisht se historia nuk ka qenë e drejtë për Mid’hat Frashërin, u shpreh për mediet ish-kryeministri Sali Berisha, ai sot vjen e pushon në dheun e atdheut të tij, i” nderuar nga mijëra shqiptarë, kurse ata që urdhëruan eliminimin e tij fizik, përfunduan në koshin e plehrave të historisë. Fjala direkt për Enver Hoxhën.” Promotor të pareshtur të lirisë, kolos të letrave, studiues, nacionalist, e cilësoi ndër të tjerat Berisha figurën e Mid’hat Frashërit. Për ta nderuar figurën e tij ishte edhe Princi Leka e pas tij pasuan me radhë figurat e njohura të politikës nga mazhoranca e opozita. Edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehu vlerësimin e tij për figurën, eshtrat e të cilit erdhën në Shqipëri jo vetëm si një iniciativë e qeverisë shqiptare, por edhe vullnetit individual të një njeriu, deputetit të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës Agron Shehaj. Nga Kanina e Vlorës kishte ardhur një zotëri, i indinjuar kur punonjësit e gardës, me një listë emrash përpara nuk e lanë të merrte pjesë në ceremoninë e rivarrimit, në kodrat e Liqenit. “E kam të shkruar në ballë që jam nacionalist”, thoshte zotëria, ndërsa bënte me gisht nga plisi i bardhë me shqiponjë. “Por këta e duan me yll.”

Përpara gardhit me punonjës të gardës, që kishin marrë urdhër të mos lejonin askënd tjetër që nuk e kishte emrin t’i afrohej rrethimit pranë varrezave monumentale të vëllezërve Frashëri. Kreu i Ballit Kombëtar të Kosovës thoshte se kishte bërë gjashtë orë udhë për të qenë sot në mëngjes i pranishëm në këtë ceremoni, por që iu desh të priste derisa të mbaronte protokolli zyrtar i qeverisë për të vendosur një kurorë me lule në varrin e Mid’hat Frashërit. “Tani që Balli Kombëtar po merr prapë rëndësi me kthimin e Mid’hat Frashërit, këta nuk na lënë”, “Po e varrosin ata, prindërit e të cilëve na kanë vrarë baballarët”, u nxehën disa të tjerë, “Nuk kemi ardhur si partiakë, por si qytetarë, si intelektualë, për të nderuar figurën e atij burri të madh, por s’ka gjë, le të mbarojnë ata, pastaj do të shkojmë ne”. Ndërsa debatet vazhdonin në atë pjesë të parkut të Liqenit me dhjetëra qytetarët që nuk u afruan dot ta ndiqnin më nga afër ceremoninë e rivarrimit, pak më tutje, kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili nuk zgjodhi të ishte në Akademinë e Shkencave, por në çastet e fundit të rivarrimit, e quajti “ shërbestar të mëmëdheut sipas kokës së tij’.

“Mid’hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos.”-Edi Rama

Ata që e kishin baltosur për shtatë dekada, do të thoshte Rama, ndërsa citoi fjalë të nxjerra prej ditarëve të Mid’hat Frashërit, do të duhej të mbanin buzët rrudhur. “Mid’hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkëmort dhe praninë time si kryeministër si revansh ndaj fitimtarëve ndërsa përcjellim një figurë shumëdiemensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij, të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit”, tha kryeministri, duke shtuar se kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit.
Buzëhollë të kulturës shqiptare, e quajti studiuesi Aurel Plasari në fjalën e tij, Mid’hat Frashëri, ndërsa shtoi se për të qe “nder dhe trazim” të fliste përpara eshtrave që iu kthyen dheut të Shqipërisë. “Para se të qe burrë i madh rezulton të ketë qenë djalosh gjenial.”

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1192116344275353/

”Ai ishte një djalosh gjenial”, theksoi Plasari duke cituar dy shkrime të thjeshta që datojnë në vitin 1887, të parat e botuara prej tij, ku një i kushtohet Skënderbeut, ndërsa tjetri dallimit mes koncepteve fe dhe komb.
“Mid’hat Frashërit quhet me bindje të plotë i patjetërsueshmi duke qëndruar mbi jetën dhe vdekjen ,duke ruajtur balancën e shpirtit dhe në fatkeqësi ai mbeti i patjetërsueshëm në përmbushjen e misionit në tokë me të cilin e kishte ngarkuar veten. Kryevepra që Mid’hat Frashëri i dhuroi kombit të tij është vetë personaliteti i tij. Ai personalitet që te njerëzit e mëdhenj funksionon si thelb i tyre dinamik”, u shpreh Plasari, ndërsa shtoi se Frashëri ishte promovues i kultit të kombit. “ Ai ishte europian mes evropianëve sepse dëshmoi që mundi të merrte pjesë me denjësi në debatet e mëdha të politikës europiane të kohës me tekstet e veta mjeshtërore të mbrojtjes së të drejtave të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.Të mbetej i ndershëm ishte për Frashërin model jetese e për Plasarin që “të ruash ndershmërinë dhe integritetin duhet të kesh aristokracizëm intelektual të cilin ai e ruajti deri në fund. Ky burrë pasurinë e vetme që pati, pra, librat ia la Shqipërisë”. Për njerëzit si Mid’hati ishte e papranueshme një zgjedhje si vrasja, aq më pak ndaj shqiptarëve të tjerë, edhe në kohë lufte, mendon ish-drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika, e pranishme edhe ajo në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit.

“Për shkak të formimit, familjar por edhe individual, nuk pranoi që shqiptarët t’u kthenin armët njëri-tjetrit. Kjo ishte dhimbja më e madhe e Mid’hatit. Duke mos pranuar vrasjen do të rreshtohej në një llogore tjetët.” -Nevila Nika

Por debatet, që u rindezën, duke ndarë historianët në llogore mbi dimensionin politik të Mid’hat Frashërit, do të vijojnë për figura si ai mendon Nika. “Kjo për shkak të së kaluarës shumë të ideologjizuar, dhe trysnisë partiake.Nika e cilëson si firueë qendrore të elitës intelektuale dhe patriote të vendit, i pranishëm në jetën publike që në fund të shekullit të 19-të, në rininë e heshme. “Vazhdon të jetë i tillë me Kongresin e Manastirit, Kuvendin e Vlorës, angazhimin në diplomaci dhe institucione shqiptare, por qoftë edhe si qytetar me librarinë e vet.” Frashëri, i biri i Avdylit, i nipi i Sami dhe Naim Frashërit, u takonte atyre figurave sipas Nikës, gati të sakrifikonin edhe veten për bashkimin kombëtarë. “Anatemimi që iu bë kësaj figure për 45 vjet nga regjimi komunist, për shkak të qëndrimeve nacionaliste gjatë momenteve të kapitullimit, ardhjes së trupave gjermane, rrezikut që vinte nga ideologjia komuniste. Aq më tepër që Partia Komuniste ishte e lidhur me atë jugosllave,  kishte shumë elementë që e bënin të ishte skeptikë në bashkëpunimin me partinë Komuniste.”

Qytetaret që nuk hynë dot në ceremoninë e rivarrimit ë parkun e Liqenit Artificial.

Ai që deshi ta bënte shtetin me demokraci , “Për shkak të formimit, familjar por edhe individual, nuk pranoi që shqiptarët t’u kthenin armët njëri-tjetrit. Kjo ishte dhimbja më e madhe e Mid’hatit. Duke mos pranuar vrasjen do të rreshtohej në një llogore tjetët.”
Një njeri që ka qenë firmëtar i Pavaësisë, nuk mund të mos e donte pavarësinë e vendit të vet. “ Bashkimi Kombëtar për ta ishte ideal i pashuar deri në ditën e fundit për të.”
Nika shton se në dy dekadat e fundit, pasi kanë kaluar 70 vjet nga lufta e dytë Botërore dhe po hapen arkivat, do të shihet vërtet historia. “Ende nuk e kemi qëmtuar të gjithë atë që është prodhuar, dokumentacionin e kohës. Për vitet e fundit të jetës nuk kemi pse hedhim poshtë të githë atë kontribut, edhe sikur të ishte i “gabuar”,, sepse ajo që ndodhi më vonë na dha rë kuptojmë se Mid’hat Frashëri kishte pasur të drejtë; se ajo që po vinte ishte më e keqe se ajo që kishte ndodhur më parë. Figura e Mid’hat Frashërit, është përfshirë në historinë dhe enciklopedinë shqipe vetëm kohëve të fundit, madje thotë Nika, ka nga ata që nuk e dinë ende se Lumo Skëndo ishte pseudonimi i Mid’hat Frashërit, nën të cilin la trashëgiminë e tij publicistike. Megjithëse historiografia e pas ’90 nuk është më ajo “bardhezi” e mësuar nga ideologjia dogmatike komuniste, figura e Mid’hat Frashërit, mendon historiania Valentina Duka, deputete e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, ka nevojë për reflektim.

“Është një figurë për t’u parë jo thjesht si e bardhë, sepse dëmtohet Mid’hati kështu, por si intelektual i madh, që kontribuoi për Pavarësinë, personalitet me dritëhijet e tij, si plot politikanë”- Valentina Duka

“Ai është figurë që nuk i takon vetëm politikës: është antropolog, historian, publicist, albanolog.”
Pas viteve ’90, shton Duka, historianët e kanë parë periudhën e luftës me objektivitet. “Edhe në universitet, është lëndë që unë e jap, e trajtoj me objektivizëm. Është një figurë për t’u parë jo thjesht si e bardhë, sepse dëmtohet Mid’hati kështu, por si intelektual i madh, që kontribuoi për Pavarësinë, personalitet me dritëhijet e tij, si plot politikanë.”
Megjithatë, vëren Duka nga përvoja me studentët se “për shkak të edukatës familjare, baltës shumëvjeçare që i është hedhur Mid’hat Frashërit nga propaganda komuniste mjaft e ashpër gjatë kohës së luftës – duke ditur reputacionin e madh që kishte në Shqipëri ai – familjet shqiptare e kanë të vështirë te tejkalojnë këtë mendësi”. Duka thotë se kthimi i Mid’hat Frashërit ka ardhur me të gjithë kompleksitetin e tij, përkundër zërave se i është dhënë më shumë vëmendje veprimtarisë së tij publicistike dhe kontributit në albanologji.
“Së pari qe intelektual dhe pararëndës i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Albanologjisë dhe së dyti nuk vrau kurrë njeri. Nëse do të qe i përfshirë në atë që akuzohej Amerika nuk do ta pranonte”, thotë Maks Velo. Por Mid’hat Frashëri nuk u kthye në atdheun e tij të dashur për mëvetësinë dhe zhvillimin e të cilit punoi fort, në të gjitha përmasat e angazhimit të tij, si shkrimtar, publicist, diplomat e politikan, kritik në të gjithaherët. Nisi të vijë në fillim të viteve ’90 , thotë studiuesi Ndriçim Kulla, i cili ka botuar të gjithë mendimin shqiptar, përfshi edhe Mid’hat Frashërin njëzet e ca vjet të shkuar.

“Pak rëndësi erdhën kockat e tij apo jo. E rëndësishme që Mid’hat Frashëri i shkatërrpo vetë barrierat e censurës, me mbresat kulturore që ka lënë, nuk po them politike, por diplomatike.”
Ky erudit u prezantua tek lexuesi shqiptar me ndërrimin e regjimeve politike, fillimisht tek më të interesuarit dhe ngadalë ai Mid’hat Frashëri i mjegulluar, nga sistemi komunist apo edhe i karikaturuar nga klubi i Selanikut apo epopeja e Ballit Kombëtar të Shefqet Musarajit, u davarit dhe nisi të shihej profili i qartë i tij: një shërbëtor i kombit, thotë Kulla.
Pavrësisht dobësive, si të gjithë mendimtarët e mëdhenj të botës kanë hasur në caste të ndryshme të jetës. “Ardhja e eshtrave është diçka sentimentale. Duhet të kishin ardhur më parë”, thotë Kulla, megjithëse falënderon qeverinë, por edhe kontributin e një grupi që sponsorizoi për ta sjellë figurën, aty ku e ka vendin “në panteonin shqiptar. Më vjen keq
Për disa njerëz, qofshin edhe historianë, që ideologjia ideologjia vazhdon t’ua verbojë sytë dhe gjejnë kleçka në biografinë e tij.”

Sipas Kullës, Frshëri madje u ngrit kundër italianëve. “Ka një moment dobësie në ardhje ne gjermanëve në Shqipëri, megjithatë nuk duhet parëme dashakeqësi, sepse është një moment i vështirë.”E cilëson si interlokutor mes intelektualëve europianë. Diti të kritikojë shqiptarët për t’u zhvilluar më tej dhe të çojë në hapësirën botërore më të mirën e vendit, që të shihej me simpati nga të huajt. “Dimensioni më i rëndësishëm që na intereson është intelektuali. Figurë e pazakontë poliedrike.” Bashkë me Nolin dhe Konicën, kanë kontribuar në mënyrë të pashoqe për vendin.
“Kur të vdes, miq, mos mbillni mbi varrin tim lule, që i than diell’ i gushtit, mos më vini një shtyllë në këmbë, që e rrëzon era e Veriut”, linte amanet dikur Mid’hat Frashëri, ndërsa tani do të prehet në varrezën monumentale pranë të ungjërve dhe të atit.

“Dimensioni më i rëndësishëm që na intereson është intelektuali. Figurë e pazakontë poliedrike.” Ndriçim Kulla

Një qiparis kërkoi pranë varrit. “Shpirti im do të jetë i pështjellë në trupin e tij dhe do të shohë këtë njerëzi, këtë botë dhe stërnipërit e të sotmëve. Edhe kur fryn Veriu i egër dhe dëgjon drurin plak t’oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij. Është zemra ime, që qan e rënkon.
Edhe kur shihni mbi gjethin e saj të hollë pikëza, që shkëlqejnë në diellin e një mëngjesi gazmor, mos pandehni se janë pika vese të natës. Janë lotët e mi. Se dua edhe që pas vdekjes, o miq të pritmit, të rënkoj e të qaj bashkë me ju, të kem pjesë në gëzimet e pikëllimet.”, shkruante Lumo Skëndo në janar të vitit të largët 1915.
Më se njëqind vjet pas këtyre fjalëve, ardhja e eshtrave të Mid’hat Frashërit duket sikur hap një faqe të re në histori për të shpluhuruar figurat e lënë në harresë, për t’i kthyer të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet atyre që historiografia komuniste i pa si armiq dhe për të njohur të gjithë përmasat e një njeriu që i dha vendit të tij, mesa mundi, kulturë, diplomaci dhe një shembull se politika bëhet edhe duke qenë paqësor.

/gazetasi.al