Në vend që të ndiqni rutinën e mëngjesit të Tim Cook, si thua për një të krijuar vetëm për ju?

Cila është rutina ideale në mëngjes? Ndoshta duhet të zgjoheni para orës 4 të mëngjesit, për të lexuar emailet dhe më pas të shkoni në palestër, si Tim Cook.

Ose ndoshta duhet të meditoni dhe pastaj të vraponi, si Jack Dorsey. Ka vetëm një problem me këto ide – ato nuk janë konceptuar me ju në mendje.

Ndoshta keni dëgjuar shumë herë, se të kesh një rutinë të mirë të mëngjesit, mund t’ju ndihmojë për të qenë të suksesshëm.

Kjo është mjaft e vërtetë. Por, një rutinë e mirë mëngjesi, është ajo që funksionon për ju dhe është krijuar nga ju për ju, jo nga ndonjë drejtues i famshëm.

Përpjekja për t’u përshtatur me rutinat e të tjerëve, është një nga gabimet më të mëdha që njerëzit bëjnë, kur përpiqen të shtojnë rutina në jetën e tyre, shpjegoi trajnerja e menaxhimit të kohës dhe autorja Anna Dearmon Kornick.

“Ndoshta keni lexuar për pesë gjërat, që njerëzit e suksesshëm bëjnë çdo mëngjes dhe i keni provuar ato,” tha ajo. “Ka mijëra libra rreth asaj se si milionerët e kalojnë mëngjesin e tyre. Ndoshta i keni provuar, por nuk jeni pështatur. Kjo ndoshta sepse kopjimi e rutinës së dikujt tjetër, nuk është gjithmonë rruga e suksesit.”

Pra, cila është rruga drejt suksesit? Në vazhdim shpjegohet procesi me katër hapa, që Kornick u mëson klientëve të saj të menaxhimit të kohës.

 

1. Ndajini aktivitetet e mëngjesit në dy lista

Lista e parë përfshin gjërat, që duhet të bëni patjetër çdo mëngjes. Mund të përfshijë gjëra të tilla, si larja e dhëmbëve, përgatitja e kafesë, shoqërimi i fëmijëve në shkollë ose shëtitja e qenit.

Lista e dytë përfshin gjërat, që dëshironi të bëni çdo mëngjes, por që nuk janë kërkesa absolute. Mund të përfshijë meditimin, vrapimin, shkrimin ose përgatitjen e mëngjesit.

 

2. Planifikoni rutinën nga fundi në fillim

Duke nxjerrë nga secila prej listave, krijoni një rutinë ideale për mëngjesin tuaj. Vendoseni listën sipas rendit kronologjik. Më pas, rindërtoni rutinën duke filluar nga artikulli i fundit në listë.

Pavarësisht nëse punoni në shtëpi ose në zyrë, ju tashmë e dini se në cilën orë dëshironi ose duhet të filloni punën çdo ditë. Përdoreni atë moment si pikënisje dhe shkoni mbrapsht.

“Kështu që ju mendoni, ‘OK, unë dua të jem në tavolinën time deri në orën 8:50,” tha Kornick. “Kjo do të thotë se unë do të shoqëroj fëmijët deri në orën 8:40, që do të thotë se do të dalim nga shtëpia në orën 8:15, kështu që ata duhet të fillojnë të veshin këpucët të paktën në orën 8:10.”

Mbani në mend se shumica prej nesh nënvlerësojnë se sa kohë do të na duhet për të bërë diçka. Mos harroni të përfshini kohën, që do t’ju duhet për të shkuar nga një vend në tjetrin, le të themi nga kuzhina në stacionin e autobusit.

 

3. Jini realistë

Pasi të keni rindërtuar rutinën deri në momentin kur ngriheni nga shtrati, do të dini se në cilën orë duhet të zgjoheni, për të bërë të gjitha gjërat, që duhet të bëni dhe dëshironi të bëni.

Nëse ajo kohë është pak a shumë ora kur zgjoheni tashmë, shkëlqyeshëm! Jeni gati të provoni rutinën tuaj në botën e vërtetë.

Nga ana tjetër, mund të zbuloni se për të bërë gjithçka, që duhet dhe dëshironi të bëni, do t’ju duhet të zgjoheni në orën 3 të mëngjesit. Kjo nuk është e mundur për shumicën prej nesh, kështu që mund të nënkuptojë se duhet të rregulloni planin.

“Këtu hyn në lojë ndarja e listave”, shpjegoi Kornick. “Çfarë mund të zhvendosësh nga lista e dëshirave, në një kohë tjetër të ditës? Çfarë mund të heqësh plotësisht, edhe pse tingëllon bukur?” Apo mund të reduktoni disa gjëra, për shembull të bëni 15 minuta meditim në vend të 30?

Behuni krijues. Kornick ofroi një shembull nga mëngjeset e saj: zgjedhjen e veshjeve për shkollë për dy vajzat e saj. Meqenëse ajo nuk mund t’i zgjidhte veshjet në mënyrë efikase në mëngjes, Kornick e nxori atë artikull nga rutina e saj e mëngjesit.

Këto ditë, ajo kontrollon raportin e motit çdo të dielë në mbrëmje dhe më pas zgjedh veshjet për të pesë ditët e javës, në mënyrë që të mos mendojë për këtë në mëngjes.

 

4. Praktika ju bën të përsorur

Ju duhet ta provoni rutinën që keni zgjedhur,” tha Kornick. “Shanset janë, që do të mësoni shumë dhe do të dëshironi të bëni disa ndryshime.”

Dhe duhet të jeni gjithmonë të hapur, për të ndryshuar gjërat, sa herë që keni nevojë, nëse jeta juaj e punës, jeta në shtëpi ose prioritetet ndryshojnë gjatë rrugës. / Monitor