Zoti Soreca, merrni një shtëpi me qera tek Astiri!

2019-02-15T12:47:57+00:0015 Shkurt, 2019 12:47|Kategoritë: Kuvendim, Opinion|

Skerdilajd Zaimi

Në një intervistë për Deutsche Welle, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca ka thënë ndër të tjera se:

Ky është një moment me rëndësi për Shqipërinë në kuptimin që e drejta e tubimit, e drejta e fjalës, janë një pjesë thelbësore e çdo shoqërie demokratike. Por është gjithashtu e vërtetë që këto të drejta duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore. Prandaj, presim një manifestim paqësor, që të mos kthehet në dhunë. Kjo është një thirrje për të gjitha palët e përfshira. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë konstruktivë. Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka kohë për të humbur, është koha për të shprehur mendime dhe pastaj të mendojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve

Po mbushen 30 vjet me këto këshilla që nuk kanë të mbaruar. Nuk kanë fund, lëshohen përditë e përjavë nga gojë buzagaze që betohen se ne shqiptarëve na kanë në zemër. Kështu kur na vinin mure dhe postblloqe për një vizë që e paguanim mijëra euro, kështu edhe sot kur gjoja rrugët janë hapur. Miqtë kanë qenë këtu në kohë të plotë, e megjithatë askush prej tyre nuk ishte i zoti të frenonte apo ndalonte marrëzinë shqiptare që i bëri të gjitha, edhe marrjen e armës. Historia e këtyre 28 viteve nuk ka ndonjë tonalitet të ndryshëm nga historia jonë e mëparëshme. Vetëm fjalët janë më të shumta, raportet, dokumentet, kriminalizimi…

Zoti Soreca ka dalë hapur pa ardhur ende mirë në Shqipëri: ai është një dashamirës i qeverisë, jo i Shqipërisë. Sigurisht që nuk ka ndonjë detyrim të jetë dashamirës i Shqipërisë, por këshillat që pretendon të japë e bëjnë të duket i tillë. Ndaj zoti Soreca duhet të na thotë: po aktorët ndërkombëtarë janë konstruktivë? Ai unioni që ai përfaqëson është konstruktiv?

Pyesim sepse janë raportet e këtij unioni, të SHBA-së që na thonë vit për vit se korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, se Shqipëria është një demokraci hibride, se ka ende këto apo ato kushte për të plotësuar. Kurse nga ana tjetër na kërkohet protestë budistësh.

Po ikin thuajse dy breza shqiptarësh që përpiqen të marrin formën dhe të përmbushin kriteret e vendosura nga standarde dhe kanone të një Europe që po na qëndron përherë e më shumë e huaj. Ky është bast i yni, zgjedhja jonë e viteve ’90, edhe pse vështirë të flasësh për zgjedhje në kushtet e një mjerimi dhe padijeje të plotë. Ndaj edhe për arritjen e këtyre standardeve të Njeriut të Ri – europian – ne kemi të drejtë të protestojmë. Të kërkojmë llogari.

Por ne kemi një të drejtë edhe më të madhe se kaq, për të cilën nuk i japim kujt llogari, as marrim leje. Të drejtën të ngremë dorën kundër atyre që janë zgjedhur për të bërë diçka tjetër nga ajo që bëjnë. Kemi të drejtën ta zgjidhim vetë hesapin me një kategori që mbahen në këmbë me serumet e zoti Soreca. Sepse jetën nuk ja detyrojmë askujt…asnjë kanoni njerëzor, asnjë unioni dhe kushtetute. Ajo vjen përpara të gjithave.

Ambasadori i BE-së flet për nevojën e stabilitetit, por ne do t’i sugjeronim diçka shumë të thjeshtë. Që edhe ai jo Të Kuptojë, por të Na kuptojë. Zoti Soreca, dilni nga rezidenca ku jetoni sot, apo nga vila “Vlahutin” nëse jetoni aty e që paguhet me paret e qytetarëve europianë. I themi z. ambasador të heqë dorë për ca kohë nga kostumi i diplomatit, nga privilegjet, nga Rogneri dhe ish-Sheratoni dhe të marrë një shtëpi me qera. Të bëhet pak ditë një shqiptar i zakonshëm. Të zgjedhë ku të dëshirojë, në Unazën e Re, në Shkozë, në Kamëz apo edhe në Durrës. Le të niset zoti Soreca e të ankohet për faturën e energjisë, të ujit, për masën e pensionit, për shkollimin e fëmijëve, për ndonjë gjobë të policisë rrugore (sidomos po e dërguan në Arbanë te parku i shokëve…). Të shkojë zyrave, të trokasë, të komunikojë. Të kërkojë të drejtën.

Pastaj, pas kësaj dite të lodhshme le të përpiqet që t’u plotësojë fëmijëve standardet e një jete normale.

Le të marrë pultin e televizorit e të dëgjojë ligjëratën e përnatshme të kryeministrit për Shqipërinë që po rilind, që po ribëhet. Të hapë Facebook e të lexojë statuset e znj. Spiropali që shkruan për drejtësi dhe shtet, për mirëqenie dhe demokraci. Të dalë në lagje e të pijë një kafe si shqiptar, të shohë aty makinat e luksit të njerëzve të lidhur me pushtetin. Nuk po i themi për veshjet mijëra euroshe të deputetëve sepse z. Soreca ato i ka parë qysh tani e di t’i dallojë më mirë.

Bëni si të bëni more zoti Ambasador dhe gëlltiteni këtë çorbë që ta kuptoni më mirë se çfarë domethënie kanë gurët që (mund të) hidhen kundër mureve të institucioneve, molotovët apo edhe gomat e djegura. Nuk po i themi të besojë palën tjetër, opozitën, por le t’i besojë xhepit të vet, ditës së zakonshme, mbrëmjes dhe të nesërmes shqiptare.

Mos harroni zoti Ambasador! Pasi ta bëni këtë ritual që do ju ndihmonte shumë, mos harroni pra të dëgjoni edhe ndonjë deklaratë tuajën, apo intervistë si këto që keni dhënë këto ditë, sepse ndoshta do ju iluminonte për të kuptuar më mirë misionin për të cilin jeni këtu!

Për të kuptuar më qartë përmbajtjen dhe kontekstin e fjalëve që lëshoni nga kutitë postare të Europës. Përndryshe kjo gjuhë e thatë, përsëritëse e gatuar hoteleve me pesë yje, do të armiqësojë një popull të tërë që sot ka arritur te problemet e stomakut ndërkohë që i kërkohet vetëpërmbajtje për hir të një stabiliteti që nuk ekziston veçse në paradhomat e ambasadave të Tiranës. /ResPublica