Korrupsioni në Shqipëri mbyt bizneset e Kosovës

2018-04-05T14:16:31+00:00 4 Prill, 2018 8:00|Kategoritë: Para, Tregje|

Pavarësisht se viteve të fundit ka një rritje të këmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, disa biznese i konsiderojnë procedurat burokratike dhe taksat e vendosura si të panevojshme dhe të ekzagjeruar.

Me qëllim të diskutimit mbi kompleksitetin e tregtisë me Shqipërinë dhe vështirësitë me të cilat bizneset në Kosovë ballafaqohen, Oda Ekonomike Amerikane ka organizuar konferencën e titulluar “Tregtia me Shqipërinë: Sa komplekse?”

Përveç barrierave të ndryshme të aplikuara nga autoritet e Shqipërisë ndaj prodhuesve kosovarë, Besir Cmega nga Railtrans ka thënë se ndër barrierat është edhe korrupsioni, i cili vërtet ekziston.

“Kemi prezencë të korrupsioni në doganë dhe në rastet e dhënies së koncesionit, siç është rasti i portit të Durrësit. Barriera e tretë ka të bëjë me rastin e skanimit të detyrueshëm të mallrave. Kjo ndodhë vetëm për të vjelë një taksë që i bie se së bashku me taksën rrugore të vendosur së fundmi, është rreth 90 euro kostoja apo ngarkesa nga autoritet e Shqipërisë për çdo maunë”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se edhe ‘bakshishi’ i detyrueshëm prej 1 mijë lekë në Morinë për çdo transportues është shqetësuese, si dhe

barriera tjetër, sipas tij, është edhe për të transportuar në vendet e treta, ku kërkohet leje e posaçme.

Arian Zeka, drejtor në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se të gjitha barrierat e vendosura ndaj bizneseve si nga Shqipëria, po ashtu edhe nga pala e Kosovës, janë të pakuptimta.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se ka një përpjekje nga dy qeveritë shqiptare për heqjen e barrierave tregtare, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Një integrim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të ndodhë vetëm atëherë kur bizneset e të dyja vendeve ndihen të barabartë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka ngritur si shqetësuese edhe taksën rrugore në Rrugën e Kombit, që është një prej barrierave shtesë për bizneset e Kosovës.

Ndërsa, Mergim Prishtina nga Trepharm, ka thënë se me mbledhjet e qeverive të përbashkëta me një pompozitet të madh, të mos i hidhet hi syve ndaj bizneseve për certifikata, siç është rasti i certifikatës fitosanitare.

Sipas tij, problemet në Shqipëri janë të të bërit biznes, derisa bilanci tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është një me pesë në favor të Shqipërisë.