Është një treg ende i pakonsoliduar. Janë të shumta arsyet që e bëjnë ende të tillë. Mungesa e sigurisë, por edhe fakti që është një treg i vogël i mban ende larg markat e mëdha, që të hapin filialet e tyre ekskluzive

Në rrugët e kryeqytetit, por edhe në qendrat tregtare, prezenca e markave të mirënjohura të veshjeve, që në gjuhën e përditshme jemi mësuar t’i quajmë “ firmato”, nuk mungon.

Në Tiranë mund të gjesh nga Armani, te Gucci, Piere Cardin, Valentino etj. Janë firma që kanë bërë epokë në botën e modës, por që për të qenë prezent në një shtet me përfaqësi direkte duan po aq siguri, sa do edhe një bankë për t’u hapur.

Të flasësh për tregun e veshjeve të markës në Shqipëri nuk është edhe aq e lehtë duke qenë se nuk ka të dhëna për paratë që xhiron kjo industri. Po kaq e vështirë është deri diku të kuptosh edhe arsyet e vërteta se përse ky treg në Shqipëri është ende i pakonsoliduar. Kompanitë e huaja, por edhe shqiptare që shpesh asistojnë në hapjen e këtyre dyqaneve, thonë se pengesa kryesore është fakti se ky lloj investitori kërkon shumë garanci, ndër të tjera ata marrin në konsideratë edhe të dhënat ekonomike, si të ardhurat për frymë.

Sipas të dhënave të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për renditjen e rajonit, Shqipëria llogarit një shumë prej rreth 7,400 dollarë për frymë, duke u llogaritur e  85-ta ndër 183 vende. Janë pikërisht këto shifra, që markat prestigjioze të botës së modës marrin në konsideratë kur bëjnë plan bizneset e tyre për t’u zgjeruar në vende të ndryshme. Sipas ekspertëve, një tjetër arsye që mban larg këto emra nga tregu shqiptar është frika nga kopjimi, një problem që nuk është edhe aq shqiptar, duke qenë se Kina vlerësohet vendi nga ku vijnë veshjet e imituara të markave të ndryshme ndërkombëtare të Europës e më tej.

Ende të çorientuar

Njihet si një nga departamentet e shitjes më në zë në Itali. Në të mund të gjesh në më shumë 4,300 metra katrorë sipërfaqe emra, si Armani Jeans e Emporio Armani, Dolce & Gabbana, Valentino, Henry Cotton, Gant, Richmond shoqëruar edhe nga marka të famshme të veshjeve të përditshme, si (Guess Denim, Desigual, Ck Jeans, Gant, Diesel, Paris Hilton Clothing Line). Kreshnik Kasneci, menaxher operacional i ABA Trade, thotë se gjatë këtij viti ecuria e markave ka qenë më e mirë në krahasim me një vit më parë. Ai rendit disa arsye, si faktin që klientët tashmë janë njohur më mirë me markat brenda Coin dhe produktet që ofron secila, faktin që ata kanë krijuar besim tek produktet e qendrës dhe për origjinalitetin e tij. “Tashmë kemi krijuar një ide të modeleve dhe produkteve që kërkon tregu dhe klientela, ndaj dhe përpiqemi të porosisim sipas këtyre treguesve, në mënyrë që klientët ta kenë më të lehtë të gjejnë veten”, thotë z. Kasneci.

Sipas tij, tregu shqiptar mbetet më i çorientuari dhe më pak i informuari në rajonin e Ballkanit.

“Kjo është për shkak se jo të gjithë e kanë pasur mundësinë të përballen me këto lloj veshjesh më parë, nga pamundësia për të udhëtuar nëpër Europë. Tregu është i mbushur me dyqane që shesin mallra false, me çmime të leverdishme dhe deri më sot mund të themi se ka funksionuar mjaft mirë”, thotë menaxheri operacional i kësaj qendre.

Megjithatë, sipas tij, tregu po ndryshon shumë shpejt dhe kjo në sensin pozitiv. “Po hapen dita – ditës mjaft dyqane serioze që ofrojnë mallra origjinale, sezoni dhe me çmim të arsyeshëm.

Po krijohen dita – ditës kontrata midis bizneseve shqiptare dhe shtëpive të markave më të njohura në botë. Me hapjen e vizave, një mase më e madhe shqiptarësh do të kenë mundësi të shkojnë jashtë shtetit dhe të marrin njohuri mbi këtë treg, në mënyrë që kur të kthehen të mos bien pre e mashtrimeve dhe abuzimeve të një pjese të madhe të tregut shqiptar ne sektorin e veshjeve”, thotë z.Kasneci.

Ndikimin e liberalizimit të vizave, e konsideron pozitiv, madje thotë se biznesi ka njohur rritje që nga ai moment dhe nuk ka njohur stepje. “Njerëzit kanë udhëtuar në Europë dhe kanë parë se mund të gjejnë edhe në Shqipëri, si te Coin, të njëjtat marka. Është normale që ka shumë njerëz që duan të bëjnë pazar jashtë Shqipërisë, pasi ka qindra marka, sidomos në sektorin e luksit, që këtu nuk janë të përfaqësuara.

Por, ka edhe nga ata që kanë pohuar se të shkosh jashtë për të bërë Pazar, kur veshjet mund t’i gjesh edhe këtu në qendër, është humbje kohe dhe para e shpenzuar kot.

E në Tiranë nuk janë të pakta dyqanet që tregtojnë veshje markash. Por, menaxheri operacional i ABA Trade, thotë se nuk ndihet konkurrenca e drejtpërdrejtë.

Një karakteristikë e tregut shqiptar të veshjeve, ka të bëjë me faktin se janë femrat më shumë në numër që vizitojnë një qendër tregtare, por janë meshkujt ata që blejnë më shumë. E blerësit më të mirë janë ata të moshës nga 25 vjeç deri në 45 vjeç.

Konstatohet se meshkujt shqiptarë tërhiqen më shumë nga markat, si Armani, Guess Jeans, Guess By Marciano dhe Diesel, ndërsa femrat nga Guess Jeans, Elizabetta Franchi, Lavand, Gant, Henry Cotton, St. Martin, etj.

Të vegjëlit në vështirësi

Por, për dyqanet e vogla në Tiranë që tregtojnë veshje markash situata nuk është edhe kaq “rozë”, madje ka edhe nga ata që kanë ndërruar “fytyrën” e dyqanit për të tërhequr klientë. Pronari i dyqanit “Logo Sport”, thotë se liberalizimi i vizave e ka ulur ndjeshëm kërkesën për veshje. Madje, ai për t’i shpëtuar kësaj krize zgjodhi t’ia dedikojë dyqanin vetëm veshjeve të meshkujve. Sipas tij, në Tiranë veshjet e markave për femra pothuajse nuk tërhiqen, jo vetëm për shkak të natyrës së vështirë që ka kjo gjini për të bërë pazar ( shumëllojshmëria e kërkesës bën që zgjedhjet të ndërlikohen), por edhe për faktin se janë disi më të shtrenjta.

Sipas pronarit të këtij dyqani, për meshkujt markat që tërheqin më shumë janë Polo e Tomy Hilfiger. Si distributor ekskluziv i markës “Legea”, një emër i njohur në botën e veshjeve sportive, ai thotë se situata është krejt e ndryshme për këtë gamë. Mund, të them, thotë ai se shitjet për veshjet sportive llogariten nga 10-20%, gjë që nuk ndodh për veshjet klasike të markave të mëdha.

Sipas tij, shqiptarët kanë hequr dorë nga mallrat e luksit dhe janë më të orientuar drejt çmimeve të lira. Pronarja e dyqanit “Erna” në një nga zonat e pasura në kryeqytet, thotë se ka pak kohë që ka hapur dyqanin me veshje “firmato” dhe përmend emra si Sisley, Pierre Cardin, Gatinoni e Betty Flowers, madje ka hapur edhe një faqe në Facebook, ku lajmëron klientët e saj për furnizimet që bën.

Thotë se operon me çmime të arsyeshme dhe se vetëm në këtë mënyrë ka arritur të tërheqë klientë. Mallin e merr vet në Itali, por pranon se e ka blerë në qendrat tregtare, pasi për të marrë eskluzivitetin e këtyre firmave as që bëhet fjalë edhe pse ka tentuar me kompaninë “Betty Flowrs”.

Rritet oferta e përzgjedhur

Pozitive vlerësohet ecuria edhe për një tjetër grup të rëndësishëm që operon me veshje të njohura, markash, si Mango, Esprit, Springfield, Koton, Motivi, Adidas, Nike etj. Granda Flaga, chief brands oficer e “Fashion Group”, në QTU, thotë e vlerëson ecurinë e markave të veshjeve, duke pasur parasysh faktin se ky vit u konsiderua si vit krize për Shqipërinë.

Siguria vjen edhe nga fakti se grupi operon me marka të njohura tashmë në treg dhe klientët kanë krijuar besimin në atë që ofrohet. “Tregu shqiptar është duke ecur me hapa shumë të shpejtë dhe mund të themi me siguri që shumë shpejt do të jetë në nivele të barabarta me fqinjët. Fillimisht, raporti mes kërkesës e ofertës anonte nga kërkesa, e cila ishte për ngopje të tregut dhe pa cilësi, por me kalimin e kohës kërkesa u rrit cilësisht dhe po kësaj i shkon oferta më e përzgjedhur. Nuk mund të themi që është konsoliduar, ka akoma për të bërë, por ecuria është në rrugën e duhur”, thotë znj. Flaga.

Mungesën e filialeve ekskluzivë të markave të mëdha, ajo e shpjegon me faktin se markat e mëdha punojnë me plane afatgjata ekspansioni, në të cilat nuk ishte parashikuar dhe përfshirja e Shqipërisë. “Takimi i kërkuar nga përfaqësuesit e këtyre markave me presidentin e Balfin Group, Z.Samir Mane, në fillim të viti 2011 tregon që Shqipëria po shikohet pozitivisht si vend investimi dhe në përfshirjen e planeve të ekspansionit”.

Sipas saj edhe efekti i liberalizimit të vizave nuk ka qenë sipas pritshmërive. “Ka marrë një pjesë të vogël të tortës, por veshjet janë konsum dhe është një shtresë e vogël për të cilët ne akoma nuk ofrojme produkte, që bëjnë shpenzime ekstra për të bërë pazar. Udhëtimet e punës dhe ato turistike kanë qëllime të caktuara dhe këto kanë qenë në çdo kohë”, thotë znj.Flaga.

Sipas saj, grup moshat që konsumojnë më shumë, në të gjitha nivelet janë femrat dhe ndarja klasike në ofertën e produkteve të një marke familjare (mashkull, femër) është 75% femra dhe 25% meshkuj përveç markave që janë të dedikuar për femra ose meshkuj.

Blerjet online, sfidë deri në sajtin e fundit

Tetë milionë vizitorë në muaj, 800,000 porosi të kryera. Një blerje për çdo 22 sekonda. Janë këto të dhënat që kanë dalë për blerjet on line në gjashtë muajt e parë të viti 2011 nga grupi Yoox. Një faturë globale me vlerë 152 milionë euro dhe më shumë se dy milionë pako që dërgohen në vit. Federico Marchetti, administrator i deleguar i Yoox, di gjithçka për klientët e tij, sa kohë u duhet për të zgjedhur, sa shpenzojnë dhe për çfarë.

Nga të dhënat zbulojmë se pasioni i përbashkët i njerëzve në të gjithë globin janë këpucët. Ato dhjetë centimetra apo më të larta preferohen nga italianet, që ndiqen hap pas hapi nga spanjollet. Në vend të fundit renditen indianet dhe argjentinaset për preferencat e tyre për këpucët me pak takë, apo të ulëta fare. Këto produkte blihen më shumë online, pavarësisht rrezikut për numrin dhe cilësinë. Po ashtu tregohet se italianët shfrytëzojnë me shumë dëshirë pushimin për kafe për të bërë një blerje online dhe se 30% e tyre blejnë gjatë orarit që gjenden në zyrë.

Ata që shpenzojnë më shumë janë amerikanët, edhe pse ekonomia e tyre nuk po jeton ditët më të mira. Nëse ka fustane të gjatë të tipit hollivudian, mos shpreso kot, amerikanet i blejnë sa hap e mbyll sytë. Më befasuesit janë japonezët rekordi i përket një zonje që harxhoi plot 4,000 euro për një fustan prej letre me stilin e viteve ‘60, një thesar i vërtetë për koleksionistët.

Kjo tendencë botërore, të blerit online, po revolucionon dukshëm botën e modës. Sepse, gjithmonë sipas të dhënave të Yoox, problemet e prerjeve apo masave nuk i ndalin më blerjet. Burrat blejnë njëlloj sa gratë (një në tre blerës është mashkull).

Ato çka ofrojnë sajtet e tilla si prada.com, miumiu.com apo valentino.com, shërbejnë në fillim për ta futur blerësin në një dimension përrallor. Një tjetër “as nën mëngë” është personalizimi. Kështu, në faqen e internetit louisvuitton.com mund të kërkosh vendosjen e inicialeve të tua në çantën e preferuar, duke zgjedhur mes 17 ngjyrave të ndryshme. Tërësia e veçorive që karakterizojnë një shtëpi të madhe mode ka shumë rëndësi. Duke u bazuar këtu, në faqen e internetit max-mara.com, sot mund të blihet xhaketa e famshme “101801”, e lehtë për t’u kombinuar dhe simbol i kësaj firme.

Edhe te robertocavalli.com përshkruhen momentet më të rëndësishme të karrierës së stilistit me rastin e 40-vjetorit të aktivitetit të tij. Pastaj ekziston edhe përpjekja për të nder vepruar me publikun, siç tregohet në faqen e re gucci.com, apo nga faqja përkatëse në “Facebook”. Ndërsa Giorgio Armani u ka kërkuar adhuruesve të tij të bëhen regjisorë dhe fotografë, duke u regjistruar në sajtin giorgioarmani-framesoflife.com, me rastin e ridizajnimit të syzeve që ai krijoi në vitet ‘80. Ndërkaq, Dolce&Gabbana kanë qenë ndër të parët që besuan te bota e uebit, duke krijuar swide.com, një lloj reviste online me komente dhe informacione, që shërben për të treguar të gjitha iniciativat e reja, por edhe për të bërë shopping për të gjithë ata që dëshirojnë.

Po hapen dita – ditës mjaft dyqane serioze që ofrojnë mallra origjinale, sezoni dhe me çmim të arsyeshëm. Por gjithsesi mungojnë kontratat midis bizneseve shqiptare dhe shtëpive të markave më të njohura në botë.

Tregu është i mbushur me dyqane që shesin mallra false, me çmime të leverdishme dhe deri më sot mund të themi se ka funksionuar mjaft mire.

Rëndësia e markave

Disenjatorët e veshjeve më prestigjioze në botë do të gëzoheshin të dinin që njerëzit i veshin krijimet e tyre duke menduar se ato i bëjnë të duken të pasur, të sofistikuar dhe me status. Në fakt kështu është, por jo plotësisht për shkak të gjeniut të tyre krijues, se sa për logon. Ajo që kërkuesit e marketingut e dyshonin prej kohësh, tani konfirmohet nga një studim i Universitetit te Tilburgut në Holandë i publikuar edhe në ‘Evolution and Human Behaviour Journal’ (Evolucioni dhe sjellja njerëzore). Kërkimi tregon se veshjet e markës si Lacoste dhe Tommy Hilfiger (të përdorura për këtë studim) sjellin përfitime të shumta si: më shumë bashkëpunim nga njerëzit, rekomandime pune si dhe më shumë shanse për të mbledhur para bamirësie në rrugë ose ambiente të tjera. Por ato funksionojnë vetëm kur origjina e veshjeve është e dukshme.

Në eksperimentin e parë vullnetarëve iu treguan dy foto, ajo e një burri me një bluzë Polo, logoja e së cilës ishte fshehur, dhe fotoja e një burri tjetër që vishte po ashtu bluzë polo por me logon e dukshme. Foto e dytë pati vlerësime shumë më të larta se fotoja e parë. Në eksperimentin e dytë, një grua nga grupi studimor shkoi në një qendër biznesi për t’iu kërkuar njerëzve të plotësonin një formular. Ditën e parë ajo veshi një xhaketë me logo dhe ditën tjetër një xhaketë pa logo. Rreth 52% e njerëzve pranuan të plotësonin formularin kur gruaja vishte xhaketën me logo, krahasuar me vetëm 13% kur gruaja kishte hequr logo-n. Në eksperimentin e tretë njerëzve iu treguan dy burra teksa intervistoheshin për një vend pune. Burri me logo u kualifikua më shumë madje u rekomandua edhe për një rritje rroge. Studimi tregon se njerëzit vazhdojnë t’i shohin logot si një sinjal statusi dhe pasurie. Pra ajo shenjë është  bindëse, edhe pse kjo tregon se njerëzit janë ende sipërfaqësorë në mënyrën si e vlerësojnë statusin. Shkencërisht kjo lidhet me faktin që njerëzit i kanë krijuar mekanizmat për të vlerësuar dikë biologjikisht, por do duhet ende kohë për të bërë të njëjtën gjë me markat dhe veshjet. Deri atëherë ekspertët e marketingut mund të hapin edhe disa shishe shampanjë.