Pranvera ka ardhur dhe është periudha ideale gjatë vitit për të udhëtuar. Më poshtë është renditja e destinacioneve më trendi dhe pse ia vlen t’i vizitoni sipas të dhënave dhe rezervimeve të ekspertëve dhe analistëve të American Express Travel.

Moskë, Rusi

Pranvera është momenti ideal për ta vizituar Moskën, pasi qyteti nis të lulëzojë dhe temperaturat janë të ngrohta. Audrey Hendley, presidenti i American Express Travel thotë se rezervimet janë rritur me 238%, maji ka numrin më të madh të turistëve që duan t’i bashkohen emocioneve, fishekzjarrëve dhe festave nëpër rrugët e qytetit (1 – 9 maj).

Bostwana, Afrikë

Muajt më të mirë për ta vizituar janë prill – tetor, gjatë sezonit të thatë. Prenotimet janë rritur me 200% sipas American Express Travel, duke qenë se marsi është fundi i sezonit të shirave dhe koha më e mirë për të parë zogjtë ekzotikë të Okavango dhe Morem.

Santiago, Kili

Kur vjen pranvera në Hemisferën e Veriut, në Kili është vjeshtë. Dhe kur në Kili vjen vjeshta, përfundon dhe sezoni pik gjë që e bën dhe periudhën më të përshtatshme për të vizituar Santiagon, ku sipas American Express Travel, prenotimet janë rritur me 91%.

Santorini, Greqi

Nga perëndimet në Oia në Detin e kristaltë Egje, tek çmimet e reduktuara nga marsi në maj, janë gjithnjë e më të shumtë turistët që vizitojnë Santorinin këtë pranverë. Të dhënat e American Express Travel tregojnë se rezervimet janë rritur me 94% pikërisht përpara sezonit turistik që nis në qershor. Kjo është koha e përshtatshme për të eksploruar peizazhin që është krijuar si pasojë e një shpërthimi vullkanik.

Doha, Katar

Doha është një qytet modern me një ofertë të larmishme turistike. Prenotimet kanë arritur në 79% nga muaji mars në prill, përpara se temperaturat të rriten dhe të zhvillohen festivalet më të famshme.

Amsterdam, Holandë

Kanalet piktoreskë në Amsterdam vijojnë të tërheqin një numër gjithnjë e më të madh turistësh nga gjithë bota. Turistët që do të vizitojnë Amsterdamin në fund të prillit do të kenë mundësi të bëhen pjesë e King’s Day (27 prill) një festë që zhvillohet nëpër gjithë qytetin dhe shfaq elementet më të rëndësishme të historisë dhe kulturës holandeze.