Asnjë biznes nuk është i detyruar të ulë marzhin e fitimit vetëm e vetëm për të shitur.

Uljet e çmimeve janë një metodë shumë e mirë për rritjen e shitjeve, por me një kosto që mund të rezultojë e lartë. Akoma më keq, nëse klientët mësohen me oferta, ata nuk do të blejnë normalisht, por do të presin uljen e çmimeve. Efektet e kësaj situate janë të rënda dhe do ta detyrojnë biznesin që të shesë gjithmonë me çmime oferte. Si rezultat, edhe marzhi i fitimit do të jetë më i ulët. Fatmirësisht, ka shumë mënyra të tjera për të rritur shitjet, pa e ulur çmimin ose duke e bërë këtë ulje të padukshme për klientët. Mësoni disa prej tyre.

Kuponë për të ardhmen

Mund të përdoren fjali të tipit: “Për çdo 10,000 lekë të shpenzuara sot, do të përfitoni 2,000 lekë ulje nga blerja juaj e radhës prej të paktën 10,000 lekësh”. Kjo do ta shtyjë klientin të arrijnë në limitin prej 10,000 lekësh sot dhe siguron një tjetër blerje prej tyre me po të njëjtën vlerë ose më shumë në të ardhmen, kur të përdorin kuponin.

Paketa produktesh

Mund të paketoni disa produkte sipas një veçantie, për shembull mund të zgjidhni ngjyrën, sezonin, ide dhurate, përdorimi, etj. Shiteni si një paketë speciale, me çmim të njëjtë ose disi më të ulët se sa blerja e këtyre produkteve veç e veç.

Dhuroni diçka

Një ditë apo mbrëmje në javë zgjidhni një klient të rastësishëm (me short) dhe bëni të mundur që ai të përfitojë një produkt apo një shërbim tuajin falas. Kur njerëzit ta marrin vesh këtë, do të vijnë më shpesh për të pasur mundësi të jenë fituesit fatlumë. Kjo taktikë mund të përdoret për një ditë tipike kur shitjet janë të ulëta. E përshtatshme për supermarkete dhe/ose restorante.

Argëtim shtesë

Bëjuni të mundur klientëve që, përveç produktit që kanë paguar, të përfitojnë diçka shtesë, si për shembull produkte promocionale, muzikë live në rastin e një restoranti apo bari, klounë për fëmijët, etj.

Organizoni konkurse

Çdo lloj konkursi priret të tërheqë njerëz, por të duhurit synojnë edhe t’u marrin para.

Sigurisht ka shumëllojshmëri konkursesh, por mundësimi dhe organizimi i tij i mbetet vetëm fantazisë së menaxherit. Në rastin e një Fast-Food-i, nëse shpallet një sanduiç me shije të re dhe me një emër të ri, mund të organizohet një konkurs ku klientët, pasi konsumojnë sanduiçin, mundohen të gjejnë emrin e tij të ri. Fituesit përfitojnë falas atë që konsumuan ose më tepër.

Ofroni produkte/shërbime në shtëpi

Kjo vlen edhe për restorantet, por është një mundësi e mirë edhe për dyqanet e veshjeve apo elektro-shtëpiakeve. Krijimi i një portali të mirë do ta thjeshtësonte shumë këtë proces.