Programi i ri në Vizion Plus, rolet dramatike, marrëdhëniet me të atin dhe fëmijët, apo edhe tifozeria e tij për Kombëtaren. Të gjitha këto të rrëfyera nga vetë aktori simpatik i humorit Juli Deda

 

Aktori i mirënjohur i humorit, Jul Deda, pjesëtar i formatit të suksesshëm “Apartamenti 2XL” vjen në këtë intervistë për të zbuluar rreth programit të ri të humorit.

Një program që do t’i vendosë djemtë në skenë dhe në rrugë (xhirimet jashtë skenës), dhe që do të alternohet sipas sezonit me “Apartamentin”. I rezervuar në dhënien e detajeve, Juli tregon se ky program do të vijë në fund të muajit shtator.

Ndërsa rrëfen më tej raportin si artist me babain e tij, aktorin e madh Zef Deda, ato me fëmijët e tij, vajzën 5 vjeçare e djalin 2 vjeçar, verën që sapo ka kaluar në Velipojë dhe dëshirën për të qenë edhe në role dramatike…!

 

Intervista

 Këtë sezon thuhet se do të vini me një tjetër format në televizon, apo jo Juli?

Nga të gjitha thashethemet e botës, dëgjojmë edhe ne çudira, si për shembull që do të iki Ermali, ka thashetheme që është mbyllur “Apartamenti 2XL”, që Dali Lama është shqiptar, etj… Në fakt e vërteta është se grupi ThSHBSH, është i njëjti që ka qenë, Juli, Genti, Ermali, stafi i Apartamentit është i pandryshueshëm, thjesht po përpiqemi të sjellim një format të ri për ta rifreskuar ndoshta edhe shijen e publikut edhe anën tonë profesionale, për të filluar diçka të re. Kjo nuk është konsum, kjo është trimëri. Është më tepër freski e krijimit dhe jo për të mos ju kthyer më Apartamentit por për t’iu rikthyer sërish. Do të bëhet një alternim mes dy spektakleve të Apartamentit dhe të riut. Se kam dëgjuar edhe gjëra të llojit, që po lini Apartamentin, jo. Absolutisht është e kundërta. Apartementi do jetë. E madje publikun do ta marrë malli për të, kur të jetë në transmetim programi i ri dhe anasjelltas. Pra do jenë të dyja në një hark kohor sezonal, siç do ta vendosin drejtuesit dhe programacioni. Gjë që do ta vendosi më konkretisht politika e televizionit, ne jemi aty për të dyja. Por nuk është aspak e vërtetë që do të mbyllet Apartamenti. Do të jenë të dy programet.

Na trego diçka për programin e ri atëherë?

Nuk duhet të tregoj shumë gjëra në fakt, por do jetë diçka e miksuar mes skenës dhe xhirimeve të filmuara në terren, gjë që do të jetë ndryshe nga Apartamenti. Pastaj në përmbajtje ka mjaft gjëra të tjera të ndryshme. Besoj që do të jemi në transmetim për të gjithë publikun kureshtar në mes të shtatorit ose në fund të tij.

Personalisht ju vjen pak keq që do të “ndaheni” në një farë mënyre përkohësisht nga “Apartamenti”?

Jo, nuk më vjen keq. Madje më vjen shumë mirë që njerëzit na presin në Apartament dhe ne u japim një produkt të ri, sepse edhe kjo është surprizë për njerëzit. Por unë kam përshtypjen se edhe formula e re do të jetë shumë e suksesshme. Ne do të përpiqemi që ta punojmë sa më mirë, ta nxjerrim sa më bukur, që të ketë edhe ajo suksesin e Apartamentit. Pastaj nëse njerëzit i merr malli për apartamentin, sezonin pasardhës do të jetë ai, e kështu…

Arsyeja e këtij formati të ri vjen edhe për faktin e konkurrencës mes programeve të humorit që ekzistojnë në treg?

Kjo konkurrenca është relative. Unë personalisht nuk i hyj fare diskutimit të konkurrencës,  pasi unë nuk e shoh si konkurrim, mund ta shohi televizioni këtë që është në të njëjtën ditë në të njëjtin orar me “Portokallinë”, mund ta shohin sponsorët, unë e shoh si një punë timen që dua ta bëj sa më mirë, pastaj nëse rrjedhi- misht shndërrohet në konkurrencë të mirë, atëherë shumë mirë, sepse konkurrencë të keqe besoj se s’duhet të kemi me njëri-tjetrin. Sepse nuk kam asnjë inat unë me asnjë nga aktorët që punojnë nëpër vende të tjera, jo! Mua thjesht më paraqitet ky variant pune, më paraqitet ky projekt dhe i hyj dhe e punoj me shumë dëshirë. Përpiqem që ta bëj të suksesshëm të shikueshëm, të pëlqyeshëm për njerëzit, pastaj konkurrencën e vendos publiku që e sheh.

“Portokallinë” e shihni vetë?

Nuk e shoh (qesh). Nuk e shoh sepse të dy programet, yni dhe ai “Portokalli” jepen në të njëjtin orar e sigurisht që nuk mund ta shoh.

Nuk ke ndonjë kuriozitet? A sheh ndryshime nga sezoni në sezon i “Portokallisë?

Me thënë të drejtën deri tani nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh… mua më duket i njëjtë?

Po, cilat janë programet botërore që ju frymëzojnë dhe ndiqni?

Unë kam pas ndjekur më shumë por vazhdoj ende t’i ndjek dhe Italia ka formate shumë të mira humori. Duke filluar që nga “Zelig” që është një nga majat e formateve, por ka edhe mjaft të tjerë. Por ata më pëlqejnë për diçka që në një format humori e zhvillojnë në një drejtim që nuk i përziejnë formatet. Gjë që po përpiqemi ta bëjmë edhe ne me programin e ri, të nisim një format dhe ta elaborojmë deri në fund atë format, jo të përziejmë tre formate në një. Italia këtë e praktikon shumë bukur dhe me mjaft finesë, pra ruajnë të njëjtën format nga fillimi në fund. Mendoj se kjo është më mirë, dhe profesionalisht mendoj se është edhe me estetikë, dhe vetë personazhi nuk konsumohet shumë.

Juli ju keni luajtur edhe teatër e role dramatike, por publiku i gjerë nuk e njeh këtë pjesë tuajën. Ju vetë e preferoni po aq sa komedinë dramën?

Publiku i gjerë është e vërtetë që më njeh vetëm përmes humorit dhe nuk më vjen keq për këtë gjë, sepse të bësh njerëzit të qeshin është një kënaqësi shumë e madhe. Por unë kam luajtur role dramatike edhe në teatër edhe në Akademinë e Arteve kur kam qenë student edhe më pas dhe të them të drejtën i kam shumë qejf edhe rolet dramatike, janë krejt tjetër gjë. Edhe vetë komedia në teatër ka një tjetër gjendje nga ajo në një show televiziv, e sigurisht nëse më ofrohej një rol dramatik do ta shikoja me mjaft prioritet. Sepse për fat të keq janë shumë të rralla projektet në teatër dhe film në Shqipëri. Kështu që nëse më vjen një ofertë e tillë do ta shihja me prioritet.

Juli, babai juaj ka qenë një nga humoristët më të njohur të para viteve ’90. Dhe pse ju keni krijuar profilin tuaj tashmë, si e ka ndjekur karrierën tuaj ai dhe kur e ke marrë aprovimin e tij “Po, je bërë”?

Unë ende nuk e kam marrë në fakt, (qesh). Unë kam mbaruar shkollën për aktor dhe qysh në momentin që kam hyrë në shkollë më saktë, nuk kam tentuar asnjë moment as t’i ngjajë e as të mos i ngjajë atij. Thjesht jam fut në këtë profesion për të bërë atë që di të bëj më mirë, sipas mendimit tim, sipas psikofizikës sime, dhe duke tentuar të bëj këtë nuk e kam pasur qëllim në vetvete të mos i ngjaj apo t’i ngjaj. Kjo vjen në mënyrë organike. Organikisht kam krijuar profilin tim, sepse në fund të fundit jemi dy njerëz të ndryshëm, ai është im atë e unë jam i biri, por jemi të ndryshëm edhe në fizik, edhe në mentalitet, kemi botëkuptimin tonë, këndvështrimin tonë për gjërat, ndryshe e sheh ai fenomenin ndryshe unë. Sigurisht të dy mundohemi t’i gjejmë anën komike gjërave, por të gjesh anën komike në fillim duhet të gjesh anën tragjike të jetës dhe duke qenë dy të ndryshëm edhe gjërat i shohim ndryshe. Dhe normalisht i kemi edhe kohët të ndryshme jo vetëm si vite por si sisteme. Ai ka proceduar në të tjerë ujëra unë në të tjerë ujëra. Janë dy kohë të ndryshme, atëherë ka qenë vështirë për të përmendur disa gjera dhe sot është e vështirë për të përmendur disa të tjera. Atëherë nuk duhet të shahej buka si e keqe, apo kryetari i një institucioni apo diçka e sistemit, tani mund t’i shash të gjitha këto pa e tepruar, por nuk mund të shahet një produkt pasi mund të jetë sponsor i punës që bën… sigurisht sot është shumë më lehtë…

Vlerësimin e tij e marr përmes telefonatave mbas çdo spektakli, ka gjëra pozitive ka edhe vërejtje, deri sa të bëhet njeriu. E njeriu deri sa të bëhet 70 vjeç punon për t’u bërë… (qesh).

Tashmë sezoni i verës po mbaron dhe mund të na tregoni rreth pushimeve tuaja?

Sezoni po mbaron por vera po vazhdon, (qesh). Isha në Velipojë për 15 ditë me familjen dhe prindërit e mi.

Keni dy fëmijë aktualisht mendoni se jeni ende i ri për kaq impenjime apo je siç i ke menduar edhe më parë gjërat?

Nuk jam penduar aspak. Jam shumë i lumtur me fëmijët dhe familjen time. Por sigurisht kur jemi me pushime nuk i shijojmë më si më parë, pasi gjithë kohës bëjmë edukatorin si unë si ime shoqe. Vetëm kur ata flenë gjumë ne e shijojmë plazhin. Gjatë kohës tjetër që jemi në Tiranë është bashkëshortja ime që merret më shumë me ata. Por fëmijët duan energji, ashtu sikurse edhe të falin mjaft. Ne gëzohemi kur ata kënaqen.

Juli, le të rikthehemi sërish tek aktrimi. Duke qenë prezent çdo javë në ekran, ju tremb ndonjëherë konsumimi?

Njeriu mund të konsumohet edhe duke dalë një herë në vit në ekran, varet sesi e administron ai veten. Nuk ka ndonjë shkollë të veçantë për këtë gjë sesi të administrosh veten dhe imazhin në ekran, por duhet të tregohesh i kujdesshëm dhe i freskët. Nëse ti shpirtërisht nuk ke të japësh gjithmonë diçka të re atëherë sigurisht që bëhesh i lodhshëm. Por fatmirësisht dhe fatkeqësisht njëherazi në Shqipëri mjafton të dalësh një xhiro dhe merr përditë material të ri për të treguar aspekte të ndryshme të jetës në ekran. Por është shumë pak ajo që të ndan nga e zakonshmja. Një detaj i vogël të bën ty të preferuar dhe të dashur për herë në ekran nga njerëzit.

Në Apartament kanë ardhur shumë të ftuar, kush është treguar më shumë aktor?

Janë përshtatur më shumë ata që e njohin pak profesionin tonë. Por edhe të tjerë na kanë çuditur, për shembull Monika Kryemadhi, që nuk ka pasur aspak lidhje me profesionin tone, është përshtatur shumë mirë në Apartament. Varet edhe nga momenti, varet edhe si është përshtatur me materialin që i kemi dhënë ne. Po jemi kënaqur me të gjithë ata që kanë ardhur. Pasi edhe ata e dinë që janë amatorë në atë që do bëjnë dhe janë mësuar me formatin tonë dhe çdo gjë ka shkuar mirë. Kjo edhe për ne është një lloj surprize sesi do të përshtaten të ftuarit dhe kjo gjë ka ngjallur kuriozitet edhe te publiku.

Fatos Nano ka qenë personazhi që i keni kënduar dhe pritur më gjatë. Kush e ka radhën?

Ishte Arvizu pas tij. Të radhës nuk e kemi menduar ende. Por pritja e Fatos Nanos doli mjaft spontanisht në fakt. Dhe kanë qenë dy sezone që ne i këndonim atij. Por dihet që Fatos Nano nuk është e lehtë të kapet dhe më në fund erdhi dhe të them të drejtën ishte kënaqësi ta kishim aty. Është një burrë shumë i zgjuar dhe mënyra sesi u soll aty me neve ishte shumë e këndshme. Ishte parashikuar të rrinte 10 minuta dhe ndenji 37 mintua (qesh). Kështu që ia vlejti shumë ajo pritja.

Juli, jashtë humorit, punës, familjes çfarë të pëlqen të bësh?

Unë jam një fans i madh i kombëtares dhe përpiqem që kur janë ndeshjet në Shqipëri t’i ndjek të gjitha. Kështu pashë së fundi ndeshjen Shqipëri-Mal i Zi dhe Shqipëri Francë. Jam një tifoz i çmendur i Kombëtares.