Rrokullima është afër kur qeveris me “forma edukimi” /respublica.al

2018-12-24T12:05:25+00:0024 Dhjetor, 2018 12:05|Kategoritë: Kuvendim, Opinion|

Ministri i ri i Brendshëm duket se udhëhiqet nga realitete të polarizuara. Sipas tij edhe në një debat qesharak si ky për ndalimin e lëndëve piroteknike, mes të cilëve edhe fishekzjarri, ndarja qëndron mes atyre që janë për festime normale dhe të tjerëve që sipas Sandër Lleshajt janë “idhtarë të eksplozivëve”.

Naiviteti në raport me publikun është një kosto që nuk kemi pse ta paguajmë, pasi fjala e një ministri nuk mund të interpretohet qetësisht duke patur në mendje bindjen se “ky aq di”. Në çdo vend shohim fishekzjarrë që hidhen për festa. Në Shqipërinë e Sandër Lleshajt dhe të Erjon Veliajt që nxjerr rregulla administrative edhe për mënyrën sesi hidhen hapat në rrugë, fishekzjarrët janë kriminalizuar. Sepse ato janë monpol i institucioneve që kur i hedhin u japin gëzim qytetarëve të cilët kanë një qeveri që po i ruan dhe kujdeset nga budallallëku i tyre.

Sigurisht që fishekzjarrët janë të bezdisshëm. Gëzimi i disave për ta është vërtet acarues. Por nga kjo te ndalimi është krejt tjetër gjë. Dhe kundërshtimi i ndalimit të fishekzjarrëve nuk të bën idhtar eksplozivësh. Një ndarje e tillë lind e merr jetë në mendjen e Sandrit, ministrit gjeneral që e ulën në detyrë përkundrejt çdo procedure normale.

Zotërisë i falet sepse e ka integritetin moral aq solid po t’i besojmë apologjetëve katolikë në media, saqë liria e kuptuar edhe si manifestim emocionesh, i rri e madhe. Shumë e madhe. Këtë e paskan zët këta socialistët e Edi Ramës. Pra që të gëzosh në mënyrë pak abrashe, të bërtasësh dhe këndosh me zë të lartë ku je pak i pirë, hedhësh ndonjë fishekzjarr, apo edhe të pish duhan. Këta janë moralizues të mëdhenj, na mbajnë larg veseve, larg kumarit, larg pijes, larg femrave të striplubeve. Urdhërat, VKM-të dhe ligjet po marrin pamjen e formave të edukimit që firmosen me gaz të madh nga njerëz si ky Sandri që u bë ministër. Do njeriu të ketë respekt për një ministër, një kryeministër, apo një gjykatës, por nuk mundet. Ka gaz socialisti i shkretë, polici i thjeshtë për ditëlindjen e shefit dhe do ta hedhë një fishekzjarr, nga ata që bëjnë zhurmë si kokosh i ngjirrur, të thjeshtë fare. Jo. Kjo nuk lejohet. Kjo është e rrrezikshme. Kjo është e dëmshme, e zhurmshme.

Një pushtet që po preferon uniformën dhe uniformizimin e shoqërisë nuk e ka të gjatë. Pështymat në surratin e tij, gurët ndaj çdo simboli të tij dhe protesta janë mjete ku shoqëria ka sovranitet absolut. Sepse ky nuk është diskutim mbi nevojën e masave që duhen marrë për parandalimin e ngjarjeve të pakëndshme dhe me pasoja si pasojë e përdorimit të lëndëve të caktuara. Ky është një refluks i natyrshëm i çdo qytetari ndaj rolit moralizues të një qeverie hajdutësh, një qeveri që vjedh dhe e shet vjedhjen si të mirë publike. Një qeveri që edhe censurën që po instalon e përdor si mjet për disiplinimin e lirisë së fjalës. Ora e rrëmetit dhe rrokullisjes po afrohet prej saj me një shpejtësi dhe verbëri të çuditshme.

Sa për Sandrin, ky gënjen trashë, por edhe flet qesim. Sepse mesa duket ndaj edhe u vu aty. /respublica.al